Nëse deri më tani janë denoncuar manipulime të rënda me zgjedhjet në shoqatat rajonale të futbollit ku 3 prej tyre kanë shkuar në prokurori, pasi FSHF ka bërë shkelje duke siguruar vota në favor të Armand Dukës, shoqata e Lezhës është një ekuacion më vete, pasi ende nuk është regjistruar në gjykatë.

Së bashku me Shkodrën, janë dy shoqatat e futbollit që ende nuk i kanë kryer zgjedhjet. Konkretisht shoqata e Lezhës ka kryetar Ridvan Kullin, i zgjedhur me 9 prill të 2021, por që rezulton si shoqata e vetme që ende nuk është rregjistruar në gjykatë. Më 4 tetor të 2021 gjykata e Tiranës ka refuzuar pranimin e kësaj shoqate pasi ka vërenjtur parregullsi.

Kur ndodhemi 6 ditë nga afati i fundit i zgjedhjeve ende nuk asnjë kandidat rival për kryetarin e shoqatës. Njejtë si në shoqatat e tjera edhe në Lezhë mungojnë  listat me emrat e anëtarëve të cilët kanë të drejtë vote në asamble.

E gjithë kjo ngatërresë ka për qëllim manipulimin e zgjedhjeve në shoqatën e Lezhës nga Federata Shqiptare e Futbollit, që deri më tani ka siguruar 23 vota për Armand Dukën, i cili kërkon mandatin e gjashtë.

Ndërkohë në Shkodër është caktuar data 8 shkurt për zgjedhjet, por edhe atje mungon tërësisht informacioni. Kujtim Shaba, njëri prej kandidatëve për kryetar, ka denoncuar në Report TV se askush nuk e konfirmon si pjesmarrës në zgjedhje, pasi federata nëpërmjet shoqatës ka qëllim zgjedhjen në fshehtësi të kandidatin të mbështetur prej saj.