Një epokë që shembet… në faqet e një historie që vazhdon të jetojë përmes artit! “Fundi i Golemëve”, opera shqiptare e kompozitorit Nikolla Zoraqi, vjen për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit si premierë botërore.

Vepra është shkruar në vitin 1963, në një periudhë të trazuar historike, kur Shqipëria po shkëputej nga kampi lindor. E bazuar mbi tregimin “Ditët e sprasme të Golemit” të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, opera trajtonte për herë të parë tema historike jashtë realizmit socialist të kohës.

Në atë periudhë, dramaturgu Kolë Jakova e ktheu tregimin në libreto poetike, ndërsa muzikën e kompozoi Nikolla Zoraqi, në atë periudhë, në vitet e para të krijimtarisë së tij.

Sot, pas më shumë se gjashtë dekadash, vepra ngjitet në skenë nën dirigjimin e maestros Zhani Ciko dhe me konceptin regjisorial të Nikolin Gurakuqit.

“Është një premierë absolute në të gjitha komponentet e saj. Një opera tërësisht shqiptare, nga muzika, produksioni, rolet, kostumografia dhe skenografia. Kjo vepër do t’i mbetet historisë së muzikës shqiptare ndër vite.”, tha drejtori i TKOB-it, Aulon Naçi.

Në këtë univers skenik bashkohen solistët, kori dhe orkestra simfonike e TKOBAP-së, duke sjellë dramën e një kohe të rrënuar nga pushtimet dhe përplasjet historike.

Për dirigjentin Zhani Ciko, rikthimi i kësaj opere është një ngjarje me rëndësi historike për kulturën shqiptare.

“Në një moment kur ende nuk kishte gatishmëri për ta marrë dhe realizuar këtë vepër, në mendjen time ekzistonte mundësia që ajo të ekzekutohej diku, qoftë edhe në një nga monumentet e kulturës, vetëm me piano, në versionin origjinal, ashtu siç e kishte lënë kompozitori. Kompozitori u dëshpërua, sepse vepra nuk pati një përgjigje pozitive dhe kjo ishte një gjë tepër ekstreme. Mua më vinte shumë keq që të hiqnim dorë nga rikthimi dhe dhënia e kësaj vepre.”, tha dirigjenti Zhani Ciko, ndërsa shpjegoi se autori nuk mendoi kurrë se vepra do ta shihte dritën e skenës.

Regjisori Nikolin Gurakuqi e cilëson një “kryevepër” të lënë trashëgim nga kompozitori Nikolla Zoraqi.

“Kemi realizuar një produksion tërësisht shqiptar, me skenografi dhe kostume të reja. Është një vepër e madhe, shumë impenjative, por e ndërtuar me dashuri dhe përkushtim nga gjithë trupa e teatrit.”

“Fundi i Golemëve” do të vijë për publikun më 28, 29 dhe 30 maj në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, duke rikthyer në skenë një pjesë të rëndësishme të memories dhe identitetit muzikor shqiptar.