Federata Shqiptare e Futbollit ka mbyllur bashkëpunimin me trajnerin Gent Mahmuti në drejtimin e Kombëtares shqiptare U-15. Pas vlerësimit të bërë nga Drejtoria Teknike, Federata e Futbollit ka vendosur t’ia besojë drejtimin e Kombëtares U-15 trajnerit Bledar Borova.

Borova është një emër i njohur në futbollin e moshave në Shqipëri, me një eksperiencë të gjatë në zhvillimin e talenteve të reja. Ai ka punuar për vite me radhë në Akademinë e Apolonisë, ku ka drejtuar ekipet e grupmoshave të ndryshme dhe ka mbajtur gjithashtu detyrën e drejtorit të akademisë.

Gjithashtu, Borova ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Kombëtares U-19, ku ka kontribuar në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.

"Emërimi i tij është në përputhje me strategjinë e Drejtorisë Teknike të FSHF-së për forcimin e strukturave të ekipeve kombëtare të moshave dhe vijimin e punës për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e futbollistëve që përbëjnë të ardhmen e futbollit shqiptar", bën me dije FSHF.

Borova do të nisë menjëherë punën me Kombëtaren U-15 në kuadër të aktiviteteve dhe grumbullimeve të planifikuara për sezonin e ri.