Ftesa e Kryemadhit për PD
dyshimi i demokratëve  

Ftesa e Kryemadhit për PD<br />dyshimi i demokratëve  
Marrëveshja politike Rama-Basha, e ‘ngjizur’ nën presionin e fortë amerikan, krijoi një situatë paradoksale në politikën Shqiptare. Dy forcat kryesore në opozitë, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë shumicën në qeverinë ‘Rama’. Por, ndonëse pjesë e qeverisë, PD dhe LSI, dikur pjesë e një koalicioni qeverisës, janë përfshirë në një betejë politike, për të marrë flamurin e opozitarizmit.

Megjithatë, krahas akuzave dhe kundërakuzave në distancë, për shkak të rolit të tyre në vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen e çmimit të ujit, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka përsëritur ftesën për Partinë Demokratike, për t’u bashkuar në një front opozitar kundër kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste. “LSI është e qartë dhe e vendosur në qëndrimin e saj kundër çdo përpjekje apo akti që dëmton qytetarët shqiptarë, pa asnjë kompromis apo pazar politik që gatuhet në zyrat e kryeministrit. Kështu që, është në nderin e PD të bashkohet me vullnetin tonë ose të mbetet peng i një marrëveshjeje të dyshimtë, shkatërruese e zgjedhjeve dhe e votës së shqiptarëve”, është shprehur Kryemadhi pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në datën 13 korrik, zonja Kryemadhi ftoi edhe një herë PD për t’u bashkuar në një front, për të ndalur kryeministrin Edi Rama.

“Ndaj të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë delirant që nuk njeh më kufizime. Sot më shumë se kurrë opozita duhet të jete e fortë dhe e bashkuar për ti treguar këtij kryeministri në delir se pushteti i pakufizuar dhe arroganca janë te papranueshme në demokraci, qoftë edhe në një demokraci të brishtë si e jona. Të gjithë së bashku duhet ta ndalojmë këtë revansh që u ble në 25 qershor me lekët e krimit dhe drogës. LSI do të vijojë çdo ditë dhe pa kompromis betejën e saj kundër instalimit të pushtetit mafioz. Të gjithë së bashku do ti japim përgjigjen që meriton arrogancës së pushtetit të blerë me paratë e krimit dhe drogës”, tha Kryemadhi.

Dyshimi i PD
Për dy vite me radhë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ushqeu me shpresë demokratët për një aleancë të mundshme parazgjedhore me LSI. Në funksion të këtij qëllimi, Basha dhe Berisha ndërprenë çdo sulm politik ndaj LSI dhe Ilir Metës, që pas rikthimit në skenë të çështjes CEZ-DIA. Edhe gjatë ditëve të çadrës, nuk munguan mesazhet e koduara të Bashës në adresë të LSI. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha ndryshuan radikalisht qëndrim pas paktit politik të 18 majit, duke nisur një ofensivë sulmesh ndaj LSI, duke përfshirë akuza dhe shkarkimin e njerëzve të saj, me anë të ministrave teknikë. Lufta politike u fashit me zyrtarizimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Madje, disa ditë pas rikonfirmimit të PS për një mandat të dytë qeverisës, LSI zuri në befasi Partinë Demokratike me anë të një ftesë për bashkëpunim. Një aleancë mes PD dhe LSI, maksimalizon shanset e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2021, por një ftesë e tillë ka krijuar dyshime në kampin e demokratëve. Demokratët e lexojnë ftesën e LSI si një lëvizje taktike për protagonizëm si dhe skenar për të marrë flamurin e opozitarizimit. Ndonëse në zgjedhjet e 25 Qershorit shqiptarët caktuan PD si partinë më të madhe në opozitë, me rreth 450 mijë vota, LSI pretendon se, ndryshe nga PD, do të bëjë një opozitës të fortë dhe pa kompromis.

Basha
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk ka një qëndrim sa i takon ftesës së LSI, por në një reagim të datës 27 korrik, ka artikuluar akuza në adresë të LSI dhe PDIU. “Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI. Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve. Loja e tyre vazhdon njësoj si më parë, vetëm se tani në role të reja. PD është e vetmja forcë në krah të njerëzve, por ne jemi të fortë dhe të vendosur për të luftuar për ta. Ne nuk do të ndalemi dhe nuk do të heshtim asnjëherë në mbrojtje të interesave të qytetarëve”, ka pohuar Basha.
 
 
Aleancat/ Kreshnik Çollaku: PD të ndjekë udhën e moralit
Kreu i Departamentit për Politikën e Jashtme në Partinë Demokratike, Kreshnik Çollaku, gjatë një prononcimi për Shqiptarja.com, shprehet se PD duhet të ndjekë udhën e moralit, ndërsa shton se është ende herët për të njësuar qëndrimet në një front opozitar me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Çollaku pohon se LSI ka nevojë që të realizojë një katarsis të vërtetë të vetes, të fitoje moralin dhe më pas mund të flitet për bashkërendim veprimesh. “Sigurisht nga sot sfida ngjan e përbashkët, por për të njësuar qëndrimet dhe bashkimin në një front është ende herët. LSI ka nevojë të realizojë një katarsis të vërtetë të vetes, të fitojë moralin e më pas mund të flitet për bashkërendim veprimesh, pasi opozitë të bën morali, jo taktika. PD, mes shumë vështirësish momentale ka misionin të zhvillojë dhe mbrojë opozitën e moralit, të vetmen rrugë që do ta çojë drejt suksesit.

Politika ka shumë taktika, por në thelb është moral. PD duhet të ndjekë udhën e moralit, të vetmen rrugë që ka sukses të garantuar”, shprehet Çollaku. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike thekson se PD dhe LSI sot ndodhen që të dyja në të kundërtën e qeverisë, por shton se LSI është përgjegjëse, shkaktare dhe bashkëpunëtore në keqqeverisje. “Ka një element të përbashkët sot mes PD dhe LSI dhe ky element është se ndodhen të dyja në të kundërt të qeverisë. Por, po ashtu ka disa elemente thellësisht të ndryshëm mes PD dhe LSI. LSI është përgjegjëse, shkaktare dhe bashkëpunëtore në krimin e keqqeverisjes së Rilindjes së Parë. Nuk ka hap të keqqeverisjes së Ramës në katër vitet e shkuara që nuk mban komplicitetin aktiv apo pasiv të LSI. LSI është rivale me PS. Rivaliteti PS-LSI është konjuktural. Ndërsa PD është e kundërta PS. Opozita e PD ndaj PS është morale, parimore, thelbësore, jo taktike”, shprehet Çollaku.
 
 
Astrit Patozi: Ikjet nga atdheu për mungesë shprese
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, është përfshirë në debatin rreth largimit të tenorit Agim Hushi. “Në reagimin e Agim Hushit ka doza të forta patetizmi, por ai, në fund të fundit, është i sinqertë. Ndaj e kam të vështirë për ta pranuar këtë agresivitet të pazakontë, me të cilin u përcoll largimi i tij nga Shqipëria. E cila me shumë gjasa, nuk ka për të qenë përfundimtare, pasi zakonisht njerëzit e artit shquhen për shfrime të tilla emocionale. Por me aq sa kuptoj, si ata qe derdhën atë duf urrejtjeje, edhe të tjerët që gati na e paraqitën si martir të vuajtjeve të kombit, janë më të ekzagjeruar se postimi i çiltër i Agim Hushit”, shkruan Patozi.

Deputeti i PD e lidh largimin e Hushit edhe me zgjedhjet në Partinë Demokratike. “Për të mos thënë pastaj, se çfarë i kanë parë sytë Agimit më 22 korrik, edhe nëse nuk ka qenë fare në Shqipëri, se fama e farsës së Lulzim Bashës i kapërceu disa fish kufijtë e atdheut. Në fakt, gjesti dëshpërues i Agimit, sipas meje, i përfshin të dyja, ndaj edhe përfundimi ka qenë ekstrem. Ikje masive ka vetëm atëherë kur mungon shpresa dhe atë nuk e ka vetëm në dorë vetëm pushteti, por po aq edhe opozita. Ndaj askush nuk duhet të çuditet e aq më pak të hidhet përpjetë, pavarësisht se mënyra e interpretimit të artistit ha shumë debat”, shkruan Patozi në rrjetin social Facebook.

Droga, Berisha ‘gjen’ se kush është ‘i madhi në Tiranë’
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas publikimit të përgjimeve mes trafikantëve të drogës, të cilët flasin për implikimin e një personi me pushtet në Tiranë. Berisha ka dhënë versionin e tij, se kush është ky personazh me pushtet. “Më i madhi në Tiranë është Noriega, të tjerët janë më të vegjël se ai! Të dashur miq, përgjimet e fundit të shërbimeve inteligjente, të trafikanteve të lumit të drogës që vërshon drejt Italisë, kanë zbuluar se ata, shuma të mëdha parash ndajnë me të "mëdhenjtë" pra me narko-çakot dhe me "më të madhin fare" në Tiranë, i cili është një dhe vetëm një; Noriega dhe vetëm Noriega!”, shkruan Berisha.

Për rastin konkret, Berisha nuk i referohet qytetarit dixhital, por bazohet në dyshimet e tij. Ish-kryeministri Sali Berisha vijoj me të njëjtin intensitet akuzat ndaj qeverisë ‘Rama’, duke iu referuar zjarreve apo radhëve në hyrjes doganore. Ndërkaq, kryeministri Edi Rama ka ndërprerë prej kohësh replikat me ish-kryeministrin Sali Berisha. Kryeministri ka avitur përplasjet edhe me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, i cili ka paralajmëruar prishjen e marrëveshjes politike. 

Redakisa Online
D.T/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!