Dibër- Një çift bashkëshortësh, banues në Britaninë e Madhe, kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri me 25 mijë paund të padeklaruara përmes pikës kufitare të Bllatës.

Paratë ishin futur në çantat personale të tyre dhe policia i gjeti pasi kanë kontrolluar në mënyrë të imtësishme automjetin tip “Audi 7”  i cili drejtohej nga bashkëshorti.

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Ndaj dy shtetasve, E.P., 30 vjeç, dhe B.S., 30 vjeçe, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë".

Shërbimet e Policisë Kufitare në Bllatë, në bashkëpunim dhe me autoritetet doganore Bllatë,  bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të shumave monetare, lëndëve narkotike, armëve të zjarrit dhe goditjen e çdo paligjshmërie tjetër kufitare.