Fundi i Luftës së Ftohtë 1989, SHBA: Manovrat për reforma në Shqipëri

Fundi i Luftës së Ftohtë 1989, SHBA: Manovrat për reforma në Shqipëri

Enver Hoxha, Ramiz Alia, Foto Çami dhe Fatos Lazrin

Në prill të vitit 1989 radioja amerikane Evropa e Lirë / Liria ka konstatuar atë “që mund të quhet stil shqiptar i gllasnostit dhe perestrojkës”, ndonëse Tirana ishte ngritur me forcë kundër Gorbaçovit dhe tezave të tij për ristrukturim (“perestrojka”) dhe për hapje (“gllasnost”) të regjimit të rrënuar komunist në ish-Bashkimin Sovjetik. Ja një analizë e politologut dhe ekspertit të problemeve shqiptare në Institutin e kërkimeve të Radio Evropa e Lirë / Radio Liria, Louis Zanga. Ky material u përgatit për t’u përdorur nga stafi i kësaj radioje. Titullohet “Shqipëria pro reformave, por sulmon politikat e Gorbaçovit” (Albania favors reform while attacking Gorbachev's policies) dhe mban datën 10 prill 1989. Dokumenti ka rëndësi si për aspektin e historisë më të re të Shqipërisë, ashtu dhe për politologjinë, pasi jep një pikëpamje perëndimore për zhvillimet në Shqipëri, teksa po përgatiteshin kushtet për rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e sistemit pluralist. Autori bën një zbërthim interesant të fjalimit të kryeideologut të Shqipërisë, Foto Çami, në mbyllje të punimeve të një sesioni shkencor të organizuar nga Instituti i Studimeve Markiste-Leniniste më 16 mars 1989 me temë “Perestrojka – teori dhe praktikë antisocialiste”. Seminari u zhvillua nën kujdesin e drejtores së tij, Nexhmije Hoxha.

SHKARJA E VOGËL

Për autorin e analizës Louis Zenga, “mospranimi i reformave sovjetike në seminar nuk është asgjë e pazakontë, sepse kjo gjë reflekton vazhdimësinë e një politike të rrënjosur prej një kohe të gjatë”. Por për radiostacionin amerikan në Evropë “shumë më interesante janë tezat e Çamit për reformat e vetë Shqipërisë, pasi fjalët e tij duket se janë tregues që orvatja e Moskës për ristrukturim po fillon të ketë ndikim në Shqipëri. Çami me sa duket po zbaton atë që mund të quhet stil shqiptar i gllasnostit dhe perestrojkës”. Zenga konstaton në fjalët e Çamit “një shkarje të vogël nga praktika normale e mbështetjes së plotë në mësimet e Hoxhës”.

MESAZH ME OBJEKTIVA TË NDRYSHËM

Me mjaft mprehtësi vihet në dukje se “Shqipëria nuk dëshiron të shihet si ndjekëse e shembullit sovjetik, pozicion që reflekton edhe konservatorizëm edhe krenari”. Radioja thotë se “mesazhi i Çamit për temën e rëndësishme të reformave duket se synon të arrijë objektiva të ndryshëm. Duke pretenduar se reformat në Shqipëri do të ndryshojnë nga ato të “revizionistëve”, ideologjikisht ai është në mbrojtje. Vendeve jo-komuniste... ai u thotë se Tirana po ecën me hapin e kohës. Njerëzve brenda vendit, që gjithashtu po ndjekin zhvillimet dramatike që po ndodhin në vendet e tjera socialiste dhe që do të donin që e njëjta gjë të ndodhte në vendin e tyre, ai u thotë se Shqipëria do të fillojë reforma, por vetëm ato që i përshtaten Shqipërisë. Konservatorëve në vend që u kundërvihen ndryshimeve... tezat e tij mund të jenë paralajmërim se durimit po i vjen fundi”.

ANKESAT E KREMLINIT

Një vend të rëndësishëm në materialin për përdorim të brendshëm nga stafi i radios zënë dhe marrëdhëniet sovjetike-shqiptare. Aty citohen burime të medieve zyrtare të Moskës, që po ngulnin këmbë për rivendosje marrëdhëniesh diplomatike, madje, duke pranuar se Hrushovi ishte sjellur pa takt me udhëheqjen shqiptare në vitin 1961. Vërejtjet antisovjetike të Çamit tërhoqën vëmendjen e komentuesve të huaj, thotë Zanga. Vërehet acarimi në rritje i Moskës nga propaganda e vazhdueshme antisovjetike e komunistëve shqiptarë. Kjo gjë mund të vërehet në mbulimin në rritje të Shqipërisë nga media sovjetike. 10 ditë pas sesionit shkencor të Tiranës kundër perstrojkës dhe gllasnostit, më 26 mars, televizioni i Moskës transmetoi një dokumentar të rrallë për Shqipërinë, një vend i cili vërtet ishte zhdukur virtualisht nga ekranet televizive sovjetike. Moska ankohej se sa më shumë që BRSS-ja përpiqej të shfaqte vullnet të mirë ndaj Shqipërisë dhe të bindte këtë vend për normalizimin e marrëdhënieve, “aq më i fortë ka qenë kundërshtimi nga Shqipëria”. Përgjigja e Shqipërisë ndaj apeleve sovjetike ka qenë vetëm “më tepër refuzime dhe më tepër sulme”.

AFRIMI ME KINËN

Gjithsesi, Moska nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të kërkuar pajtim me Shqipërinë rebele. TASS-i shpejtoi të raportojë për vizitën e parë në Kinë të një zyrtari shqiptar të rëndësishëm që nga prishja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1978. Lajmi sovjetik citonte zëvendës-Ministrin e Jashtëm kinez Tian Zengpei pasi i kishte thënë homologut shqiptar Muhamet Kapllani se Kina ishte e gatshme të ndërtonte “marrëdhënie ndërshtetërore të një tipi të ri” me Shqipërinë “mbi bazën e pesë parimeve të bashkekzistencës paqësore”. Duke theksuar këtë pikë, dukej se TASS-i donte të thoshte se, nëse mund të vendoseshin me Kinën marrëdhëniet e një “tipi të ri”, pse të mos kishte një përparim të ngjashëm në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?

Dokumenti

Shqipëria pro reformave, por sulmon politikat e Gorbaçovit

Përmbledhje: Udhëheqësi i dytë më i fuqishëm i Shqipërisë, Foto Çami, është deklaruar kundër reformave të Gorbaçovit në një fjalim për perestrojkën në BRSS. Në të njëjtën kohë, Çami pranoi, gjithsesi, nevojën e ndryshimeve në Shqipëri. Në këtë studim merren në analizë marrëdhëniet sovjetike-shqiptare dhe deklarimet e Çamit për ndryshimet që duhen bërë në Shqipëri.

Ky material u përgatit nga Louis Zanga i sektorit të kërkimeve për t’u përdorur nga stafi i Radio Evropa e Lirë / Radio Liria, 10 prill 1989.

* * *

Udhëheqja shqiptare ka përsëritur kundërshtimin e vetë të plotë ndaj politikave të udhëheqësit sovjetik Mihail Gorbaçov, teksa nga ana tjetër deklaron se përkrah reformat, por duhet që këto reforma t’i përshtaten Shqipërisë. Vërejtjet më të fundit të udhëheqjes për këtë çështje janë shprehur në një seminar me temë “Perestrojka – teori dhe praktikë antisocialiste”, që u organizua nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste [“Zëri i popullit”, 17 mars 1989].

Sesioni shkencor u hap nga drejtorja e institutit, Nexhmije Hoxha (e veja e ish-diktatorit), dhe se fjalimi kryesor u mbajt nga krye-ideologu i Shqipërisë, Foto Çami. Çami, anëtar i Byrosë Politike dhe i Sekretariatit të partisë, duket qartazi se është dora e djathtë e Alisë në këtë moment. Çami ka forcuar rolin kontrollues me postin që mban, duke shtuar aktivitetin në ngjarjet e fundit të rëndësishme. Për shembull, ishte Çami ai që bëri një deklaratë në emër të Shqipërisë në televizion në muajin mars mbi krizën e fundit në Kosovë të shkaktuar nga greva e minatorëve. Çami foli gjithashtu kohët e fundit në një mbledhje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ku u zgjodh anëtar, hera e parë që një udhëheqës kryesor partie u pranua në një organ akademik të lartë.

REAGIMI NDAJ REFORMAVE TË GORBAÇOVIT.

Në fjalimin e tij në seminar, Çami deklaroi se “lufta kundër revizionizmit modern” ka hyrë në një etapë të re, sepse “revizionistët i kanë hequr maskat dhe kanë dalë hapur me platformat e tyre kapitaliste”. Kjo etapë e re, shtoi Çami, është karakterizuar nga mohimi i plotë i bazës socialiste dhe superstrukturës së saj si dhe nga rrëshqitja në pozita social-demokrate, borgjeze dhe antikomuniste.

Nëse u injoruan disa nga tezat që janë thënë më hapur nga Çami, analiza që u ka bërë ai ndryshimeve të ndodhura në Bashkimin Sovjetik sot mund të mos tingëllojë aq ekstremiste, pasi analistë perëndimorë kanë bërë gjithashtu komente të ngjashme. Ai pretendoi se gorbaçovianët e kanë shpallur marksizmin dhe socializmin të dështuar dhe se e vetmja rrugëdalje është t’u drejtohemi ideologjive të tjera dhe krijimit të partive të reja. Çami konkludoi se hedhja poshtë e programit të të gjitha reformave të Gorbaçovit është “detyrë me përgjegjësi të madhe e me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Vërejtjet antisovjetike të Çamit ishin vetëm pjesë nga fjalimi i tij që tërhoqi vëmendjen e komentuesve të huaj, përfshi të atyre jugosllavë, të cilët janë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve në Shqipëri. Paraqet interes të veçantë, gjithsesi, acarimi në rritje i Moskës nga propaganda e vazhdueshme antisovjetike e komunistëve shqiptarë. Kjo gjë mund të vërehet në mbulimin në rritje të Shqipërisë nga media sovjetike. Në fund të marsit televizioni i Moskës transmetoi një dokumentar të rrallë për Shqipërinë, një vend i cili vërtet është zhdukur virtualisht nga ekranet televizive sovjetike [Televizioni i Moskës, 26 mars 1989]. Duke marrë në analizë marrëdhëniet me Shqipërinë, programi tha se sovjetikët kanë “ndryshuar” shumë gjëra në parimet që çuan në të vërtetë në prishjen me Shqipërinë. Programi tha gjithashtu se ndërsa sovjetikët ishin të gatshëm për dialog, në Shqipëri “stereotipet e viteve 1960 vazhdojnë të jenë ende në modë” dhe se vazhdojnë të “sulen me tërbim pa asnjë arsye kundër ristrukturimit tonë”. Duke reflektuar për historinë e marrëdhënieve të trazuara sovjetike-shqiptare, emisioni pranoi, me një stil gllasnosti të vërtetë, se “për të qenë të ndershëm... Hrushovi nga ana tij bëri sulme pa takt kundër Shqipërisë”, duke shtuar:

“Nuk ka kuptim të moralizohet tani nëse Shqipëria është e mirë apo e keqe, nëse regjimi në këtë vend është i mirë apo i keq, ose nëse politikat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë janë të mira apo të këqija. Në të vërtetë, askush nuk ka tagrin të pretendojë rolin e misionarit sot, por është tejet e vështirë në fakt të bihet dakord me udhëheqësin shqiptar se epoka e akullit në marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë nuk do të ketë fund. Unë mendoj se ndryshimet do të vijnë. Fakti se këto ndryshime mund të mos ndodhin së shpejti është çështje tjetër”.

Në mjaft raste Moska ka thënë se do të jetë vetëm çështje kohe rivendosja e marrëdhënieve normale me Shqipërinë. Tirana gjithmonë është kundërpërgjigjur prerë se kjo gjë nuk do të ndodhë. Ky pozicion është konfirmuar në fund të marsit nga Ministri i Jashtëm shqiptar, Reiz Malile, i cili, në një intervistë në gazetën “Le Monde” para se të nisej për vizitën e tij të parë zyrtare në Francë, deklaroi se Shqipëria nuk ka parë ndryshime rrënjësore në Bashkimin Sovjetik “për të përligjur konkluzionin e qartë se është bërë një shtet paqësor”. Njëkohësisht me radio Moskën, e përditshmja “Pravda” në kolonën e letrave nga lexuesit i ka dhënë hapësirë gjendjes së marrëdhënieve më Tiranën [“Pravda”, 26 mars 1989]. Pasi bën një pretendim të dyshimtë se ka pasur “ndoshta më tepër pyetje [nga lexuesit] për Shqipërinë se për ndonjë subjekt tjetër”, e përditshmja sovjetike tha se për Shqipërinë është mbështetur në informacionin të përgatitur nga reporterë jugosllavë, “që janë të mirinformuar për situatën në këtë vend”. Një letër nga lexuesit citohet të ketë pyetur:

“Çfarë duan shqiptarët nga ne? Në fund të fundit, ky vend është socialist dhe nuk do të ankohet pafundësisht. Askund nuk kam lexuar një formulim të qartë se ku konsistojnë ndryshimet tona. Ju lutem na tregoni në gazetën tuaj: tek e fundit, ne tashmë kemi gllasnost”.

Përgjigja e “Pravdës” për këtë lexues të shqetësuar nuk ishte dhe aq bindëse, duke pohuar se sa më shumë që BRSS-ja përpiqej të shfaqte vullnet të mirë ndaj Shqipërisë dhe të bindte këtë vend për normalizimin e marrëdhënieve, “aq më i fortë ka qenë kundërshtimi nga Shqipëria”. Përgjigja e Shqipërisë ndaj apeleve sovjetike ka qenë vetëm “më tepër refuzime dhe më tepër sulme”.

Gjithsesi, Moska nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të kërkuar pajtim me Shqipërinë rebele. TASS-i shpejtoi të raportojë për vizitën e parë në Kinë të një zyrtari shqiptar të rëndësishëm që nga prishja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 1978 [TASS, 30 mars 1989]. Lajmi sovjetik citonte zëvendës-Ministrin e Jashtëm kinez Tian Zengpei pasi i kishte thënë homologut shqiptar Muhamet Kapllani se Kina ishte e gatshme të ndërtonte “marrëdhënie ndërshtetërore të një tipi të ri” me Shqipërinë “mbi bazën e pesë parimeve të bashkekzistencës paqësore”. Duke theksuar këtë pikë, dukej se TASS-i donte të thoshte se, nëse mund të vendoseshin me Kinën marrëdhëniet e një “tipi të ri”, pse të mos kishte një përparim të ngjashëm në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik?

Duhet vënë në dukje një tjetër hollësi rreth gjendjes së keqe të marrëdhënieve sovjetike-shqiptare. Media sovjetike ka mbështetur Serbinë gjatë krizës së tanishme në Kosovë. Një nga raportet më të fundit të televizionit sovjetik mbi situatën e nderë në Kosovë për shkak të amendamenteve të paraqitura nga Serbia në kushtetutë komentonte se ndërsa minoriteti hungarez në Vojvodinë ka pranuar ndryshimet kushtetuese, “nacionalistët” shqiptarë iu përgjigjën më “luftë”. Komentuesi sovjetik vazhdonte se, pavarësisht kësaj armiqësie të shqiptarëve, parlamenti i Serbisë ka adoptuar amendamente “me mbështetjen e autoriteteve më të larta të Vojvodinës dhe Kosovës dhe të shumicës së popullsive të tyre” [ Televizioni sovjetik, “Vremja”, mars 1989]. Qëndrimi i Moskës ndaj ngjarjeve në Kosovë lë të kuptohet se ajo po mendon që ka pak shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe se Serbia mund të jetë kandidat më i përshtatshëm për ta marrë me të mirë.

ÇAMI BËN THIRRJE PËR NDRYSHIME

Mospranimi i reformave sovjetike në seminar nuk është asgjë e pazakontë, sepse kjo gjë reflekton vazhdimësinë e një politike të rrënjosur prej një kohe të gjatë. Shumë më interesante janë tezat e Çamit për reformat e vetë Shqipërisë, pasi fjalët e tij duket se janë tregues që orvatja e Moskës për ristrukturim po fillon të ketë ndikim në Shqipëri. Çami me sa duket po zbaton atë që mund të quhet stil shqiptar igllasnostit dhe perestrojkës. Për shembull, ai deklaroi se kritika kundër “revizionizmit duhet të jetë e kohës” dhe se “duhet të përballojë problemet e sotme me argumente të reja”. Kjo u pasua më poshtë me atë që çfarë duket duhet të jetë një shkarje e vogël nga praktika normale e mbështetjes së plotë në mësimet e Hoxhës. Çami tha se politikat dhe idetë e udhëheqësit të ndjerë duhet të shërbejnë vetëm si “busull orientimi e si bazë metodologjike dhe jo si transplantim mekanik i problemeve dhe argumenteve të asaj kohe në polemikën e sotme”. Ai vazhdoi të thotë se reformat nuk mund të luftohen “nga pozita të ngurta e dogmatike” dhe se “ekziston gjithnjë rreziku që të shndërrosh në parimore edhe ato gjëra që nuk janë të tilla...”. Ai gjithashtu paralajmëroi se ekziston “rreziku për të politizuar çdo gjë, për t’u qëndruar skllav disa koncepteve e për t’iu kundërvënë ndryshimeve”.

Kërkesat e Çamit për ndryshim zunë fill kur ai pranoi se Shqipëria kishte ndeshur me “probleme e vështirësi të ndryshme” në zhvillimin e saj. Në kontrast me vende të tjera, gjithsesi, problemet e Shqipërisë “nuk lindin as nga vija e Partisë, as nga sistemi” socialist. Çami tha se ndonëse ka pasur interesim të madh për reformat që po zbatohen aktualisht nga “revizionistët”, ai mendonte se “e keqja nuk është te reformat apo ndryshimet në vetvete, se edhe ne jemi për ndryshime, përderisa themi se jemi dialektikë e jo dogmatikë e metafizikë. Çështja është ç’karakter kanë këto reforma, në ç’rrugë bëhen këto ndryshime, ku të çojnë ato e në dobi të kujt bëhen”.

Me fjalë të tjera, Çami po thotë se edhe Shqipëria është për reforma, por reformat duhet t’u përshtaten kushteve specifike të Shqipërisë. Kjo ndoshta do të thotë edhe që reformat shqiptare do të jenë shumë më pak të gjera se ato të Gorbaçovit edhe se Shqipëria nuk dëshiron të shihet si ndjekëse e shembullit sovjetik, pozicion që reflekton edhe konservatorizëm edhe krenari. Mesazhi i Çamit për temën e rëndësishme të reformave duket se synon të arrijë objektiva të ndryshëm. Duke pretenduar se reformat në Shqipëri do të ndryshojnë nga ato të “revizionistëve”, ideologjikisht ai është në mbrojtje. Vendeve jo-komuniste – në veçanti Greqisë, Gjermanisë Perëndimore dhe Turqisë që shprehen se pakësimi i izolimit të Shqipërisë do të shpejtojë ndryshimet nga brenda – ai u thotë se Tirana po ecën me hapin e kohës. Njerëzve brenda vendit, që gjithashtu po ndjekin zhvillimet dramatike që po ndodhin në vendet e tjera socialiste dhe që do të donin që e njëjta gjë të ndodhte në vendin e tyre, ai u thotë se Shqipëria do të fillojë reforma, por vetëm ato që i përshtaten Shqipërisë. Konservatorëve në vend që u kundërvihen ndryshimeve – Çami në shumë raste ka kritikuar paaftësinë e tyre për të ndryshuar idetë që kanë – tezat e tij mund të jenë paralajmërim se durimit po i vjen fundi.

Përsa u takon ndryshimeve që po ndodhin tashmë, Çami përmendi masat e marra në sektorin e bujqësisë për përsosjen e shpërblimit, rritjen e kompetencave e të iniciativës dhe për harmonizimin më të mirë të interesave të individit, grupit dhe shoqërisë. Ai foli më në detaje për progresin e bërë në politikën e jashtme, por këtu ai gjithashtu mori pozicion mbrojtës teksa thotë se “asgjë nuk ka ndryshuar e nuk do të ndryshojë në qëndrimet parimore” dhe se gjithçka është bërë “vetëm në interes të vendit”. Dhe pse iu përmbajt formulës standarde të udhëheqësve shqiptarë kur flasin për politikën e jashtme, Çami përsëri hodhi poshtë thëniet për izolimin e Shqipërisë, por paralajmëroi se zgjerimi i kontakteve me botën “rrit presionin ideologjik” dhe se këto mund të krijojnë “iluzione të gabuara dhe të dobësojnë vigjilencën”. Ai i balancoi argumentet, por duke iu drejtuar përsëri

tërthorazi konservatorëve: ka qenë i gabuar mendimi se “për të shpëtuar nga këto të këqija duhen ndërprerë kontaktet me të tjerët, duke harruar se kështu rreziqet që mund t’i vinin vendit... do të ishin më të mëdha” për shkak të izolimit të plotë.

Foto Çami është bërë i njohur me kritikat e tij të shpeshta ndaj atyre që nuk ecin me hapin e kohës ose ndaj atyre që janë të paaftë të sjellin ndryshim ose ndaj atyre që pengojnë me qëllim këtë proces. Këtë ai e vuri sërish në dukje në përfundim të fjalimit të tij:

“Kërkohet më shumë punë, të vrasim më shumë mendjen, kërkohet qëndrim aktiv e krijues. Por shumë shkrime për këto probleme vuajnë nga një trajtim i cekët... Ka më shumë fjalë e pak mendim... ka më shumë epitete dhe slogane e më pak argumente e konkluzione. Dobësi të tilla u vunë re edhe në disa nga referatet e kumtesat që u mbajtën në sesionin shkencor”.

Duhet pranuar se në Shqipëri kohët e fundit janë bërë ndryshime; por reformat janë shumë më modeste se ato në vende të tjera komuniste. Megjithatë, fjalimi i Çamit dëshmon për trysninë që ushtrohet për të bërë reformim të mëtejshëm. Ndoshta konkluzionet e Çamit lënë të kuptohet se tashmë nuk do të ketë më retorikë por më shumë veprim për zgjidhjen e problemeve që ka Shqipëria.

Politologët e anti-perestrojkës

“Kërkohet më shumë punë, të vrasim më shumë mendjen, kërkohet qëndrim aktiv e krijues. Por shumë shkrime për këto probleme [është fjala për “perestrojkën” dhe “gllasnostin” – Th. M.] vuajnë nga një trajtim i cekët... Ka më shumë fjalë e pak mendim... ka më shumë epitete dhe slogane e më pak argumente e konkluzione. Dobësi të tilla u vunë re edhe në disa nga referatet e kumtesat që u mbajtën në sesionin shkencor”, këto fjalë i takojnë shefit të propagandës së PPSH, Foto Çami. Sekretari i KQ mbylli kështu sesionin shkencor të organizuar një vit e gjysmë para legalizimit të pluralizmit politik në Shqipëri. Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste (ISML) organizoi më 16 mars 1989 sesionin shkencor me temë “Perestrojka – teori dhe praktikë antisocialiste”. Sesionin e hapi dhe e mbylli anëtarja e KQ të Partisë dhe drejtore e ISML-së Nexhmije Hoxha. Konkluzionet i bëri prof. Foto Çami, sekretar i KQ të PPSH dhe anëtar i kryesisë së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Organizatorët kishin angazhuar në këtë seminar njerëz të rinj, të pakompromentuar me regjimin komunist që po jepte shpirt. Disa prej folësve u përfshinë në periudhën paskomuniste në forcat e majta dhe morën poste të larta shtetërore dhe partiake si Nano e Çeço; ndërkohë që të tjerë si Çuçi, Murati, Prela punuan në diplomaci; apo disa u morën thjesht me veprimtari studimore si Fuga, Dervishi, Kureta etj.

Më poshtë po listo referatet dhe kumtesat, disa prej të cilave, sipas Çamit, vuanin nga një trajtim i cekët, me shumë fjalë e pak mendim, me shumë epitete dhe slogane e më pak argumente dhe konkluzione.

REFERATET

  • Leontiev Çuçi, kandidat i shkencave: “Perestrojka – thellim i rrugës kapitaliste në ekonominë sovjetike”
  • Fatmir Kumbaro: “Reformimi borgjez i sistemit politik në Bashkimin sovjetik”
  • Ismail Lleshi, docent: Pluralizmi ideologjik, gllasnosti – degjenerim i mëtejshëm i jetës shpirtërore në Bashkimin Sovjetik”
  • Shaban Murati, zëvendëskryeredaktor dhe shef i sektorit të jashtëm në gazetën “Zëri i popullit”: “Mendimi i ri politik – bazë e politikës së jashtme hegjemoniste sovjetike”

KUMTESAT

  • Sopot Cama, docent: “Koncepti i vetfinancimit në ekonominë sovjetike, që nuk ka asgjë të përbashkët me hozrashotin leninist”
  • Artan Fuga, kandidat i shkencave: “Filozofia sovjetike në shërbim të politikës gorbaçoviane”
  • Zyhdi Pepa, docent: “Rreth privatizimit në fshatin sovjetik, si rrugë e zhvillimit kapitalist të bujqësisë”
  • Genc Kondi, gazetar: “Thelbi i kalbëzimit të jetës shoqërore dhe acarimit të plagëve shoqërore në Bashkimin Sovjetik”
  • Lulzim Hana, bashkëpunëtor i vjetër shkencor: “Ligjet e tregut rregullatorët kryesorë të ekonomisë sovjetike”
  • Arben Bakllamaja, kandidat i shkencave: “Demaskimi i spekulimeve rreth planit leninist për ndërtimin socialsit”
  • Fatos Nano, kandidat i shkencave: “Lidhjet e reja integruese të ekonomisë sovjetike me kapitalin botëror”
  • Nimet Balili, docent: “Degjenerimi i mëtejshëm i jetës së brendshme të partisë, si pasojë e zbatimit të reformave të ristrukturimit”
  • Vasillaq Kureta, docent: “Fushata shpifëse kundër Stalinit dhe qëllimet e saj për të hedhur poshtë teorinë markiste-leniniste të revolucionit socialist”
  • Natasha Iliriani, kandidate e shkencave: “Shkaqet e ashpërsimit të konflikteve nacionale në Bashkimin Sovjetik”
  • Zyhdi Dervishi, kandidat i shkencave: “Përkrahësit dhe kundërshtarët e perestrojkës brenda Bashkimit Sovjetik”
  • Makbule Çeço, docente: “Raporti i interesave klasorë dhe i atyre mbarënjerëzorë”
  • Vladimir Prela, punonjës i aparatit të KQ të partisë: “Opinionet dhe qëndrimet e qarqeve politike botërore ndaj perestrojkës”

G.MO//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj