Një vepër monumentale shqiptare, e lindur mbi tregimin “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit” të shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, që Kolë Jakova e shndërroi në një libret operistik me forcë dramatike dhe frymë të thellë kombëtare, opera “Fundi i Golemëve” u shfaq për herë të parë para publikut pas më shumë se gjashtë dekadash, që qëndronte në sirtar.
Muzika e kompozitorit Nikolla Zoraqi i dha jetë kësaj historie tragjike të Arbërisë së shekullit XV, në ditët e fundit të epokës së Skënderbeut dhe rezistencës shqiptare pas vdekjes së tij. Nën drejtimin muzikor të maestro Zhani Cikos dhe regjinë e mjeshtrit Nikolin Gurakuqi, opera erdhi në skenë si një rikthim madhështor i memories historike dhe identitetit kulturor shqiptar.
Orkestracioni i ri i realizuar nga Jozef F. Pjetri ruajti frymën origjinale të partiturës së Zoraqit, duke i dhënë një tingëllim modern dhe dramatik që komunikoi me publikun e sotëm. Në qendër të veprës qëndron figura e Gjergj Golemit, princit arbëror që lufton për lirinë e vendit dhe mbijetesën e popullit të tij në kohët më të errëta të Arbërisë.
Baritoni Armando Likaj solli një interpretim të fuqishëm dhe emocional të këtij personazhi kompleks, ku çdo frazë muzikore dukej si një thirrje për liri dhe një plagë e hapur e një kombi në luftë. Një tjetër moment i veçantë artistik i mbrëmjes ishte interpretimi i Denis Skurës në rolin e Millosh Golemit.
Me intensitet dramatik dhe ndjeshmëri njerëzore, ai solli figurën e luftëtarit të ri që sakrifikon gjithçka për familjen, dashurinë dhe atdheun. Publiku ndoqi me emocion edhe figurën tragjike të Ajdin Golemit, djalit rebel të princit, personazh i mbushur me ambicie, xhelozi dhe etje për pushtet të interpretuar nga baritoni Artur Vera. Konflikti i tij i brendshëm, tradhtia dhe përplasja me familjen e atdheun e kthyen këtë rol në një nga boshtet dramatike të operës.
Një dimension të veçantë emocional sollën figurat femërore të veprës.
Zara, simbol i gruas shqiptare dhe i nënës që përballet me humbjen dhe luftën erdhi nga Ramona Tullumani, e cila u ngjit në skenë bashkë me vajzën e saj, që në shfaqje luante rolin e djalit të vogël të Zarës.
Ndërsa Mara, gruaja e Ajdinit, erdhi nën interpretimin e Nina Muhos, mishëroi dinjitetin, dhimbjen dhe qëndresën morale përballë tradhtisë dhe shkatërrimit të familjes.
Skenat e betejës, kori monumental, ritualet mortore dhe finalja e zjarrtë e operës krijuan një atmosferë epike. Veçanërisht prekëse ishte tabloja tragjike e aktit të tretë, ku Milloshi, Zara dhe djali i tyre bien viktimë e luftës, duke kthyer skenën në një elegji të dhimbshme për sakrificën shqiptare ndër shekuj.
Regjisori Nikolin Gurakuqi u shpreh se produksioni i ka qëndruar besnik frymës origjinale të veprës, duke sjellë njëkohësisht elementë të rinj regjisorialë që e afrojnë operën me publikun bashkëkohor. Ndërsa maestro Zhani Ciko e cilësoi këtë premierë si një rikthim të një pjese të rëndësishme të kujtesës sonë kulturore dhe historike.
“Fundi i Golemëve” nuk është vetëm një opera për luftën dhe tradhtinë. Është një vepër për shpirtin e një populli që nuk reshti së luftuari për liri. Një himn për Arbërinë, për sakrificën dhe për identitetin shqiptar.
Pas më shumë se gjashtë dekadash heshtjeje, muzika e Nikolla Zoraqit më në fund mori frymë në skenë dhe publiku e priti me duartrokitje të gjata dhe respekt për një nga veprat më të rëndësishme të krijimtarisë operistike shqiptare.
Shfaqja do të vijë për publikun edhe mbrëmjen e kësaj të premteje dhe të shtunën.
Komente











