TIRANE- Ndryshimi i skemës për të marrë dhe llogaritur me një formulë të re pensionin e pleqërisë, pensionin e invaliditetit, pensionin familjar dhe atë social, solli dhe rritjen e përfitimeve. Deri në 31 dhjetor 2014, pensionet që u lidhën për të gjithë të moshuarit u caktuan me formulën e vjetër e cila, kufizonte përfitimet, ndërsa  nga 1 janari 2015, formula P=PS+SH, të jep mundësinë të marrësh një pension bazë prej 6750 lekë dhe për çdo vit kontribut që derdhet, rritet pensioni.

Por si janë caktuar pensionet deri tani? Nga të dhënat që gazeta ka siguruar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, deri në 1 janar 2015 janë caktuar 39 mijë e 72 pensione gjatë viti 2014, numër më i lartë se vitet e kaluara. Lidhur me afatin që janë caktuar pensionet, ISSH thotë se shumica e tyre janë lidhur brenda 45 ditëve, ndërsa një pjesë janë lidhur jashtë aftit për shkak të vonesave të shqyrtimit të dokumentacionit nga vet inspektorët në drejtoritë rajonale.