Federata Shqiptare e Futbollit ka përgatitur një protokoll shëndetësor të ngjashëm me atë që do aplikojë Bundesliga gjermane e futbollit për të rifilluar aktivitetin. Edhe pse qeveria në vendin tonë nuk ka dhënë dritën e gjelbër, federata me atë të këtij drafti kërkon t’i japë një shtysë për lejen, në mënyrë që sezoni 2019-2020 të mbyllet në fushën e gjelbër.
Ky quhet Protokoll Sanitar dhe ka për qëllim të garantojë shëndetin e të gjithë aktorëve të një loje futbolli, në të cilin, sipas këtij dokumenti, nuk mund të jenë më shumë se 179 persona.
Ndarja në stadium:
(Zona1, Fusha) përbëhet nga lojtarët, trajnerët, stafi teknik dhe gjyqtarët (jo më shumë se 88 persona)
(Zona2, Tribuna) përbëhet nga punonjës e transmetimeve TV, Stafi dhe Delegacionet e ekipeve dhe disa nga përfaqësues të tjerë të mediave apo edhe stafi i higjienës(jo më shumë se 59 persona). Ky grup mund të hyjë edhe në stadium, por duhet të mbajë një distancë nga grupi i gjelbër (Zona 1).
(Zona 3, Përreth Stadiumit) përfshin përfaqësit e forcave të rendit, regjinë e televizioneve, punëtorët e fushës dhe zjarrfikësit (jo më shumë se 20 persona).
Një nga pikat më të rëndësishme në këtë draft, janë testet ndaj Covid-19, të cilat skuadrat duhet t’i paraqesin jo më vonë sesa ora 10 e mëngjesit të ditës së ndeshjes. Lidhur me pjesën e grumbullimeve stërvitore, ndeshjeve futbollistike etj., sipas protokollit të OBSH-së dhe rekomandimit të mjekëve, duhen ndjekur dhe zbatuar udhëzimet e mëposhtme në mënyrë rigoroze:
Udhezimet për ushtrimin e aktivitetit:
-Një shërbim mjekësor sanitar, i pajisur me skaner për matjen e temperaturës, në hyrjen e stadiumit, për të gjitha subjektet e autorizuar.
-Një dokument me të gjitha normat higjieno-sanitare të adoptuara në secilin impiant sportiv, përpara zhvillimit të çdo eventi, i cili u duhet prezantuar autoriteteve, në rast kërkese.
-Një modul elektronik për të certifikuar subjektet që do të hyjnë në impiant dhe masa kontrolluese për të evituar sa më shumë rrezikun e infeksionit.
-Do të vendosen dezinfektues duarsh në të gjitha këto mjedise për tu ardhur në ndihmë futbollistëve, stafeve dhe zyrtarëve;
-Të gjithë stafet të qëndrojnë me maska dhe doreza gjatë punës, para, gjatë dhe pas ndeshjeve; Përdorimi i maskave dhe dorezave është i detyrueshëm sidomos gjatë udhëtimeve të ekipeve, pra në autobusë, në furgona dhe çdo grumbullim tjetër të detyrueshëm në vende të mbyllura;
-Hotel ekskluziv për ekipin ose katin / zonat ekskluzive për të shmangur kontaktin me vizitorët e tjerë të hotelit.
Kush hyn në stadium, përveç skuadrave:
-Zyrtarët e ndeshjes.
-10 persona zyrtarë të autorizuar nga çdo skuadër, qëndrimi është I lejuar vetëm në tribunë dhe me një largësi prej 2 metra nga njëri-tjetri.
-4 fëmijë për kapjen e topave.
-Përgjegjësit e sigurisë publike 4 persona, stjuardët e parashikuar në zonat e piketuara deri në 20 persona, zjarrfikësit 4 persona, operatorët e ndihmës së shpejtë, të parashikuar sipas ligjit.
-Vetëm operatorët televizivë dhe gazetarët e rrjeteve titullare të drejtave të transmetimit “live”.
-Fotografët zyrtarë dhe zyra e shtypit e të dyja skuadrave.
-Gazetarët dhe fotografët e autorizuar nuk do të jenë më shumë se 20 vetë, por ndërkohë ata do të jenë të ndaluar që të kenë kontakte me personelin e dy skuadrave.
-Në tribunën e shtypit, të gjithë gazetarët dhe fotografët e akredituar do të duhet të qëndrojnë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit.
-Në terrenin e lojës do të mund të zbresin vetëm fotografët zyrtarë të të dyja klubeve.
-Ndërsa ata të jashtmit do të kenë një vend të rezervuar dhe të kushtëzuar, por kurrsesi brenda terrenit të lojës.
(Kliko këtu për të lexuar protokollin sanitar, masat për mbrojtjen e shëndetit)