Kualifikimi i munguar, për herë të tretë radhazi në Botërorin e futbollit, është përjetuar në Itali, në përmasat e një tragjedie kombëtare. I madh e i vogël qajnë një tjetër shans të humbur, por dhe kërkojnë përgjegjësit e kësaj situate. Dhe projektorët nuk janë drejtuar ndaj trajnerit Gennaro Gattuso, por kryesisht ndaj Federatës dhe drejtuesit të saj Gabriele Gravina.

“Është e qartë për të gjithë se futbolli italian duhet të rindërtohet dhe se ky proces duhet të fillojë me një ripërtëritje të lidershipit të FIGC”, deklaroi Ministri për Sportin Andrea Abodi. Ai nuk është i vetmi zë politikani që e kërkon një gjë të tillë. Në fakt thuajse e gjithë politika italiane, me ndryshime në tonalitetin e deklaratave, sheh te Gravina përgjegjësin kryesor.

Në Shqipëri, rrufetë e mallkimet po bien mbi trajnerin Sylvinho. Ndërsa presidentit të Federatës së futbollit, Armando Duka, me 7 mandate radhazi (i fundit në shkurt të këtij viti), nuk i preket as qimja. Asnjë zë autoritar nuk dëgjohet ta përmendë. Përkundrazi, tani mbi të, janë përqendruar vështrimet se cili do të jetë emri i ri që po ai do të përzgjedhë, si trajnerin e radhës për kombëtaren tonë. Ashtu si dhe në të kaluarën do të jetë ai që do t’i përcaktojë objektivin për kualifikim. Këtu përfundon përgjegjësia e tij. Nëse objektivi nuk arrihet, përgjegjësia mbetet e trajnerit.

Në varësi të përzgjedhjes së Dukës, do të rinisin të thuren ëndrrat dhe ngjizen shpresat, për Europianin e ardhshëm. Ndërsa mundësinë e humbur për të shkuar për herë të parë në një botëror, askush nuk e sheh si një përgjegjësi, qoftë dhe minimale të kreut të FSHF-së. Nëse bëjmë një hap përpara, duartrokitjet shkojnë për Dukën, nëse bëjmë dy hapa pas, është thjesht fati i keq, apo vetdorëzimi përpara bindjes se “kaq janë mundësitë tona”, apo “jemi një vend i vogël”, ndonëse dhe të tjerë, më të vegjël se ne, po në rajonin tonë po aq të vogël, të Ballkanit, shkuan më larg. Me Kosovën që ishte shumë pranë kualifikimit, dhe Bosnjën, e cila preu biletën për në Amerikë, duke ia dalë pikërisht ndaj Italisë.

Ndoshta krahasimi mes Italisë dhe Shqipërisë, mund të mos jetë i duhuri. Diferencat janë të thella, siç janë po ashtu dhe objektivat. Sepse kombëtarja italiane është futur gjithnjë në gara të tilla si favorite për të fituar si Botërorët ashtu dhe Europianet, jo vetëm prej historisë së saj. Ndërsa ne hyjmë gjithnjë me objektivin minimal, të cilin as vetë nuk e besojmë se do e arrijmë. Dhe dy herë që e kemi arritur, për në finalet e Europianit, e kemi konsideruar më së shumti, një mrekulli.

24 vite në krye të Federatës shqiptare të futbollit, nuk janë pak, për të mos thënë shumë, për të lënë gjurmë të vërteta. Por në gjithë këto vite, vështirë mund të thuhet se futbolli shqiptar është rritur. Në kompeticionet europiane, skuadrat e kampionatit tonë, bien që në përballjet e para. Ndërsa për kombëtaren iu detyrohemi, për një kohë të gjatë futbollistëve me origjinë nga Kosova, e tani brezit të fëmijëve të emigrantëve nga Shqipëria. Po kjo, meritë e Dukës?