/ATSH-Z.Tosku/-Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor prezantoi sot disa nga rritjet e tij, në analizën vjetore të zhvilluar
me praninë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Drejtori i Përgjithshëm, Astrit Beci në analizën vjetore u shpreh se 'sot janë rreth 100 mijë persona që janë pajisur me kartë shëndeti, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha të FSDKSH gjatë vitit 2014?.
Gjatë fjalës së tij, Beci nënvizoi mundësinë për dhënien e barnave me rimbursim për periudha deri në 2-mujore si dhe implementimin e recetës së unifikuar, që heq burokracinë në marjen e kujdesit shëndetësor.
 
Ndër të tjera Beci tha se "një nga rritjet më të rëndësishme të FSDKSH-së këtë vit, ishte ofrimi i paketave të disa shërbimeve të nefrologjise dhe kardiokirurgjisë, sipas kostove të përcaktuara drejt, si në spitalet publike ashtu edhe në ato jopublike".
Shendetesi, analiza vjetore Foto Flor Abazi
Ai shtoi se "sot, jemi këtu me një premtim të mbajtur, atë të ofrimit të paketave të para shëndetësore, të cilat financohen 100% nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sigurisht financimi dhe realizimi i këtyre ndërhyrjeve, po kryhet fillimisht në sektorin publik, por dihet se, problemet e veshkave dhe ato kardiokirugjike, janë sëmundje me incidencë të lartë dhe nevojat e popullatës për këto ndërhyrje nuk arrijnë të plotësohen nga spitalet publike".
Beci shpjegoi se në  rastet që janë përtej kapaciteteve të institucioneve shëndetësore publike, FSDKSH do ti financojë këto paketa edhe në spitalet jopublike, duke mbuluar koston e plotë të ndërhyrjes për pacientët.
Duke u ndalur tek përtfituesit e drejtpërdrejtë, Beci nënvizoi se "rreth 900 pacientë që kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe 3 spitale private, 350 ndërhyrje nga 1 dhjetori 2014 deri më sot të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, me financim 100% nga FSDKSH,12 transplante të veshkave të kryera me sukses në spitalet private, po ashtu me financim të plotë nga FSDKSH".
Sa i përket listës së barnave të rimbursueshme, Beci përmendi gjithashtu një paketë shumë e rëndësishme e FSDKSH-së.
"Edhe këtë vit, lista është pasuruar me 29 barna të reja, rreth 12 prej të cilave janë principe të reja aktive, mes te cilave barna per semundje te renda si ato onkologjike dhe gastro-hepatologjike. Po gjatë vitit 2014, u konkretizua puna për një prej premtimeve madhore të Qeverisë: Kontrolli Mjekësor Bazë për popullatën 40-65 vjeç. Aktualisht FSDKSH po e financon këtë shërbim, pas realizimit të paketës dhe procedures se koncesionit nga Ministria e Shëndetësisë', theksoi Beci.