Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon që nëpërmjet kësaj deklarate të bëjë të njohur për opinionin publik dhe mediat, ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot, të shtunën më dt 15.03.2014, në stadiumin e qytetit të Ballshit, gjatë ndeshjes së Kategorisë Superiore Ballshi-Laçi:

Gjatë gjithë kohës ndaj zyrtarëve të FSHF të cilët drejtonin këtë veprimtari, në mënyrë të veçantë ndaj delegatit të ndeshjes z. Besnik Çela, është ushtruar presion verbal, në mënyrë të veçantë nga Presidenti i klubit të Ballshit, Besnik Kapllanaj. Pavarësisht kësaj, zyrtarët e FSHF, janë përpjekur të ruajnë qetësinë dhe vazhdonin zhvillimin normal të ndeshjes, në zbatim të rregullores. Ngjarja e rëndë, ka arritur kulmin, kur z.Çela, është goditur me dru në kokë nga Presidenti Besnik Kapllanaj, pas përfundimit të ndeshjes.

Z. Besnik Çela, është dërguar me urgjencë në spitalin e Fierit për t’i dhënë ndihmën e parë dhe për të qenë nën kontrollin e specializuar të mjekëve kompetentë.
Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpërsisht këtë akt të rëndë dhe të dhunshëm, që kërkon të prishë bukurinë dhe imazhin e futbollit. Këto incidente të dhunshme ndaj zyrtarëve të FSHF, që dëmtojnë rëndë lojën dhe prekin thellësisht të gjithë opinionin futbolldashës, do të jenë objekt i ndëshkueshmërisë së të gjitha Komisioneve tona, sipas rregulloreve dhe dënimeve më ekstreme, që përcaktojnë ato.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit, i bën thirrje të gjitha organizamve shtetërore, Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Gjykatave që të jenë sa më aktivë në ndëshkimin e fenomeneve të tilla të dhunshme. Pa zbatim rigoroz të ligjit, pa një impenjim serioz të tyre për ndëshkimin e autorëve, gjithçka do të mbetet e mangët dhe për rrjedhojë futbolli, do të jetë gjithnjë i kërcënuar dhe peng i dhunuesve të tij.

Për këtë arsye ne kërkojmë më shumë siguri për zyrtarët tanë dhe garanci për jetën e tyre. Në rast, se kjo gjendje nuk do të ndryshojë dhe dhunuesit, nuk do të vihen përpara akuzave ligjore, Federata Shqiptare e Futbollit do të shikojë qëndrimin e saj në lidhje me vazhdimin e aktiviteteve futbollistike në Shqipëri. Në të kundërt, ajo marrë vendime ekstreme deri në ndërprerjen e tyre, nëse situata nuk do të normalizohet dhe të ketë më shumë siguri.

Sot në stadiumin e Ballshit, është dhunuar një zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili ka patur të gjitha atributet nga institucioni që përfaqësonte, për të drejtuar një ndeshje futbolli. Është dhunuar, një zyrtar në krye të detyrës, një prind, një njeri. Ne kërkojmë edhe nga media dhe opinion publik më shumë sensibilitet, për të dënuar akte të tilla që kërkojnë të shkatërrojnë futbollin dhe nëpërkëmbin institucionet dhe godasin ligjin.

Federata Shqiptare e Futbollit