TIRANË - Gjykata e Lartë shpalli të enjten me 3 Mars moskomptencën për gjykimin e ish-deputetit kristiandemokrat Mark Frroku dhe Arjan Bytyçi, për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë në vitin 1999. Gjykata mori këtë vendim bazuar në kërkesën e prokurorit Madrid Kullolli, por edhe të avokatit Tonin Prendi, pas konstatimit se Frroku nuk është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, duke humbur kështu edhe statusin e personit të veçantë.

Vendimi u shpall pak muaj pasi Frroku dorëzoi mandatin e deputetit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që mandatin e tij t’ia kalojë Mirela Ferracakut, emrit tjetër që ndodhej në listë e Partisë Kristiandemokrate. Çështja u vendos të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë.

Frroku akuzohet për vrasjen e Aleksandër Kurtit në bashkëpunim me Arjan Bytyçin, ngjarje e ndodhur në Bruksel në vitin 1999. Veç vrasjes së Kurtit, mbi Frrokun rëndojnë edhe akuzat për fshehje të pasurisë, mosdeklarimti të pasurisë, refuzimit për deklarim të pasurisë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe ndërtim të paligjshëm.

Vrasja për prostitutën
Në vendimin e gjykatës së Brukselit, ku janë dënuar katër shqiptarë mes tyre dhe Mark Frroku por tashmë i kthyer për rigjykim, evidentohet se shkak është bërë një prostitutë, ku tutorë të saj kanë qënë Mark Frroku dhe vllai i tij Leonard Frroku. Viktima Aleksandër Kurti ka qënë skeduar në Belgjikë si person që ushtronte aktivitet kriminal me trafikimin e klandestinëve nga Belgjika drejt Anglisë.

Rastësisht ai në Belgjikë, ka takuar një vajzë prostitutë me të cilën ka pasur njohje në Shqipëri duke i kërkuar asaj që të shkonte më të në Angli. Fillimisht ajo ka refuzuar, por Kurti ka këmbëngulur se nëse nuk shkonte më të, atëherë ai do i tregonte familjes sa saj në Shqipëri, për punën e pisët që kryente. Në këto kushte, prostitua ka njoftuar në telefon tutorin e saj, Leonard Frroku, vllain e Markut.

“Jepi një mësim të mirë”
Nga sa mësohet Leonard Frroku në atë periudhë ka qënë në Shqipëri, ndërkohë që ka njoftuar në telefon Mark Frrokun, i cili ndodhej në Belgjikë duke e urdhëruar që ti jepte një mësim të mirë Aleksandër Kurtit, pasi kishte filluar ti sillte probleme me një prostitutë.Në 5 mars 1999 Mark Frroku së bashku me shtetasit Besnik Vuka, Hilë Morina, Lek Bib Djafa dhe Alfred Kola, kanë arritur të lokalizojnë shtetasin Aleksandër Kurti dhe janë përleshur me të fizikisht.

Gjatë përleshjes Kurti është qëlluar disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhereshme.Në bazë të deklaratave të Nikola Kurtit, vllait të viktimës dhe dëshmitarëve anonimë në Belgjikë dhe në Shqipëri do të mund të përcaktohet kush ishin autorët e krimit të dyshuar dhe se krimi ishte planifikuar paraprakisht.

Për këtë çështje prokuroria Belge ka kërkuar dënimin me 15 vite të Mark Frrokut, ndërkohë që në fund gjykata ka dhënë një dënim prej 10 vitesh burg.Ky dënim është apeluar nga Frroku dhe se çështja është kthyer sërisht për rigjykim. Si bashkëpuntorë të vrasjes së Kurtit, gjykata ka identifikuar dhe shtetasit Besnik Vuka, Hilë Morina, dhe Alfred Kola.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)