Rreth 200 pianistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë bërë pjesë e edicionit të dytë të konkursit rinor pianist “J’adore Chopin”, në kategorinë “Extra”. Konkursi po zhvillohet në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, sot dhe nesër, duke e kthyer fundmarsin në një festë të muzikës klasike.

“Është një kënaqësi e madhe të shohësh kaq shumë fëmijë të apasionuar pas pianos, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare. Ky konkurs është një mundësi e veçantë për ta, për të shprehur talentin dhe për të hedhur hapat e parë në rrugën e muzikës.”, tha muzikanit Zhani Ciko.

Ky aktivitet organizohet nga Shoqata “Frederik Shopen” dhe drejtohet nga pianistja e njohur Rudina Ciko. Konkursi është pjesë e një projekti më të gjerë, që do të shtrihet gjatë gjithë vitit 2026.

“Është konkursi i dytë ‘J’adore Chopin’, i cili këtë vit nis me kategorinë ‘Extra’, për fëmijët që studiojnë pianon për pasion. Kemi rreth 200 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova dhe këtë vit edhe më shumë qytete si Shkodra, Lezha, Vlora. Interesi është rritur ndjeshëm.”, tha pianistja Rudina Ciko.

Aktiviteti i kushtohet figurës së kompozitorit virtuoz Frédéric Chopin, një nga emrat që revolucionarizoi muzikën pianistike botërore, ndërsa për pjesëmarrësit, interpretimi i veprave të tij mbetet një sfidë dhe një eksperiencë unike.

“Është shumë e rëndësishme që prindërit po i edukojnë fëmijët me artin. Pianoja i ndihmon jo vetëm artistikisht, por edhe në zhvillimin e përgjithshëm dhe i largon nga varësia ndaj teknologjisë.”, vijoi pianistja Ciko.

Juria e konkursit përbëhet nga pedagogë të njohur të pianos, me kryetare Mirela Tushe Vonglin, e cila thekson rëndësinë e muzikës në zhvillimin e fëmijëve.

“Interesi për pianon është rritur shumë vitet e fundit. Nuk është vetëm zhvillim artistik, por ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin intelektual dhe emocional të fëmijëve.”, tha pianistja Tushe Vongli.

Ndërsa për anëtaren e jurisë Dafina Smajli, pedagoge muzike dhe gazetare nga Kosova, për talentet e rinj, kjo skenë prestigjioze është një mundësi e rrallë për të performuar në kushte profesionale dhe për të sfiduar veten.

“Emri i Chopin-it i bashkon këta talente. Loja në piano për ta tashmë është një eksperiencë, është një sfidë me veten, është një sfidë me tastet e pianos që në fakt edhe rastis që nesër të jetë edhe dita e 88 e vitit dhe që shënohet si dita e pianos dhe nuk ka po mendoj mënyrë më të mirë për këta fëmijë sesa kjo që festë dhe kjo garë që po bëhet sot.”, u shpreh Smajli.

“J’adore Chopin” jo vetëm që promovon talentet e reja, por dëshmon edhe njëherë rritjen e interesit për muzikën klasike tek brezat e rinj, duke e kthyer pianon në një urë lidhëse mes pasionit dhe formimit kulturor.