TIRANË-  Duatrokitjet shoqëruan rezultatin e votimit për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Në seancën e posaçme të Kuvendit, shumica dhe opozita bashkuan votat duke ngritur 110 kartonë e duke i dhënë zyrtarisht dritën jeshile Shqipërisë për t’u ulur në krah të Shteteve të Bashkuara në këtë organizatë të re. 

Marrëveshjes i mungoi vota e Edi Ramës, i cili la seancën pasi mbajti fjalën e tij para deputetëve. Fjalimin në parlament, shefi i qeverisë e shfrytëzoi për t’i kthyer përgjigje deklaratave të opozitës mbi marrëdhëniet e tij me SHBA-të.

“Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë”, tha Rama referuar deklaratave se në të njëjtën formë që Maudo u arrestua në Venezuelë, ashtu do të jetë dhe fundi i Ramës, sipas PD-së.

Ardhja e Ramës në seancë i surprizoi jo pak deputetët. E sfiduan duke i kërkuar përgjigje përse nuk mori pjesë në samitin e Davos:

"Marrëveshjen e ka nënshkruar Osmani, sot në Davos me Trump dhe vendet themeluese sot në Davos. A mund ta dimë pse Rama është sot këtu dhe nuk është në Davos", tha Bardhi. 

“Duhet të bëja një zgjedhje ti përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën në Shqipëri dhe zgjodha vajzën Dhe natyrisht, që vajzën e zgjodha me lejen e babait", u tha Rama. 

Kryeministri Edi Rama njoftoi gjithashtu se të hënën e ardhshme do të mbajë një fjalim në parlamentin izraelit.

“Juve do ju dali fjala që non grata do hiqet në mars 2025. Vallahi ai që e ka marrë atë kuotë është i paarritshëm në të gjitha poshtërsitë, ligësitë që i ka bërë popullit shqiptar dhe thikat pas shpine që u ka ngulur të gjitha aleancave ndërkombëtare. Të hënën e ardhshme do i drejtohem Parlamentit të izraelit si kryeministër i Shqipërisë, por pa lejen e këtyre kuptohet, në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh Presidentit të SHBA-së”, tha Rama.

Pavarësisht votës pro, opozita kundërshtoi për disa orë procedurën e përshpejtuar të kalimit në parlament të marrëveshjes. Gazment Bardhi e lidhi këtë nxitim, me përdorimin politik:

Një përpjekje pati edhe për të ndryshuar tekstin e marrëveshjes përmes 3 amendamenteve, ku opozita kërkoi të fshihej emri i kryeministrit dhe të përcaktohej se Shqipëria të përfaqësohej nga Presidenti ose nga kryeministri vetëm me autorizimin e kreut të shtetit. 

Një autorizim që qeveria e kishte marrë që prej ditës së djeshme për nënshkrimin e marrëveshjes dhe përfaqësimin e Shqipërisë nga kryeministri. Amendamentet e Bardhit u rrëzuan.

Me votimin në parlament, tashmë marrëveshja duhet të dekretohet nga Presidenti Bajram Begaj, për të hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi i qeverisë

Autorizimi i Begajt për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes përmes Kryeministrit Rama
 
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:36
Votimi për Bordin e Paqes në Kuvend/ Bardhi: Rama e braktisi, përdori marrëveshjen për sulme politike ndaj opozitës

1766228520_gazmentbardhi.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka braktisur votimin për marrëveshjen e Bordit të Paqes gjatë seancës së sotme në Kuvend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Bardhi thekson se kush beson realisht te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk largohet nga salla e Kuvendit pa votuar.

Sipas tij, kryeministri e përdori marrëveshjen si instrument për sulme politike ndaj opozitës dhe për të krijuar përplasje me drejtësinë.

'Kush beson vërtet te një marrëveshje dhe te arkitekti i saj, ?? Presidenti Trump, nuk braktis votimin. Edi Rama e bëri. Ai nuk e votoi marrëveshjen! Iku nga seanca pa asnjë arsye shtetërore. Sepse Edi Rama jo vetëm që nuk e sheh dot me sy Donald Trump, por i duhej vetëm skena politike për të mbuluar dështimin e tij spektakolar me mungesën në Davos.

Rama e përdori marrëveshjen e Bordit të Paqes si skenë të urrejtjes politike kundër opozitës dhe si moment për të goditur dhe për tu dukur i fortë kundër SPAK-ut. U rreshtua si avokat i Erion Veliajt, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit, por jo si një shtetar i përgjegjshëm.

Ne ia dogjëm skemën perverse antiopozitë Edi Ramës. Ne e votuam me besim marrëveshjen dhe partneritetin me Presidentin e SHBA-së. Ai u zhduk nga Parlamenti pa votuar. Vullneti i vërtetë politik matet me votë, jo me fjalime patetike!’, shkruan Bardhi.

Ora 15:44
Me 110 vota pro, miratohet në Kuvend projektligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes! Opozita bashkoi votat me mazhorancën (VIDEO)

Kuvendi ka miratuar sot projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes me 110 vota pro, 0 kundër, 0 abstenim. Edhe opozita ka bashkuar kësaj radhe votat me mazhorancën. Në proçesin e votimit nuk mori pjesë deputeti Redi Muçi.

Ora 15:41
Marrëveshja për Bordin e Paqes/ Me 79 vota kundër, rrëzohet amendamenti i PD për heqjen emrit të Ramës! Bardhi: S’e zgjodhi Trump, por ushtari i tij Begaj

Partia Demokratike kundërshtoi vendosjen e emrit të kryeministrit Edi Rama në titull të marrëveshjes si përfaqësues nominal i shtetit në Bordin e Paqes dhe propozoi që Shqipëria të përfaqësohet nga Presidenti i Republikës ose, me autorizim të tij, nga Kryeministri.

Por ky amendim i propozuar nga kreu u grupit të PD, Gazment Bardhi u rrëzua me 79 vota kundër, 30 vota pro opozita dhe 0 abstenim. 

Në fjalën e tij, teksa prezantoi amendimin, Bardhi akuzoi Ramën se po e përdor për hallin e tij personal këtë iniciativë globale të presidentit amerikan. Bardhi tha se nuk ishte Donald Trump ai që përzgjodhi që Shqipëria të përfaqësohej nga Edi Rama në këtë iniciativë, por e përzgjodhi ushtari i tij, Begaj. 

“Kërkon të bëjë politikë të ulët me një akt që do duhet të ishte kombëtar dhe institucional. Ne do të votojmë pro marrëveshjes, por as ne dhe as titujt patetik të marrëveshjes së Shqipërisë, vendi i vetëm unik që po ratifikon një marrëveshje me emrin e një njeriu në hall, në titull. Rama po tregon se është në një hall të madh sa kohë përdor një iniciativë globale të SHBA që kërkon pjesëmarrjen e Shqipërisë në një organizëm të themeluar nga 22 vendet themeluese për të shënuar emrin e tij në të si kurrkush tjetër në botë. Nuk e ka përzgjedhur Trump, por e ka përzgjedhur ushtari tij Bajram Begaj. Vetëm një hall i madh e detyron amën të ndërmarrë një cirk të tillë, vendosja e Ramës në titull e ligjit nuk ia heq emrin as nga dosjet e zeza brenda dhe jashtë vendit”, tha Bardhi.

Ora 15:39
Masakra e 21 janarit/ Balla-Berishës: Pa u zbardhur përgjegjësia jote, PS nuk do të tërhiqet kurrë (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është drejtuar Sali Berishës në Kuvend, duke e akuzuar se ka përgjegjësi në ngjarjet e 21 janarit 

Ai theksoi se Partia Socialiste nuk do të tërhiqet pa u zbardhur plotësisht përgjegjësia e Berishës në atë ngjarje.

Sa i përket atyre kërcënimeve të tua, që ti do bësh hatanë me datë 24, unë do të ta kisha dhënë një përgjigje, por kam shumë respekt për kodin e etikës së Kuvendit. Një gjë nuk të kemi marrë ty në konsideratë, edhe kur na ke kërcënuar publikisht, që në atë dritare është një snajper që do të godasë në ballë këdo që do i afrohet Kryeministrisë. E ke thënë ti këtë apo jo? Ti ke dalë dhe pastaj më rezulton që je zbythur kur ke shkuar atje deponosh, se ke thënë që ti s’ke dhënë ndonjë urdhër për të qëlluar më 21 janar, por s’e di ç’ka bërë Luli.

Unë nuk di ç’ka thënë Luli, por një gjë duhet të dijë Sali Berisha. Këtë forcë politike dhe sa jemi ne këtu, pa e zbardhur përgjegjësinë tënde sa i përket urdhrave të vrasjeve të katër shqiptarëve më 21 janar nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje. Nuk ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me 4 dëshmorë, ose shumë të plagosur të tjerë, ka të bëjë me një prej ngjarjeve më të rëndave të këtij vendi. Në 1997 ti i dhe urdhër avionëve që të qëllonin mbi popullin e jugut dhe në 21 janar 2011 dhe urdhër që të qëllonin në Bulevard”, tha ai.

Ora 15:38
Bardhi: Shqipëria nuk e ka sot emrin tek shtetet themeluese të Bordit të Paqes prej Ramës! Nuk iku në Davos se po bënte avokatin e Ballukut

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi thekson se opozita mbështet marrëveshjet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, por refuzon të bëhet palë e arrogancës së Ramës, i cili përdor aleatët si mburojë politike për interesa personale.

“Opozita në kuvend nuk ka asnjë dilemën për marrëdhënien Shqipëri-SHBA. Çdo iniciativë që synon paqen do të ketë mbështetjen tonë. Ndryshe nga Rama, ne nuk i mbajmë marrëdhëniet strategjie peng të manovrave politike. Ne votojmë sot për marrëdhënien e Shqipërisë me aleatin dhe refuzojmë me neveri sesi Rama përdor shtetin dhe aleatin si mburojë politike. Të gjitha këto akrobaci me këtë urgjencë të stisur, ka vetëm një arsye, të mbulojë mungesën e Ramës nga Davos.

Ka dalë lista me shtetet themeluese, janë 22 shtete, është Kosova dhe mungon Shqipëria. E kishte lut dje Elisën ti fuste emrin në marrëveshje duke nxjerrë nevojën dëshpëruese që ka për tu dukur i rëndësishëm.  Si urgjenca e panevojshme e kësaj urgjence, pyetja është kjo ,pse sot kur liderët botërorë diskutojnë për paqen në Davos, Rama zgjedhja të jetë këtu si avokati i Veliajt, i Ergys Agasit dhe Ballukut”, tha Bardhi.

Ora 15:32
Berisha tha se Ishullin e Sazanit Fatos Nano ia ka ofruar Berlusconit, Balla: S’ka pasur kurrë një projekt të tillë, është mjeshtër i gënjeshtrës (VIDEO)

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka sulmuar kreun e PD Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e akuzuar për përhapje të gënjeshtrave dhe të pavërtetave.

Ai u ndal te fjalimi i Sali Berishës, i cili tha se ishullin e Sazanit ia ka ofruar Berlusconit, Fatos Nano. Balla tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi nuk ka pasur kurrë një projekt të tillë. 

‘Kur dëgjon dy folësit e fundit kupton qartë se me çfarë opozite kemi të bëjmë. I pari një i ri nga një forcë e re politike dhe tha mjekët në spitale nuk kanë marrë pagat e dhjetorit. Bëra një verifikim dhe nuk ekziston asnjë që nuk ka marr pagën. U çua këtu mjeshtri i gënjeshtrës dhe përmendi të ndjerin Fatos Nano për gjoja një projekt me Berlusconin për ishullin e Sazanit. Siç e ka zakon që të gënjej, por për Sazanin nuk ka pasur një bisedë të tillë. Ja pra dy njerëz me diferencë moshe dhe me të njëjtën sëmundje të pashërueshme të gënjeshtrës dhe të pavërtetës’, tha ai.

Ora 15:28
Muçi-opozitës: Ndizni flakadanë e bllokoni foltore, por halli i përbashkët ju bën të uleni me mazhorancën! Ramën nuk e shpëton nga drejtësia firma në Bordin e Paqes

Deputeti i partisë “Lëvizja Bashkë” në fjalën e tij në Kuvend, tha se Rama po përdor marrëveshjen e Bordit të Paqes që t’i shpëtuar drejtësisë. Ai iu drejtua dhe Partisë Demokratike për arsyen e bashkimit të votave me mazhorancën.

“Meqenëse para dy ditësh i theu  notën në sjellje ministrisë së Jashtme, a ka diskutuar kjo qeveri me shtete anëtare të Be për pasojat e aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes. Në kundër të atyre që duhej të ishte diskutuar sot, si shpjegohet ky vrull i madh i Ramë për t’i hyrë aventurave për u konsultuar më parë me partnerët evropiane. Përgjigja për çdo shqiptar, përgjigja ndodhet në skandalet korruptive që kanë kapluar qeverinë e Ramës, në kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut që ka pafytyrësinë të kapardiset në karrigen e zv,kryeministren, hakërrimin e dosjeve të SPAK, të iceneratorëve dhe parqeve teknologjike imagjinare. Ram e gënjen mendja se hedhja e një firmë në bordin e Paqes do të sigurojë paprekshmërinë e tij nga drejtësia.

Rama do të shpëtojë lëkurën e tij e tij, është gati të falë jo vetëm Sazanin e Svërnecin, është gati të falë mbarë Shqipërinë. Në Kuvend ka dhe një pyetje që kërkon përgjigje, si vallë do jua shpjegojë qytetarëve këtë bashkim votash me Ramën Berisha. Halli i përbashkët dhe Berishës është sistemi i ri i drejtësisë që ka mbështetjen e amerikanëve. Për aq sa bllokoni foltoren, ndizni flakadanët e përplaseni me gardistët që nuk iu kanë asnjë faj, halli i përbashkët ju ka ulur në ujdi për ndryshime kushtetuese”, tha Redi Muçi.

Ora 14:59
Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, Ardit Bido: Një kthesë historike, nuk shihemi më si periferia e diskutimeve globale

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, është shprehur se aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën është një kthesë e qartë historike për vendin tonë.

Komentet Bido i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se me aderimin në Bordin e Paqes, Shqipëria kalon nga periferia e diskutimeve globale, në qendrën e tryezës ku merren vendime që prekin paqen, sigurinë dhe të ardhmen e njerëzimit.

“Sot teksa flasim për rolin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, nuk po flasim thjesht për një moment protokollar, as për një ftesë që zbukuron agjendën diplomatike të një vendi të vogël, por për një kthesë të qartë historike, ku Shqipëria kalon nga periferia e diskutimeve globale, në qendrën e tryezës ku merren vendime që prekin paqen, sigurinë dhe të ardhmen e njerëzimit.

Ftesa për t’ju bashkuar Bordit të Paqes është një njohje e drejtpërdrejtë ndërkombëtare e besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë të Shqipërisë si aktor politik”, tha mes të tjerash Bido.

Ora 13:55
“Proces i nxituar për aderimin në Bordin e Paqes”- Xhaçka i përgjigjet opozitës: Ajo që po ratifikojmë sot s’është Statuti apo rregullat funksionale, por karta themeluese

Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend, të cilët thanë se miratimi në Kuvend i aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ishte një proces i nxituar.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka ka thënë se nuk po miratohet Statuti apo rregullat funksionale të Bordit të Paqes, por vetëm karta themeluese e organizatës.

Ajo shtoi gjithashtu se ratifikimi i kartës themeluese të Bordit të Paqes në këtë fazë të hershme, i jep Shqipërisë të drejtën për të qenë pjesë e procesit themelues dhe për të kontribuar në hartimin e rregullave të brendshme.

“Ratifikimi i marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në kartën e bordit të paqes përfaqëson një moment politik dhe diplomatik të një rëndësie të veçantë. Kjo është një njohje e drejtpërdrejtë ndërkombëtare, për rolin konstruktiv që Shqipëria ka ndërtuar prej vitesh në fushën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit global.

Disa janë shqetësuar se Shqipëria po përfshihet në konflikte që nuk janë të sajat. Shqipëria nuk po futet në asnjë konflikt, por po angazhohet në ndërtimin e paqes në përputhje me të drejtën dërkombëtare. Karta e Bordit garanton qartazi sovranitetin e shteteve anëtare dhe përjashton çdo detyrim pa pëlqimin e shprehur të shteteve.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita lidhet me shpejtësinë e procedurës së ratifikimit. Ajo që po ratifikojmë sot nuk është statuti apo rregullat funksionale, por është karta themeluese, që krijon vetë organizatën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare. Pa ratifikimin e kartës, organizata nuk ekziston juridikisht.

Pikërisht ratifikimi në këtë fazë, i jep Shqipërisë të drejtën për të qenë pjesë e procesit themelues, për të kontribuar potencialisht edhe në hartimin e rregullave të brendshme. Pra nuk kemi të bëjmë me nxitim të pajustifikuar, po me vendimmarrje në kohën e duhur, për të qenë brenda tryezës dhe jo jashtë saj. Në diplomaci nuk fiton ai që heziton më shumë, por ai që merr përgjegjësi në kohën e duhur. Sot po miratojmë një marrëveshje që nuk sjell kosto për buxhetin e shtetit”, tha mes të tjerash Xhaçka.

Ora 13:44
“Çojeni në SPAK ushtrinë amerikane që s’më kapën me helikopter”- Rama ironizon PD: Thatë se do ju merrja shqiptarëve 1 miliardë dollarë për Bordin e Paqes, por SHBA-të nuk shiten dhe blihen si mendoni ju

Edi Rama ka ironizuar deklaratat e opozitës, ku një pjesë e përfaqësuesve të saj thoshin se ushtria amerikane do e merrte kryeministrin shqiptar me helikopter si diktatorin e Venezuelës, Nicolas Maduron.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke qenë se diçka e tillë nuk ndodhi, Rama me ironi i kërkoi opozitës ta çojë në SPAK ushtrinë amerikane.

Po ashtu Rama tha se opozita gënjeu kur ngriti akuza se do të merreshin 1 miliardë dollarë nga taksat e Shqiptarëve, vetëm që Shqipëria të bëhej pjesë e Bordit të Paqes për Gazën.

Sipas Ramës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të shiten dhe blihen ashtu siç sipas tij mendon dhe pretendon opozita. Shefi i qeverisë shtoi se opozita lobon në SHBA për të pastruar imazhin e vet të godiut nga 'non grata' ndaj Berishës, por që sipas Ramës nuk mund të pastrohet.

“Çojeni në SPAK se tani që ushtria amerikane e anuloi hyrjen me helikopter në Kryeministri, SPAK është stacioni i fundit i rrugës tuaj për pushtet. Unë nervoz? Unë kam pasionin e atij që sheh sesi të gjitha kurthet në pyll janë plotë... Por për ato kurthe duhet durim. Prandaj sa më shumë më thoni Ramaduro, unë aq më shumë e dëgjoj Rama duro se këtë punë ke me këta. Prandaj hiqeni Ramaduro se më shtoni durimin. Mua më ka ardhur radha aq herë sa edhe ata 5 mijë veta që ju vinin, janë bërë tani si lekët e vjetra. Por ju fituat edhe për një arsye tjetër. Ju ndalët pushtimin e Shqipërisë nga palestinezët.

Se denoncuat një komplot në kurriz të shqiptarëve, se bashkë me 1 miliardë që do merrja unë nga taksat për të shkuar atje, se ju kujtoni se Amerika blihet siç doni ta blini ju me ato milionat tuaja që u’a japin patriotët. Sepse janë disa patriotë atje që shesin hamburger dhe ju japin juve para që të shpëlani atë që nuk shpëlahet.

Ju duhet ta çoni në SPAK projektin e kampusit të Universitetit të Durrësit. Një kokë e madhe nga ana juaj tha se po bëhet kampusi i universitetit të Durrësit për të sjellë palestinezët. Luli iku, por 7x7 mbeti. Matematika edhe kur bëni llogari të eksportit ajo është. Tani çojini SPAK dhe kërkojuni urgjent ata që paguat në Amerikë. Ore ai Latif magjistari ku është? I thoni që të gjitha këto denoncimet t’ja çojë atij kongresmenit t’i lexojë atje”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 13:36
FOTOLAJM/ Pas fjalimit në Kuvend Rama ironizon opozitën me dy gishtat lart

Edi Rama duke u larguar nga salla e Kuvendit

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar me një akt të fundit opozitën në seancën e sotme, teksa përshëndeti me dy gishtat lart para se të largohej nga salla e Kuvendit.

Kuvendi është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Ora 13:26
'Veliaj në burg pa prova'! Rama-PD: SPAK është kthyer në stacionin tuaj të fundit të shpresës për pushtet (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me ironi opozitës në Kuvend, ku tha se SPAK është bërë stacioni i fundit i shpresës për pushtet nga ana e saj.

Rama tha se kryebashkiuaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në burg, pa prova.

"SPAK është bërë si sportel. Ka qenë një sportel pas Kryeministrisë kur bënim stërvitje dhe aty liheshin; letrat nga populli. Kështu është bërë SPAK. Dhe Tony Blair ekeni çuar në SPAK. Nuk doli gjë. Tani çoni prapë Tony Blari se kush e di del ndonjë provë si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin për të cilin janë shkruar tre volume. SPAK është stacioni i fundit i rrugës së shpresës së tuaj për pushtet.", theksoi kryeministri Edi Rama.

Ora 13:24
Rama: Një kuotë kemi në Kuvend për non grata, ajo është zënë me meritë nga Sali Berisha

Kryeministri Edi Rama është shprehur se të hënën e ardhshme do i drejtohet Parlamentit të Izraelit si kryeministër i Shqipërisë, në formatin si iu drejtua Presidenti Donald Trump më herët. Ky sipas Ramës është një nder i madh për të, pasi është një format shumë i veçantë, që pak liderë botërorë kanë pasur fatin të priten në atë mënyrë në Izrael.

Rama gjithashtu ka përmendur dhe shpalljen non grata të Berishës nga Shtetet e Bashkuar duke thënë se ajo kuotë e vetme, është zënë me meritë. 

“Ai kongresmeni dhe Kongresi Amerikan kanë po aq lidhje sa kishin amendamentet e Nard Ndokës me projektligjet e PS. Për parlamentin e Shqipërisë ka vetëm një kuotë për non grata dhe ajo është e zënë me meritë. Juve do ju dali fjala që non grata do hiqet në mars 2025. Vallahi ai që e ka marrë atë kuotë është i paarritshëm në të gjitha poshtërsitë, ligësitë që i ka bërë popullit shqiptar dhe thikat pas shpine që u ka ngulur të gjitha aleancave ndërkombëtare. Të hënën e ardhshme do i drejtohem Parlamentit të izraelit si kryeministër i Shqipërisë, por pa lejen e këtyre kuptohet, në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh Presidentit të SHBA-së”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 13:14
'Do t’i dorëzohem vetë ushtrisë amerikane', Rama ironi me opozitën: Anëtarësimin në Bordin e Paqes do e firmos në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet e opozitës, për krisje të marrëdhënieve mes SHBA dhe qeverisë shqiptare. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama u shpreh se me votat edhe të opozitës, ai do përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.

Rama tha se firmosjen për anëtarësimin në Bordin e Paqes, do e bëjë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është vëret po të ardhur keq, po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësi të deklaronit fitoren tuaj më domethënëse. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin, e ëndërruar prej jush, për t’u kthyer ju në ato karrige, ku nuk do të ktheheni kurrë, po nuk dolët nga poshtë karriget, ku qëndrojnë hije rënda, të ndënjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë në datën 20 janar, për t’u parqitur në prokurorinë federale. Madje ju e vulosët fitoren, kur festuat kërrimit me forcë të Madorus nga shtëpia e tij në Karakas, dhe ju thatë shqiptarëve se ajo ishte provë gjenerale e ushtrisë amerikane, për rrëmbimin e Ramaduros. Mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar një xhuljetë të vetme. Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja. Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Ju prisni të fitonit me helikopter të ushtrisë amerikane, dhe nuk prisnit që të dorëzohesha vetë. Në fillim thatë nuk ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë.", theksoi ai.

Ora 13:09
Rama: Dikur Shqipëria ishull me deputetë e kryeministër si turistë, sot u kemi hequr popullit sëkëlldinë e emrit të keq

Kryeministri Edi Rama në Kuvend referuar aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, ka folur dhe njëherë për përparimin e Shqipërisë, sidomos në arenën ndërkombëtare.

“Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë të cilin Shqipërisë në radhe të parë, kësaj shumice qeverisëse, dhe sigurisht krejt kuvendit, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes. Ne shumica kuvendore, për 3 mandate të plota e kemi bërë zëdhënësin dhe punëtorin ne paqes në këtë rajon të trazuar dhe kur është komentuar deri dhe si tradhti, një etiketë që është provë vendimtare e paqedashës. Ne e kemi çuar Shqipërinë deri në krye të OSBE-së apo në tryezën e OKB ku kemi nderuar flamurin, një dekadë më parë vendi ishte një ishull që dilte në radari ne botës për lajme të këqija dhe shqiptarët ishin si përfaqësues të atij ishulli. Sot ai ishull ku numëroheshin si turistë deputetët e kryeministri që ktheje nga jashtë shteti, është një tjetër Shqipëri ,e rritje të turizmit, me aeroportin me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Evropë dhe i pari në rajon.

Kjo Shqipëri tjetër u ka hequr shqiptarëve sëkëlldinë emrin e keq, që pas shumë vitesh, në Evropë e shqiptojnë me kokën lart. Prej disa vitesh ftohet personalisht nga SHBA për tu bërë anëtar themelues i Bordit të Paqes. Ky është një nder i veçantë dhe kjo është një tjetër mundësi për të dhënë kontribut për paqen jo se pa ne nuk zgjidhen konflikte të vende të tjera të botës”, tha Rama.

Ora 12:54
Debat mes Ballës dhe Igli Hasanit në Komisionin e Jashtëm: Taulant pusho tani, më lër të vazhdoj unë këtu (VIDEO)

 

Në Komisionin e Jashtëm, ka pasur dhe një përplasje mes kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe drejtuesin e komisionit Igli Hasani.

Teksa Hasani po hapte votimin, Balla i ndërpreu fjalën duke iu drejtuar Shehajt, i cili u ngrit në këmbë për tu larguar. Në këtë moment Hasani ndërhyri duke ngritur zërin dhe duke i kërkuar Ballës që të ndalonte dhe t’i lejonte të vazhdonte me drejtimin.

Hasani: Le të fillojmë procesin e votimit

Balla – Shehajt: Hë mo nuk do të votosh ti? Ulu voto

Hasani: Taulant të lutëm tani. Më lër të vazhdoj ta bëj këtë. Rri të vazhdojmë. Nuk do të ulet, lerë të iki.

Balla: Qetësohu

Ora 12:54
“Ftesa e Trump për Ramën nuk është simbolike”- Igli Hasani për aderimin e vendit në Bordin e Paqes për Gazën: Shqipëria shihet si partner i besueshëm!

Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, është shprehur se aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën është një vendimmarrje e arsyeshme në përputhje me interesin kombëtar.

Komentet Hasani i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se ftesa e Presidentit amerikan Donald Trump për kryeministrin Edi Rama nuk është simbolike.

Hasani tha gjithashtu se nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, Shqipëria gjithmonë e më shumë shihet si një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.

“Në vlerësimin e iniciativës së Trump për Bordin e Paqes, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme është udhëhequr nga një parim që ‘paqja sot nuk ndërtohet me pritje, por me veprim dhe përgjegjësi’. Kur tragjedia humanitare në Gaza po tregon kufijtë e mekanizmave tradicionalë diplomatikë, çdo nismë që pretendon të krijojë hapësira dialogu duhet të mirëpritet.

Ftesa drejtuar Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes nuk është simbolike. Ajo reflekton rolin dhe peshën që Shqipëria ka ndërtuar në marrëdhëniet multilaterale si një vend i besueshëm. Shqipëria ka një histori unike të bashkëjetesës fetare, që është një kapital diplomatik real. Si vend pa bagazh historik konfliktesh apo interesa të drejtpërdrejta në zonat e konfliktit, Shqipëria gëzon një rol të veçantë si zë i pranueshëm dhe i balancuar në iniciativa paqeje.

Të qenit vend themelues i kësaj nisme ka një rëndësi të veçantë dhe kjo prani e hershme i jep mundësi Shqipërisë që të ndjekë nga afër zhvillimet që më herët. Prandaj Komisioni i Jashtëm vlerëson që aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes është një vendimmarrje e arsyeshme në përputhje me interesin kombëtar”, tha mes të tjerash Hasani.

Ora 12:41
Bordi i Paqes për Gazën/ Spiropali: Ftesa për Shqipërinë, nder dhe përgjegjësi! Pjesëmarrja e vendit nuk sjell kosto apo cënim të sovranitetit

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali e ka cilësuar si nder, por edhe përgjegjësi shtetërore ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Shqipëria të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali u shpreh se Shqipëria ka treguar se është partner strategjik i SHBA-ve.

Spiropali shtoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, nuk sjell kosto për vendin, apo cënim të sovranitetit.

“Jam këtu për të folur për një moment që ka peshë për mënyrën sesi Shqipëria po shihet në botë. Trump i ka dërguar kryreministrit Edi Rama një ftesë që nuk është e zakonshme. Jo për të marrë pjesë formalisht, por për të qenë aty që në fillim të një mekanizmi. Kjo është çështje e shtetit shqiptar. Është normale që këtë sallë kemi dallime politike, normale nuk është ajo që dëgjuam para pak, por ka momente kur këto dallime nuk na ndihmojnë. Sot, Shqipëria ka nevojë për maturi e unitet. Ky vendim do të mbetet në kohë. Shqipëria e pranoi këtë ftesë si përgjegjësi shtetërore për paqen. SHBA kanë zgjedhur të provojnë një qasje të re, kërkon përgjegjësi reale nga ata që ulen në tryezë. Sot nuk ka rëndësi sa i madh je në hartë. Shqipëria e ka ndërtuar këtë besueshmëri. Nuk ka ardhur vetvetiu, por nga partneriteti strategjik me SHBA. Politika e jashtme shqiptare ka pasur vazhdimësi, kjo ftesë nuk është surprizë, por nuk duhet marrë si e mirëqenë. Për vite me radhë, është thënë se Shqipëria nuk pyetet, se kryeministri nuk ka peshë. Vendet e vogla bëhen të rëndësishme nga besimi që krijojnë. Sot, Shqipëria ka marrëdhënie të drejtpërdrejta edhe me vendet kyçe të Lindjes së Mesme, Izraelin apo vendet e botës arabe. Kjo është arsyesja pse Shqipëria nuk është vetëm pjesëmarrëse, por edhe anëtare themeluese.

Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete, me përkrahje të pakursyer. Kam dëgjuar pyetje, se Shqipëria pranon Bordin e Paqes, a është kjo një largim nga BE. Shqipëria nuk po zgjedh midis aleancave. Anëtarësimi në BE mbetet vokacioni ynë kombëtar, nuk negociohet dhe nuk zëvendësohet nga asnjë mekanizëm tjetër. Politika e jashtme është ndërtuar edhe me partneritetin strategjk me SHBA. Bordi i Paqes nuk është alternativë ndaj BE. Shqipëria hyn aty për të kontribuar. Ne nuk largohemi nga Europa, por sillemi si vend europian. Republika e Kosovës ka marrë ftesën, kjo nuk është rastësi dhe shumë mirë, e ka nënshkruar sot. Nuk konkurrojmë mes nesh, plotësojmë njëra-tjetrën. Kosova si shtet i ri, por me rol të qartë në stabilitetin rajonal. Në publik kanë qarkulluar pyetje por edhe zhurmë e panevojshme. Shqipëria në Bordin e Paqes, kjo nuk sjell kosto të papërballueshme, nuk cënon sovranitetin e vendit. Ky nuk është vetëm nder, por përgjegjësi shtetërore. Ky Kuvend sot ka një rol shumë të qartë, të dërgojë një mesazh se për çështje të mëdha, Shqipëria sillet si shtet. Ky mesazh dërgohet kudo, në Uashington, në Bruksel. Ky vendim na bën më të qartë, më të dëgjueshëm. Sot, nuk po ju ftoj të votoni për një marrëveshje, por për seriozitetin e Shqipërisë si partner, si aleat.  Ky është votim që i bën nder të gjithëve", theksoi ajo.

Ora 12:40
Shqipëria në Bordin e Paqes/ Shehaj: Po e përdorni marrëveshjen për t’i shpëtuar drejtësisë! Kapri: Po detyrohemi të votojmë Ramën si përfaqësues nominal

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ngre si pikëpyetje përdorimin e marrëveshjes për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për të shpëtuar nga drejtësia Belinda Ballukun.

Agron Shehaj: Kjo urgjenca e madhe për një çështje që jemi të gjithë dakord dhe ajo që nuk kuptohet është pse po përdoret kjo marrëveshje, kjo ftesë gjoja për Ramën, por në fakt është për Shqipërinë, po përdoret për ti shpëtuar drejtësisë. Për të shantazhuar dhe për të ndikuar vendimin historik të Gjykta Kushtetuese, që duhet të vendosë nëse një pushtet, zvkryeministja apo çdo ministër, nëse kapet duke vjedhur, duke abuzuar me fondet, duhet të pezullohet nga detyra, mos vallë kjo po përdoret për ti shpëtuar drejtësisë.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, shprehet kundër përdorimit të kryeministrit Edi Rama si përfaqësues i Shqipërisë, kërkesë kjo e opozitës që u hodh poshtë në Komisionin e Jashtëm. Kapri thotë se kush do ta përfaqësojë Shqipërinë nëse Trump një ditë do të thotë që nuk kërkoj kryeministrin e Shqipërisë të marrë pjesë në mbledhjet e bordit.

Erald Kapri: Duke përfituar dhe nga rasti që kemi kryeministrin në sallë dhe po detyrohemi të miratojmë një projektligj duke pasur emrin nominal të kryeministrit për të përfaqësuar vendin. Dua mendimin e Ramës nëse është krenar sot që Osmani ndodhet në nënshkrimin e bordit të Paqes dhe përse Rama nuk ndodhet në Davos se ka qenë nga të parët në botë që ka publikuar ftesën dhe gënjyer se ka qenë ftesë personale. Nga Balla është që Shqipëria është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ka marrë këtë ftesë.

Sot Trump tha nda Davos që mes disa liderëve ka disa që unë nuk i duroj dot. Pyetja është kjo, na detyrohemi të votojmë këtu që ju të përfaqësonin nominalisht Shqipërisë, nëse Trump thotë që  unë nuk kërkoj kryeministrin të vijë në mbledhjet e organizatës, si do ja bëjmë?

Pavarësisht kundërshtive për emrin e kryeministrit Edi Rama si përfaqësues i Shqipërisë dhe kalimit me votim me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes, opozita nuk shprehet kundër këtij projektligji.

Ora 12:27
Rama: Nuk shkova në Davos se zgjodha ftesën e Ivanka Trump, i mora leje presidentit të SHBA-së

Kryeministri Edi Rama tha se u detyrua të bënte një zgjedhje mes ftesës së Trump për të firmosur në Davos dhe vajzës së tij Ivanka Trump, e cila ndodhet në Vlorë. Rama tha se zgjodhi Ivanka Trump dhe kjo me lejen e babait të saj.

“Duhet të bëja një zgjedhje ti përgjigjesha ftesës së babait apo të mikprisja vajzën në Shqipëri dhe zgjodha vajzën

Dhe natyrisht, që vajzën e zgjodha me lejen e babait. E dyta, duke qenë se Mediu është ura që lidh Amerikën me rrugën e shpresës prisja nga Mediu që të hidhet poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës por ska problem se nuk shohim ne asnjë arsye për të parë divergjenca të tilla, kështu që Mediu rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që na kanë ftuar dhe ne s’na ka ardhur koha të analizojmë ata që na ftojnë”, tha Rama.

Ora 12:27
“Në Bordin e Paqes u ftua Putin”- Mediu në Kuvend: Të bëhej një analizë për efektet e kësaj organizate te Kosova

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kërkoi një analizë sesi do të ndikojë Bordi i Paqes për Gazën te interesi i shqiptarëve në rajon, kryesisht për çështjen e Kosovës.

Komentet Mediu i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku tha se ajo çfarë do të ndodhë në Gaza mund të krijojë një precedent më të gjerë në vende të ndryshme të botës.

Mediu gjithashtu shprehu dakordësinë e tij 100% për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, pavarësisht se sipas tij, analiza që ai propozoi ishte e nevojshme.

“Ka një politikë Shqipëria, padyshim në kuadër të NATO-s dhe të BE0-së. Dhe disa vende të BE dhe jashtë BE, kryesisht Britania e Madhe sot ka shprehur një shqetësim për një analizë më të thellë në raport me Bordin e Paqes, për faktin sepse kjo ftesë i është adresuar edhe Presidentit të Rusisë Putin. Dhe duke e parë se ajo çfarë do të zhvillohet në Gaza mund të krijojë një precedent më të gjerë. Dhe brenda këtij konteksti a ka ndonjë analizë nga qeveria, ose nëse ka ndonjë Këshill të Sigurisë Kombëtare më Shqipëria, pikërisht mbi elementë të mundshëm që mund të afektojnë interesa jo vetëm shqiptare në Shqipëri, por edhe të shqiptarëve në rajon. E them këtë sepse mund të bëhemi anëtar të këtij Bordi Paqeje, por pesha dhe relevanca jonë është krejt irrelative në raport me vendimmarrjet. Duke qenë dakord 100% që të jemi në Bordin e Paqes, mendoj se do ishte e vlefshme edhe një analizë për efektet që mund të ketë ky bord paqejë për çështje akoma pending dhe në mënyrë të veçantë për raportet që ka Kosova”, tha Mediu.

Ora 12:20
Bardhi: A keni nënshkruar marrëveshjen për Bordin e Paqes? Pse Rama është në Kuvend dhe jo krah Trump e Osmanit

Seanca në Kuvend për miratimin e marrëveshjes për adresimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes po zhvillohet me debate. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi pyeti nëse Rama e ka nënshkruar marrëveshjen në mënyrë që sot ta ratifikojë Kuvendi. Bardhi pyeti se përse Rama është sot në sallën plenare dhe jo në Davos krah Trump dhe Vjosa Osmanit.

“Siç tregojnë dokumentet që janë vënë në dispozivion deputetëve të Kuvendit ne përputhje me kushtetutën dhe ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, është bërë miratimi në parim i kësaj marrëveshje. përmes autorizimit 224/1, presidenti i Republikës që është i vetmi autoritet që nënshkruan marrëveshje sipas Kushtetutës në emër të republikës së Shqipërisë, ka autorizuar ramë të nënshkruajë marrëveshjen. Pyetja ime është a e ka nënshkruar marrëveshjen kryeministri? Se Kuvendi futet në procedurë pasi kryeministri të këtë nënshkruar marrëveshjen. Marrëveshjen e ka nënshkruar Osmani, sot në Davos me Trump dhe vendet themeluese sot në Davos. A mund ta dimë pse Rama është sot këtu dhe nuk është në Davos. E kuptojmë që nuk shkonte dot ta nënshkruante se nuk e kanë pranuar. Pse Kosova është sot në Davos me iniciuesin e Bordit të Paqes, ndërsa lideri juaj është sot këtu me Taulantin, Belindën dhe me shokë”, tha Bardhi.

Ora 12:13
Ratifikimi i marrëveshjes për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, kryeministri Rama i bashkohet seancës

1769080425_Screenshot67.jpg

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në seancën plenare ku do të miratohet marrëveshja për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. Krah tij qëndron e ulur zv.kryeministja Belinda Balluku ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca për pezullimin e saj nga detyra me urdhër të GJKKO-së. 

Ora 12:01
Miratohet projektligji për Bordin e Paqes në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, si u ndanë votat mes deputetëve

 

Është miratuar me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes për Gazën, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit.

Nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim gjatë votimit të këtij projektligji.

Po ashtu mësohet se miratimi i këtij projektligji u bë sipas variantit të propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Projektligji pritet të marrë edhe miratimin e Parlamentit, në mënyrë që t'i hapet rruga aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Ora 11:35
Aderimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes/ PD dorëzon amendamentin: Të hiqet emri i Ramës, vini emrin e Bajram Begajt

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku ka siguruar amendamentet e depozituara në Kuvend nga Partia Demokratike për ndryshime në projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes. 

Në amendamentet që ka propozuar opozita, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi shkruan se “Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë”.Ai ka propozuar që Shqipëria në këtë institucion të përfaqësohet nga Presidenti i vendit dhe vetëm me autorizim të këtij të fundit nga Kryeministri.

"Republika e Shqipërisë në organizata ndërkombëtare përfaqësohet nga institucione, dhe jo nga individë. Për këtë qëllim, referimi duhet të bëhet tek institucioni dhe jo tek individët. Është e paprecedent në historinë e Shqipërisë dhe të së drejtës ndërkombëtare, aderimi apo pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk ndodh kurrë që të bëhet me emra konkretë", thuhet në amendament.

PD propozon:

Amendament 1:

Titulli të riformulohet:

“Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Pages.” Këtu PD kërkon që nga titulli të hiqet “kryeministri Edi Rama”

Amendament 2:

Neni 1 ndryshohet si vijon:

“Ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, në Kartën e Bordit të Pages, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.”

Amendament 3:

Pas nenit 1, shtohet neni 2, me këtë përmbajtje:

“Në përputhje me nenin 2.2, shkronja ‘a’ e Kartës së Bordit të Pages, Republika e Shqipërisë do të përfaqësohet në Bordin e Pages nga Presidenti i Republikës ose, me autorizim të tij, nga Kryeministri.”

(Kliko këtu për të lexuar dekumentin e plotë)

Ora 11:14
‘Shkresa e Këshillit të Ministrave për Bordin e Paqes pa firmë e vulë’, Peleshi hedh poshtë pretendimet e Bardhit: E ka firmosur dhe vulosur Edi Rama dhe Spiropali

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka pretenduar se shkresa e Këshillit të Ministrave lidhur me propozimim për miratimin e projektligjit për Aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, është pa firmën e kryeministrit dhe pa vulë.

“Për t’u kthyer te kërkesa jua, ke 2 kërkesa zoti kryetar, e para ke kërkesën e Këshillit të Ministrave e cila duhet të dorëzohet më para se kërkesa e Grupit Parlamentar të PS. Se kta nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një projektligj që nuk ka ardhur në Kuvend. Edhe dokumentin e kanë sjellë pa firmë, se kaq serioz jeni ju. Nuk është as firma e kryeministrit dhe as firma e ministres së Jashtme”, tha Bardhi.

Ndërkohë ky pretendim i Bardhit është hedhur menjëherë poshtë pasi siç shihet dhe nga shkresa e publikuar, të cilën dhe kryetari i Kuvendit ia paraqiti pas ai mbaroi fjalën, dokumenti është i firmosur nga Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Spiropali.

Ora 10:43
Kushtetuesja seancë për pezullimin e Ballukut, zv.kryeministrja në sallë! Shehaj: Dua provat e SPAK! Ajo është ulur aty edhe po tallet

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në fjalën e tij kërkoi t’i vihen në dispozicion provat e SPAK të depozituara në Kuvend, në bazë të të cilave kërkohet arrestimi i Belinda Ballukut. Kjo e fundit ndodhet në sallë ndërsa në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet çështja e pezullimit të zv.kryeministres nga detyra me vendim të GJKKO-së.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, nuk e ka lejuar Shehajn për të vijuar fjalën e tij.

“Ndërkohë që ne flasim, po ndodh diçka historike në Gjykatën Kushtetuese. Në Gjykatën Kushtetuese... Prokuroria i është drejtuar deputetëve për heqjen e imunitetit të zonjës që është ulur aty se do ta arrestojë. Ne si përfaqësues të Partisë Mundësia na është mohuar e drejta për të pasur provat mbi të cilat prokuroria kërkon arrestimin e asaj që është ulur aty që po qesh dhe tallet...”, tha Shehaj.

Ora 10:39
'Nuk u respektua rregullorja'! Seanca për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, Balla-Bardhit: Po bën teatër, ke propozuar amendamente

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka replikuar me Gazment Bardhin në Kuvend, i cili tha se nuk është respektuar rregullorja për të thirru seancë të jashtëzakonshme, për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Balla tha se Bardhi po bënte teatër me deklaratat e tij dhe se vetë ai kishte propozuar amendamente.

“Kam përpara një kërkesë, të firmosur nga deputeti që sapo foli, i cili për këtë shkeljen që kemi sjellë ne, ka propozuar amendamente. Ndryshe themi, ndryshe bëjmë. Çfarë të bëjmë ne të shkretët, çfarë na ka gjetur ne me ju. Sa i përket kësaj kërkesës, padyshim që në komisionin e jashtëm do të shqyrtohen, pra e kemi tejkaluar fazën e procedurës sepse na kanë ardhur amendamente. Kështu që këtë teatrin me këto deklaratat, se gjoja na ke gjetur zgjidhje procedurale, e para që ta dish kur bëhet fjalë për angazhim ndërkombëtar dhe pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare, institucioni i Presidentit të Republikës është përfshirë sepse brenda të gjithë dosjes përkatëse do keni dhe plotfuqishmëritë apo autorizimet e Presidentit të Republikës . Që ta dini, se ju ka shpëtuar. Gjeje, shko në komision pyet përfaqësuesit e qeverisë. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit për të mos humbur kohë, ju lutem të kalojmë në votim kërkesën tonë. Shqipëria dhe kryeministri nuk ka kohë për të humbur për të marrë detyrat që burojnë nga kjo kartë në Bordin e Paqes”, theksoi ai.

Ora 10:37
Bardhi në Kuvend: PD pro aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por duhet ta bëjmë sipas rregullores!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se PD është pro aderimit të Shqipërisë në bordin e paqes për Gazën, por sipas tij, kjo duhet të bëhet sipas rregullores së Parlamentit.

Komentet Bardhi i bëri gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku pretendoi se deputetët e opozitës janë njoftuar shumë vonë për seancën e sotme plenare dhe sipas tij nuk është koha e mjaftueshme për shqyrtimin e këtij projektligji.

Bardhi tha gjithashtu se Partisë Socialiste i duhej me urgjencë miratimi në Kuvend i Aderimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, pasi sipas tij, i nevojitej pak zhurmë për të hequr vëmendjen nga skandalet e zv.kryeministres Belinda Balluku.

“Shqiptarët e dëgjuan hartimin e kolegut parafolës, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për ta përmbyllur këtë process sot. Në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsye dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi hitorike. Kolegët duhet ta votojnë brenda 12 orëve pasi ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Duhet të kërkoni ndjesë, pasi ky që keni në krye e ka konsideruar Presidentin Trumpo, i cili po vëndos paqe në të gjitha vendet e botës, si turpi i njerëzimit. Ka qenë Edi Rama i vetmi lider botëror që i është drejtuar presidentit të SHBA-ve me termin që përcakton turpin e njerëzimit.

Një deklaratë që vë në rrezik sigurinë dhe marrëdhëniet strategjike mes popullit shqiptar, Shqipërisë dhe Kosovës, me SHBA-të. Ne ndihemi krenar për marrëdhëniet që kombi shqiptar ka me SHBA-të. Prandaj edhe ftesa e Trump i është drejtuar Shqipërisë dhe Kosovës. Prandaj parafolësi duhet të kërkonte edhe një tjetër ndjesë, që herën e kaluar u ngrit këtu dhe bëri propagandë sikur ai që i ka thënë Presidentit Trump ‘turp i njerëzimit’ ishte i vetmi lider në Ballkan që ishte ftuar të bëhej pjesë e Bordit të Paqes. Dhe u detyrua Presidentja e Kosovës ta nxirrte gënjeshtar. Nuk mund të tallesh me Presidentin e SHBA-ve që të flasësh për arritje historike, ndërkohë që para disa viteve e ke quajtur njeriun kyç të paqes sot në botë ‘turp i njerëzimit’.

Për t’u kthyer te kërkesa jua, ke 2 kërkesa zoti kryetar, e para ke kërkesën e Këshillit të Ministrave e cila duhet të dorëzohet më para se kërkesa e Grupit Parlamentar të PS. Se kta nuk mund të kërkojnë procedurë të përshpejtuar për një projektligj që nuk ka ardhur në Kuvend. Edhe dokumentin e kanë sjellë pa firmë, se kaq serioz jeni ju. Nuk është as firma e kryeministrit dhe as firma e ministres së Jashtme. Tani na thoni kë duhet të votojë ky Kuvend, kërkesën për procedurë të përshpejtuar të Këshillit të Ministrave, apo kërkesën për procedurë të përshpejtuar të këtyre që kërkonin shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një ligji që nuk kishte ardhur akoma në Kuvend. Si do e justifikoni ju shkeljen e procedurës. Që i njoftoni deputetët në orën 9 të darkës dhe ne vijmë ta votojmë të nesërmen në mëngjes, një projektligj kaq të rëndësishëm.

Kuvendi me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose 1/5 së deputetëve mund të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga nisja e procedurës së shqyrtimit. Patjetër që jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por duhet ta bëjmë sipas rregullores së Kuvendit. E bëjmë efektive brenda një jave, por juve ju duhet me nxitim sepse duhet të zhurmoni për këtë zonjën këtu (Belinda Ballukun)”, tha mes të tjerash Bardhi.

 

Ora 10:23
Aderimi i vendit në Bordin e Paqes, Balla: Ftesë historike nga Trump, Shqipëria kontribut të rëndësishëm në çështjet globale për paqen

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka cilësuar si historike ftesën e SHBA-së dhe të presidentit Trump për të qenë vend anëtar themelues në Bordin e Paqes. Balla i bëri thirrje deputetëve për të kaluar marrëveshjen në votim me procedurë të përshpejtuar.

Ndër të tjera, Balla tha se Shqiqëria tashmë nuk ka më një rol vëzhgues në konfliktet ndërkombëtare, por është e gatshme të marrë pjesë në zgjidhjen konkrete të çështjeve të ndjeshme.

“Sot Kuvendi thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës. Shqipëria dhe kryeministri janë ftuar të jenë vend anëtar themelues dhe anëtar i bordit. Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë dhe shënon një moment të paprecedent pozitiv. Kuvendi shihet si një aktor që kontribuon në zgjidhe të rëndësishme globale për paqen dhe jo si dikur pjesë periferike.

Kjo ftesë, nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale, dhe as simbolike, në letrën zyrtar drejtuar Ramës, Trump e cilëson këtë nismë si një përpjekje historike duke thekuar nevojën për një qaje të re për ndërtimin e paqes, e orientuar drejt rezultate konkrete për të sjellë paqe me një fokus të veçantë Gazën.

Shqipëria është shtuar të jetë jo më si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte për paqen. Kjo ftesë, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin tonë strategjik, një partneritet që mbetet boshi ynë kryesor  i politikës së jashtme. Shqipëria shikohet, konfirmohet si aktori pa agjenda të fshehta, i aftë të kontribuojë në procese të ndejshme diplomatike sikur janë proceset që do të fillojnë që nga java e ardhshme me një prezencë të Ramës”, tha ndër te tjera Balla.

Xh.K/K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • aldo: 22/01/2026 12:45

    kur do e rrasni mrena ate prekuroren e durresit xhengo per shperdorim detyre

    Përgjigju
    • Kol: 22/01/2026 18:35

      Nuk eshte me ne Durres. Ka ikur ne Tirane te vjedhi aty si i vellai pijedashes.

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?