Mbërritja e dy përgjigjeve të letër porosive nga Franca dhe Gjermania, kanë rikthyer sërish në skenë dosjen hetimore të gjyqtarit të Apelit Gjin Gjoni, lidhur me fshehjen e pasurisë dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Pak kohë më parë ka qënë prokuroria e Elbasanit ajo që i është drejtuar me letër porosi drejtësisë gjermane dhe franceze lidhur me disa transaksione bankare dhe pasuri që Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi disponojnë në Shqipëri.

Dy përgjigjet e letërporosive kanë mbëritur në Shqipëri pas një viti, kohë kjo kur gjyqtari Gjin Gjoni, mbylli dosjen e prokurorisë me procedurë dhe më pas sërisht nëpërmjet gjykatës detyroi prokurorinë që të mbyllë çështjen me argumentin se fakti i fshehjes së pasurisë nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Pavarësisht kësaj situate, tashmë prokuroria e Tiranës ka hapur sërisht hetimet për Gjin Gjonin dhe bashkëshorten e tij Çaushi.

Nuk dihet sërisht se si do përfundojnë këto hetime, pasi kjo varet dhe në përgjigjen që kanë sjellë Gjermanët dhe Francezët.

Në atë kohë prokuroria argumentoi se të dhënat e kërkuara në letër-porosi janë shumë të rëndësishme për hetimin, pasi pasuria e dyshuar si e deklaruar në mënyrë të rreme nga shtetasi Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, kanë të deklaruar si burim kryesor fitimet nga bizneset e krijuara nga e dyshuara Çaushi në bashkëpunim me shtetasin gjerman Mehlber.

Sipas deklarimit të pasurisë, dorëzuar në ILDKP këta dy shtetas, kanë vendosur si burim kryesor të pasurisë së tyre pikërisht të ardhurat e fituara nga aktiviteti privat ndër vite i shtetases Elona Çaushi dhe ish-ortakut të saj, shtetasit gjerman Mehlber.

Pra, elementi thelbësor i hetimit janë pikërisht të dhënat e kërkuara pranë autoriteteve gjermane dhe franceze, për të vlerësuar nëse shtetasi Mehlber i ka pasur mundësitë financiare dhe, rrjedhimisht edhe ish-bashkëshortja e tij dhe ish-ortakja e tij, Çaushi, i ka pasur ose jo mundësitë financiare për të ngritur disa biznese njëkohësisht.

Prokuroria e Elbasani ka dyshime të forta që shtetasit Gjin Gjoni dhe Elona Çaushi kanë konsumuar elementët e veprës penale për të cilët dyshohen, por mungesa e përgjigjeve të letër porosive deri në këtë moment, pengon tërësisht provueshmërinë e këtyre dyshimeve.

Për prokurorinë e Elbasanit, e gjithë ecuria e këtij hetimi është penguar në vijimësi nga ana e gjykatës së këtij qyteti.

Fillimisht, me regjistrimin e procedimit penal ndaj këtyre shtetasve, Prokuroria kërkoi vendosjen e masës ndaluese “pezullim nga detyra” për gjyqtarin Gjin Gjoni, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata e Elbasanit dhe nga Gjykata e Apelit Durrës.

gjin gjoni
(Gjyqtari Gjin Gjoni)
gruaja gjonit
(Elona Çaushi, bashkëshortja e Gjin Gjonit)


Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com