Ndërsa kambanat e Pashkës shpallin ringjalljen e Krishtit, një murgeshë ka zgjedhur të jetë sërish pranë banorëve në nevojë, duke e kthyer këtë festë të shenjtë, në një akt shërbimi dhe solidaritet. Kjo është historia e motër Adelina Markut e cila prej 12 vitesh u është gjendur pranë banorëve të fshatrave të Mirditës. Nga goja e tyre del vetëm mirënjohja për ndihmën që murgesha u ka dhënë, ndërsa në sytë e motër Adelinës, sheh edhe trishtim, përballë pushtetit që sipas saj duhet të mendojë për të varfrit.

***

“Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme, nuk ka smirë”. E udhëhequr nga dashuria ndaj Zotit dhe njerëzve të cilëve u shërben, motër Adelina Marku është kthyer në shpresë për njerëzit e komunitetit ku shërben, atje në Rubikun e vogël, por siç thotë ajo, me zemër të madhe.

E ka zgjedhur këtë detyrë e thirrur nga Zoti, fillimisht duke shkaktuar dhimbje tek prindërit, por tashmë duke marrë kënaqësinë e të gjithëve.

“Kur kam njohur tre motra të huaja dhe kur kam parë shembullin e tyre, dashuria, përkujdesi që kishin për njerëzit, në atë moment kam filluar të mendoj që në jetë mund të jesh e lumtur edhe përtej një familjeje, përtej një martese", thotë motër Adelina Marku.

Edhe në këtë Pashkë ka zgjedhur të udhëtojë si çdo ditë në fshatrat e Mirditës, atje ku fatkeqësisht përballet me vuajtje e dhimbje të pamundësisë, varfërisë e mbi të gjitha vetmisë së të moshuarve, pas largimit të të rinjve.

“Njerëzit që jetojnë këtu kanë shumë vështirësi, qoftë lidhur me transportin, me problemet shëndetësore, papunësia. Familjet që jetojnë kryesisht këtu janë të moshuar, jetojnë vetëm”, tregon motër Adelina.

“Gjyshi”...Kjo është thirrja në çdo portë e motër Adelinës, e cila dhuron shpresë se edhe të vetmuarit nuk janë vetëm, teksa në çdo prag të kullave mirditore merr mirënjohjen e të gjithëve.

“E vetmja ndihmë që është në zonën tonë, janë vetëm prifti dhe murgesha”.

“Që në kohën që ka ardhur motër Adelina këtu si murgeshë, na ka ndihmuar gjithmonë, na ka mbështetur në çdo hall e problem që kemi pasur”

“Ne rininë, na ndihmon duke mundësuar takime me grupet rinore dhe ripërtëritje shpirtërore”

“Adelina është një motër që nuk përton kurrë”

“Është njeri shumë korrekt, shumë i rregull, shumë e përkushtuar për punën që bën”, shprehen disa nga banorët e zonës.

Motër Adelina Marku jeton çdo ditë me një sërë brengash që e mundojnë, teksa ëndërron për një Shqipëri të begatë.

“Më dhemb kur shoh një rini që nuk ëndërron shumë dhe nuk ka ëndrra të mëdha për realitetin tonë. Më dhemb kur shoh shumë prindër që kanë një familje të madhe, por që jetojnë vetëm. Më dhemb kur lexoj statistikat e një vendi që po shpopullohet gjithmonë e më shumë”, shprehet motër Adelina.

Edhe në këto Pashkë, ajo nuk e ndan zemrën nga ata që vuajnë, teksa mes lotësh u kujton atyre që kanë në dorë fatet e njerëzve për më shumë kujdes dhe dashuri.

“Kush ka më shumë pushtet ka më shumë mundësi për të bërë mirë, por rrezikon të bëjë edhe më shumë mëkate, do i thoja, ju lutem më dëgjoni, dhe mendoni për të varfrit. Një ditë do të jemi të gjithë pranë zotit e do na pyesë çfarë keni bërë me fatet e njerëzve”, thotë mes lotësh motër Adelina Marku.