Në pritje të faljes së borxheve por edhe të konfuzionit që u krijua vjet për zbatimin e ‘Paqes Fiskale’, bizneset i shtuan edhe më shumë detyrimet e papaguara. Shifrat e drejtorisë së tatimeve tregojnë se vitin e kaluar borxhet tatimore te bizneseve u rritën me 19.6% krahasuar me vitin 2024.
Totali i detyrimeve arriti në 194.4 miliardë lekë, ose rreth 1.9 miliardë euro, me rritje prej gati 320 milionë euro krahasuar me vitin paraardhës. Brenda këtyre shifrave thuhet në raportin e tatimeve përfshihen edhe 13.1 miliardë lekë detyrime tatimore që kanë bizneset, por që aktualisht janë në proces gjyqësor.
Borxhet më të mëdha bizneset i kanë për mospagim të tatimit mbi fitimin, ndjekur më pas nga TVSH, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore e më tej tatimi mbi të ardhurat personale dhe DIVA.
Ndërkohë nga totali prej 1.9 miliardë euro, vetëm 60% është borxh pasi në pjesën tjetër prej 40% përfshihen gjobat dhe kamatëvonesat.
Në raport evidentohet edhe një tjetër problematikë, pasi 66% e borxhit ose rreth 127 miliardë lekë e kanë biznese që e kanë mbyllur aktivitetin e tyre, ndërsa pjesa tjetër prej 34% është nga subjekte aktive.
Sa i takon vjetërsisë së detyrimeve të papaguara 60.4% e tyre janë mbi 5 vjeçare thuhet në raport, ndërsa rreth 20% e borxhit është e krijuar vetëm gjatë vitit të kaluar.
Për shkak të vlerës së madhe të borxheve, qeveria miratoi si pjesë të paketës fiskale në 2025-ën, ligjin për fshirjen e borxheve tatimore dhe doganore të krijuara deri në fund të 2014-ës plotësisht, dhe falje me këste për borxhet e krijuara nga 2015-2024-ën. Ky ligj i cili do të jetë në fuqi vetëm për këtë vit parashikon të prekë 2.1 miliardë euro në total.
Por ligji i fshirjes së borxheve, njëjtë si edhe paqja fiskale që parashikon bërjen e një marrëveshje për të caktuar fitimin e bizneseve, ende nuk janë të zbatueshëm, edhe pse kanë hyrë në fuqi në janar të këtij viti, për shkak se nuk janë plotësuar me aktet nënligjore. Ministri i Financave deklaroi më 30 mars, se aktet janë dërguar për opinion tek ndërkombëtarët, për shkak të kritikave që ata kanë pasur për këto dy ligje, dhe pasi të marrin përgjigje do të nisin zbatimi.
“Në momentin që do marrim përgjigje do vijojmë me publikimin dhe implementimin e tyre”, tha ministri.
Komente











