Frrok Çupi: Thjesht ranë maskat, priten veshjet

 Frrok Çupi: Thjesht ranë maskat, priten veshjet

Foto ilustruese

Njeriu që zgjati dorën dhe shpoi ‘thesin’ me pagat, më duket se bëri një punë arti. Ka ndodhur javën e kaluar dhe ‘alarmi’ ka marrë dhènë. Këta e quajtën punë ‘skandali’ pa e menduar më gjatë. As ai, apo ata, që kryen aktin e ‘rrjedhjes’ së sekreteve, nuk besoj se kanë besuar se po bëjnë ‘art’; por ja që kështu ndodhi.

Si në një lojë arti me maska, kur aktori Tom Cruise në filmin ‘Eye Wide Shut’, lëvizte lirshëm në sallën e mbushur me njerëz krejt të zhveshur por me maska në fytyrë. Qe një moment kur lojtari i madh i filmit ‘se ku la maskën e fytyrës’, por ç’rëndësi kishte(!) përderisa në trup kishte veshje. Erdhi çasti kur rojet i kërkojnë të zhveshë rrobat.

Kjo ishte tragjike!

Kur kishin maska, bëhej edhe pa veshje; por teksa ka rënë maska, çfarë tmerri t’i vijë radha veshjes?!… Filmi i regjisorit të famshëm Stanley Kubrick, ka më shumë se dy dekada që transmeton mesazhin e lakuriqësisë pas rënies së maskave. Puna e kryer nga dora që hapi thesin e pagave sekrete, edhe pse aq e thjeshtë, por patjetër që është një ‘art’ me maska.

Një pjesë e madhe njerëzish u tronditën se ‘ky është një skandal’. Po, një ‘skandal’ mund të quhet, të paktën sipas moshës shumë të re të demokracisë sonë, dhe gjithashtu sipas ‘totalitarizmit’ që mban brenda zhavorri i demokracisë sonë. Por pa ‘skandale’, vallë si ta korrigjojmë ‘demokracinë’. Në manualet e famshme mbi Demokracinë,  teoricienë të shtetit e kanë konsideruar skandalin një ‘qen roje të demokracisë’. Në shoqëritë totalitare nuk ka asnjë skandal; aty banesat janë pa perde dhe pa gardhe, divanet dhe sobat janë njësoj të gjitha, rrogat janë të barabarta, shtëpia jote nuk të përket ty…

S’ka asnjë maskë.

Skandali i hapjes së thesit nxori në shesh jetesën e lartë dhe jetesën e ulët. Jo thjesht ‘pagat’, por zotësinë e dikujt për t’u zhytur në lëmin e pasurisë së kombit dhe pazotësinë e të tjerëve për të marrë aty bukën e fëmijëve. Edhe në këtë rast ka një ‘qen roje’, por ky ruan te dera e sekretit të rrogave në favor të ‘të shkathëtëve’. Me rrjedhjen ‘skandaloze’, e fshehta doli në dritë të diellit.

Kjo maskë ka rënë.

Kush e hodhi poshtë maskën e parë të shoqërisë sonë? Të gjithë po e kërkojnë e nuk po e gjejnë; as ka për t’u gjetur ndonjëherë. E ç’e se e gjetët; do ta bëni hero? As këtë nuk e bëni dot kurrë; të paktën derisa në sallën mondane atyre njerëzve t’u hiqen edhe rrobat. Kjo mund të vijë pas ‘skandalit të parë’. Deri tani nuk kishte ndodhur, vetë shteti dhe enturazhi i tij, ndodhen prapa maskave.

Çfarë nuk ka dalë akoma nga maskat:

Doktori vrau njerëz; njeriu ‘i ndershëm’ vodhi pasurinë e publikut; demokracia u kthye në një komunizëm më të egër; pronën e pronarit e mori një ‘ufo’; patrioti ditën thërriste për kombin por natën furnizonte me energji kasapin e kombit- Milloshevicin ose Mlladicin; presidenti hyri në zyrë si një ‘kalë prej druri’ i mbushur me militantët kundër shtetit; persekutorët u fshehën si moralistë; prapa vjedhjes së fëlliqtë qëndron një njeri me kravatë; tenderin e  fitoi një njeri që nuk duket; vrasjen kush e bëri e kush e pagoi?, deri te kreu i shtetit shkon hija… Të gjitha rrinë pas murit të hekurt.

Kjo u zbulua pas maskës së parë. Prandaj na lind e drejta të hamendësojmë se ‘cili i zbuloi pagat?’. Mund të jetë një njeri kureshtar i thjeshtë që i ranë në dorë ‘datat’ dhe këtë e bëri si lojë fëmijësh; mund të jenë partnerët tanë që u lodhën duke e parë popullin të fshehur pas maskave të ‘engjëjve’; mund të jetë vetë  drejtësia që po përgatit hapjen e perdeve dhe të maskave të djajve…

Pas maskave, sigurisht, është radha e veshjeve.

Kjo e ka tmerruar ‘sallën mondane’ ku luhet arti me maska, si i Tom Cruise. Do të shikojmë se sot pa shohim pako gjë reale. E gjitha është ‘alias’. Kurrë nuk kemi pyetur nga vjen lideri ynë… Ish presidenti i Republikës dhe ish- kryeministër…, kurrë nuk ka zbuluar cila ishte origjina e tij; a ishte praktikant i krishterë apo mysliman; a kishte rrahur apo vrarë njeri; a kishte marrë në qafë njerëz gjatë diktaturës; pse dha urdhër për të shkatërruar ekonominë që në vitin 1990; po gjatë postit të  lartë a kishte dhënë urdhër për të vrarë në popull; sa human e njihte veten?… As presidentin që kemi nuk e njeh njeri cili është; as gjyshin, as fisin, as arsimin e tij, as sa të gjatë e ka vegjetacionin e trurit; as shijet e artit; as marrëdhënien me mafiozët…

Flitet se në këtë vend është vjedhur aq pasuri e publikut saqë mbulon njëzet herë këtë pasuri që kemi…, po ku ndodhet tani?, a do të vihen në pranga vjedhësit?, a do të kthehet pasuria?, kur do të kthehet?…

Prandaj ata u alarmuan shumë për ‘skandalin e parë’ që hoqi maskat.

Tani pritet të dalin lakuriq

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale