Emrin e ka Qazim por i pëlqen ta thërrasin Xhimi. Kushdo që e sheh e kupton se është një djalë plot energji, i qeshur e i dashur me të tjerët edhe pse jeta nuk i ka falur shumë gëzime as atij e as familjes Kumrija që ka rritur jo një, por tre fëmijë të verbër. As shkenca nuk e shpjegon se përse kanë lindur të tre të verbër, tregojnë familjarët. Megjithatë, janë një shembull për t’u ndjekur. Xhimi i përket komunitetit të personave të verbër, por kjo nuk e ka penguar, që me vullnetin e tij të fortë, t’i dalë për zot vetes dhe familjes së tij.
Në foto Qazim Kumrija pranë shtëpisë së tij
Xhimi - Kam ardhur në tiranë që nga viti 1998, arsyeja e ardhjes sime në tiranë ka qenë se shkolla e 8 vjeçare është speciale vetëm në qytetin e Tiranës për të verbrit, aty kam kryer studimet e 8 vjeçare kur ka qenë sistemi pastaj kam qenë në një gjimnaz normal sepse nuk ka një specifik për të verbrit, te gjimnazi “Partizani”, nga aty kam ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë dhe kam mbaruar dhe Masterin në fushën e Të drejtës Civile.
- A ka qenë gjithmonë drejtësia fakulteti që doje të ndiqje? Pra ëndrra jote fëmijërore ka qenë të bëhesh avokat, jurist ?
Xhimi – Po nuk ishte një degë e rastësishme, ishte një degë e preferuar e zgjedhur që unë të vazhdoja studimet për këtë. Me mendimin që të njihem me ligjet e shtetit shqiptar, dhe ndoshta mund të bëhesha mbrojtës i të drejtave të Komunitetit të të Verbërve. Pastaj pasi mbarova shkollën u hasa në vështirësi për gjetjen e një vendi pune.
Si një djalë jurist dhe njohës i mirë i ligjeve, Xhimi, një djalë me karakter të fortë, mori vetë frenat e jetës në dorë, duke mos pritur që një ditë, dikush, apo një institucion shtetëror t’i hapte dyert për punë. Kalvari i mundimeve përfundoi. Xhimi së bashku me vëllanë dhe motrën e tij vendosën të ngrinin së bashku një biznes familjar, me të cilin të sfidonin politikën për aftësinë dhe zotësinë e tyre në punë.
Xhimi- Mbas shumë kërkimeve dhe mbasi kam shkuar në shumë institucione të shtetit shqiptar për të kërkuar një vend pune. Duke kërkuar zbatimin e ligjit që sipas Kodit të Punës, një në 25 punonjës duhet të jetë me aftësi të kufizuar. Por, dyert më janë hapur por zgjidhje nuk kam marrë asnjëherë.
-Arsyeja që ti dhe yt vëlla e hape këtë biznes është fakti që nuk gjetët punë në asnjë institucion shtetëror ku ju shkuat. Më tregove pak më parë që ke bërë dhe trajnime në Bashkinë e Tiranës, si ishin për ty dhe çfarë prisje nga ato trajnime?
Xhimi-Në 2017 kam kryer praktikën në Bashkinë e Tiranës 3 muaj. Kjo praktikë u ndoq nga Ministria e Mirëqenies, dhe faktikisht me stafin dhe vendin e punës u ambientova shumë mirë. Një muaj kam bërë praktikë tek pritja e qytetarëve dhe ti orientoja për problemet që kishin ose ti jepja zgjidhje. Merrnin shërbimin nga mua si çdo punonjës që ishte aty. Arsyeja e hapjes së këtij biznesi ishte për të sfiduar shtetin dhe shoqërinë tonë. Nuk është se ne nuk mundemi të kryej një punë që më ofrohet. Por mungon dëshira dhe vullneti i personave të institucioneve për të provuar nëse mund ta kryej punën.
Për 28 vjeçarin, dita nis e mbaron këtu. Ai zgjohet herët dhe niset për punë, aty ku e pret nëna e tij, e cila për ta dhe këdo që dëgjon këtë histori, do të quhej me plot gojën një heroinë.
Nëna e Xhimit – Për të parë shkallën e vështirësisë duhet pyetur vetëm një prind që është në rolin tim. E vështirë është ti kesh normalë fëmijët dhe jo siç i kam pasur unë, 3 të verbër që duhet ti gjurmojë mbrapa, si nëpër kurse, shkolla,aktivitete siç kanë shkuar këta. Dhe kur vendosëm të hapnim biznesin, unë përsëri duhet të jem pranë tyre. Dhe i kam premtuar që deri në frymën time të fundit do të jem pranë tyre.
Xhimi – Mendimi i parë që kam kur çohem në mëngjes është që të shkoj në punë dhe ti ndihmoj njerëzit me problemet që kanë. Dyqani ynë rri hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në 22:00.
-Sa kohë po bën që e keni hapur dyqanin?
Xhimi- Kemi 1 vit e dy tre muaj. Me ndihmën e mamit duke parë në lagjen tonë se çfarë mund të bëhesh ose mungonte për krijimin e një biznesi ishte që nuk kishte një pikë, si një dyqan ku kryhet rimbushja e telefonit me parapagesë, dhe aktivizimi i ofertave si dhe aksesorë të ndryshëm për telefona. Dhe vëllai e ka pasion që të rregullojë kompjuterë pasi ka bërë dhe një kurs për këtë gjë dhe ka dalë më i miri i grupit. Fillimi ishte pak i vështirë si për këdo që hap një biznes dhe fitimi muajt e parë ka qenë zero. Por, ne nuk u dorëzuam dhe deri më sot kemi arritur të sigurojmë një pagë.
Shumë pak njerëz e kuptojnë që Xhimi nuk sheh. Ai tregon se është shumë i kujdesshëm, që edhe kur punon në kompjuter, të mos përdor sistemin audio e hapur, por kufje në mënyrë që të mos shqetësojë klientët.
Xhimi – Duke ditur që shumica e klientëve e dinë problemin tonë, ne përsëri e japim shërbimin tonë si çdo dyqan, si çdo pikë rimbushëse e telefonit dhe aktivizimin e ofertave. Vështirësia është vetëm tek kthimi i lekëve, tek kusuri dhe për këtë na ndihmon mamaja jonë.
-Po me kompjuterin di çdo gjë ? E di mirë ?
Xhimi – Në kompjuter nuk kam asnjë lloj vështirësie sepse ekziston një program në audio që transkripton çdo gjë me zë. Dhe ne nuk e përdorim mausin fare çdo klikim me maus është dhe me klikim nga tastiera. Dhe nuk na nevojitet fare mausi vetëm me anë të kombinimeve CTRL+SHIFT+ALT dhe butonave të tjerë që shtypen njëkoësisht, bëhet kombinimi dhe merr komandën që të kryejë funksionin. Programi është me ze dhe mbaj kufje që ta dëgjoj vetëm unë, që mos të bëhet i bezdisshëm nga klientët kur vijnë.
Xhimi nuk harron as gjërat e vështira që ka kaluar. Ai tregon se në shoqërinë tonë, ekziston ende paragjykimi për personat me aftësi të kufizuar, një shqetësim të cilin ai e ka vuajtur edhe më shumë në moshën e adoleshencës.
Xhimi – Vështirësitë i kam pasur vetëm në gjimnaz, ndoshta jo në të mësuar sepse kam përdorur metoda të ndryshme, si psh duke na lexuar librin prindërit, duke i regjistruar librat në audio. Sepse ekziston një studio e regjistrimit të librave në audio për të verbrit, ku një folës e lexon librin dhe zëri i tij regjistrohet dhe e dëgjojmë në mënyra të ndryshme elektronike. Por vëhtirësia ka qenë tek shoqëria sepse siç dihet gjimnazi është një periudhë ku të gjithë të hallakatur dhe ndoshta nëse do të kishin dëshirën të më ndihmonin mua ose dhe të shoqëroheshin me mua, nuk i lejonin aventurat e tyre që donin të lëvznin. Dhe unë mund të isha një pengesë.
Qazim Kumrija gjatë intervistës me Report TV
Megjithatë, jeta i ka buzëqeshur, kur njohu personin e zemrës, një histori, që Xhimi e tregon kështu:
Xhimi - Nëse dashuria është e verbër,për mua dashuria është dritë. Sepse arrita ta shoh me sytë e shpirtit, të zemrës, që ta ndiej dhe ta perceptoj si të bukur dhe jo aparencën e tij. Jemi njohur në një trajnim që ka bërë OSBE-ja, trajnim në lidhje me zgjedhjet, me mënyrën e të votuarit.
-Si e mendon botën në ngjyra? Qiellin, diellin.. si e percepton se si duhet të jenë?
Xhimi- Ndoshta nga informacioni që kemi për ngjyrat mund të jetë krijuar dhe perceptimi që e bardha është ngjyrë e hapur, e ndezur. E zeza është ngjyrë e errët, dhe perceptimi vjen nga informacioni që kemi për ngjyrat.
Apeli i Xhimit është shumë domethënës, jo vetëm për personat që e shohin jetën si ai, por edhe për të rinjtë, që sot enden në kërkim të një pune, ashtu edhe për shtetin, i cili nuk mbështeti vullnetin dhe dëshirën e tij për punë në profesion.
Xhimi - Duke qenë se unë kam lindur me këtë problem, nuk është se më mungon se dua të shikoj diçka me patjetër. Por e vetmja dëshirë është që të mundesha që një ditë kisha dëshirë që ti jepja makinës, sepse këtë gjë e kam të pamundur.
Apel do të kisha për shtetin dhe shoqërinë të ashtuquajtur normale deri diku sepse çdo person mund të ketë nga një problem, dikush e ka fizik, dikush psikologjik. Apeli që bëj është që asnjë nga shoqëria mos të paragjykojë.
Familja Kumrija
Redaksia Online
s.k/Shqiptarja.com