Frrok Çupi: Zamir Dule nuk ishte një mall, ky është faji i tij

Frrok Çupi: Zamir Dule nuk ishte një mall, ky është faji i tij

Zamir Dule

Hera e fundit që shpresova ta takoj Zamirin, ishte festa e gazetës. Më kishin thënë se ishte bërë më mirë dhe se mund të vinte…

Por qe e pamundur.

… Vitin që kaloi, 023, ndoshta në dhjetor, gazeta Koha Jonë festoi vitin e ri dhe shpalli fituesit si një ‘Oscar’ i vërtetë. Ishte një shpërthim malli e bujarie; në  një nga lokalet më luksozë të Tiranës;  vetë presidenti i Republikës dhe llambadarë. Nuk kishe ku të hidhje shikimin e të mos dalloje pasuri pa fund. Pastaj vallja, pa fund.

Të gjithë ata që kanë punuar në gazetën ‘Koha Jonë’ dhe më shumë të tjerë.

Zamiri nuk erdhi deri në fund. Shpresoja që në një çast të hynte si i padukshëm në atë mizëri njerëzish në ‘qiell të shtatë’; të shfaqej pak i kërrusur, pak i zbehtë, krejt i pazhurmë- siç e kisha njohur ditën e parë. Edhe ditën e parë e prita në redaksinë e gazetës Koha Jonë kur kryeredaktori zyrtar ishte në burg. Nganjëherë kam menduar se si vallë mundën ta gjejnë shikasit dhe policët mizorë në natën e 3 marsit 1997, kur i ‘nxorën shpirtin’ Zamirit dhe i vunë zjarrin redaksisë gazetës. Pasi ishim larguar të gjithë në mesnatë, Zamiri kishte rënë të flinte në katin përdhese, atje ku kishte gjetur një fole si një mace që nuk i bënte kujt qeder.

E shkretuan, e dhunuan, e bënë për jo- njeri, dhe e hodhën për të vdekur. Ta dinin se nuk ishte djegur bashkë me orenditë, do të ktheheshin e do t’i vinin prapë zjarrin. Aq ishte fiksuar njëri nga militantët që dogji gazetën, saqë edhe kur redaksia u vendos në një apartament përballë shkollës ‘Petro Nini’, vinte në redaksi me dy kallashnikovë, hapte bajonetën dhe ua ngulte thasëve me gazeta për të gjetur o Zamirin ose armiq të tjerë të Sali Berishës. ‘Përbindëshi i Tropojës’ u ishte kthyer në libër xhepi ose në fletore arketipi.

Ai njeri militant, edhe sot që protestonte ‘për ndershmëri’ para Bashkisë së Tiranës, me siguri e quan ‘një lojë’ lajmin për vdekjen e Zamir Dules; pret ta vrasë prapë.

Zamiri shkoi në heshtje dhe në varfëri ekstreme. E ëma kishte shkuar në qiell pak vite më parë dhe për Zamirin ishte shuar edhe një fije tjetër e dritës. Por vëllai i vet bëri të pamundurën për ta mbajtur në jetë. Më kanë thënë gazetarët e Korçës, Gëzim Hashimi më shumë, se si jetonte ai njeri dhe sa shpresonte t’i shikonte edhe një herë shefat dhe kolegët e gazetës. Kjo ushqente edhe shpresën time për atë natë kur festuam Vitin e Ri në ‘Sofrën e Ariut’. (E shikoni: Edhe restorantin e  kishim zgjedhur me emër të një kafshe të fortë). Nuk qe e thënë që të vinte Zamiri, të paktën të jetonte pesë minuta në luks.

Në fund të fundit, kush ia kishte fajin? Edhe Zamiri duhej të ishte një Ari, kafshë e  fortë, që të shqyente të tjerët e të mos shtrinte dorën. Kështu ndodhi jo vetëm me Zamirin. Gazetarin Bardhok Lala e gjetën të hedhur në një gropë te Liqeni, e tani jeton larg ‘Ariut’, në një fshat në Lezhë. Zenepe Lukës ia hodhën shtëpinë në erë, po të njëjtët, por Zenepja zgjodhi të ikte në atë botë para Festës. Gazetari Ali Uka u vra në shtëpinë e tij, për të njëjtën arsye dhe nga e njëjta dorë që vrau Remzi Hoxhën.

Që atëherë u ndanë ‘kafshët’ e forta që mund të shqyenin këdo dhe kafshët që nuk e meritonin të jetonin në këtë pyll. Askush deri më sot nuk e ka bërë inventarin e tyre. Madje as të gjithë kolegët.

Do të duhej bërë një inventar, të paktën sa vjeç ishte secili; të paktën sa fëmijë kishin nëse kishin dhe a i kishin prindërit të gjallë; a ishin të dashuruar, a kishin laps e letër në çantë?, këta gazetarë të vuajtur…. Se gazetaria me këto operon, me gjëra shumë të vogla. Ka edhe kompjuter, ka laptopë, ka fotokopje, ka shtypshkronjë… Por këto janë gjëra të mëdha dhe i përkasin bosit. Po flas për inventarin e gazetarit.

Ndërsa për mallin e gazetës e di se janë bërë disa gjyqe, disa deklarime, disa kërkesa, disa beteja…, dhe sa mirë që është bërë.

Në sallën e gjyqit, me atë rast mund të ishte shkruar se mes mungesës së mallrave, ‘na mungon edhe një gazetar’. Nuk u bë kurrë. Faji është i vetë Zamirit, pse nuk ishte mall; le ta mësojë sot në ‘ditën e qiellit’.

Ndërsa shoqëria mediatike, politike e ligjore nuk ka bërë asnjë hetim, asnjë kallëzim, asnjë numërim të atyre që nuk janë o Arinj o mallra.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan

Më shumë se 40 të vrarë nga sulmet pakistaneze në Afganistan