Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është shprehur se aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën është një vendimmarrje e arsyeshme në përputhje me interesin kombëtar.

Komentet Hasani i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se ftesa e Presidentit amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama nuk është simbolike.

Hasani tha gjithashtu se nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, Shqipëria gjithmonë e më shumë shihet si një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.

“Në vlerësimin e iniciativës së Trump për Bordin e Paqes, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme është udhëhequr nga një parim që ‘paqja sot nuk ndërtohet me pritje, por me veprim dhe përgjegjësi’. Kur tragjedia humanitare në Gaza po tregon kufijtë e mekanizmave tradicionalë diplomatikë, çdo nismë që pretendon të krijojë hapësira dialogu duhet të mirëpritet.

Ftesa drejtuar Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes nuk është simbolike. Ajo reflekton rolin dhe peshën që Shqipëria ka ndërtuar në marrëdhëniet multilaterale si një vend i besueshëm. Shqipëria ka një histori unike të bashkëjetesës fetare, që është një kapital diplomatik real. Si vend pa bagazh historik konfliktesh apo interesa të drejtpërdrejta në zonat e konfliktit, Shqipëria gëzon një rol të veçantë si zë i pranueshëm dhe i balancuar në iniciativa paqeje.

Të qenit vend themelues i kësaj nisme ka një rëndësi të veçantë dhe kjo prani e hershme i jep mundësi Shqipërisë që të ndjekë nga afër zhvillimet që më herët. Prandaj Komisioni i Jashtëm vlerëson që aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes është një vendimmarrje e arsyeshme në përputhje me interesin kombëtar”, tha mes të tjerash Hasani.


Lajmi kryesor:

Aderimi në Bordin e Paqes, Rama-opozitës: Thatë se SHBA do më bënte gjyqin, por ju do më votoni mua si përfaqësues të paqes në Shtëpinë e Bardhë! Të hënën fjalim në parlamentin izraelit