Fundi i mandatit të Bashës, s'ka
zgjedhje në PD, flasin deputetët

Fundi i mandatit të Bashës, s'ka<br />zgjedhje në PD, flasin deputetët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po kalon ditët më delikate në karrierën e tij politike. Pas humbjes së zgjedhjeve lokale dhe betejës për shtyrjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Basha pritet të përballet me një tjetër sfidë në 22 korrik, datë e cila përkon me mbarimin e mandatit katërvjeçar krye të Partisë Demokratike. Nëntë javë pas shpalljes së Republikës së Re, Basha mund të mos njihet si kryetar i Partisë Demokratike nga disa figura të kësaj partie. Paralajmërimi ka ardhur disa ditë më parë nga deputetja Majlinda Bregu, e cila tha se mandati i Bashës mbaron në 22 korrik. Po çfarë do të ndodhë në kryetarin e Partisë Demokratike pas datës 22 korrik? A do të ketë zgjedhje për rikonfirmimin e Lulzim Bashës apo lidershipi demokrat do të shmangë një proces zgjedhor brenda partisë, me argumentin e përballjes më sfidën e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat mund të shtyhen deri në muajin korrik? A do të ketë ndonjë pretendent për të marrë drejtimin e PD siç ndodhi katër vite më parë me Sokol Olldashin apo pretendentët e heshtur do të presin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, gjithnjë nëse PD do të marrë pjesë? Nga Partia Demokratike vijnë sinjalet e para, që konfirmojnë shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike për një kohë të pacaktuar.

S’ka zgjedhje në PD  
Ndryshe nga deputetja Majlinda Bregu, shumica e grupit parlamentar demokrat, mendon se Partia Demokratike nuk është në kushte normale për të zhvilluar zgjedhje për kryetarin e saj. Shqiptarja.com ka kontaktuar me një pjesë të anëtarëve të grupit të PD, të cilët janë të mendimit se, zgjedhjet për kryetarin e partisë duhet të shtyhen për një kohë të pacaktuar. Ata kanë propozuar shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të situatës politike. Disa prej ligjvënësve të opozitës sqarojnë më në detaje arsyet se pse ky proces duhet të shtyhet në kohë. “Nuk mendoj se jemi në një kohë ku duhet të mendojmë për zgjedhje brenda partisë. Jo se ato nuk duhet të zhvillohen sepse një forcë demokratike mbështetjen e saj edhe si qasje e ka tek e drejta për të zgjedhur dhe vendosur nëpërmjet kësaj, por situata aktuale intensive politike justifikon shtyrjen e procesit në një kohë tjetër”, tha për Shqiptarja.com deputetja e Partisë Demokratike, Arbiola Halimi.

Luçiano Boçi
Në të njëjtën linjë shprehet edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi. Deputeti Boçi thotë se, para 22 korrikut, PD ka një proces tjetër zgjedhor, i cili është në diskutim e sipër, duke iu referuar këtu zgjedhjeve parlamentare. “Përpara 22 korrikut kemi një proces zgjedhor i cili është ende në diskutim e sipër. Përpos tij nuk ka vend për diskutime të tjera. Pas kryerjes se tij janë të vlefshme të gjitha çështjet në vazhdim që lidhen me organizimin e PD. Çdo gjë në kohën e duhur! Basha është tashme një lider i konsoliduar”, u shpreh deputeti Boçi.

Albina Deda
Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda ka vlerësuar se zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të PD është një fat për demokratët. “Kryetari i PD -së z. Basha ka ardhur në krye të partisë pas një zgjedhje plebishitare tepër demokratike me sistemin një anëtar një votë. Jam e bindur se ishte jo vetëm zgjedhja e duhur, por një risi e rralle e transferimit harmonik të eksperiencës. Po ashtu edhe vete si anëtare e PD-së ndjehem sot shumë më mirë se atëherë që votën time ja besova z. Basha. Sistematikisht ai ka treguar jo vetëm seriozitet, por dhe tepër stoicizëm në vlerat dhe parimet themelore të PD-së. Sa për zgjedhjet ato janë të përcaktuara në statutin tonë dhe do zhvillohen në afatet e determinuara. Një gjë ju garantoj dhe e besoj. Lulzim Basha ishte jo vetëm zgjedhja e demokratëve por një fat brilant lidershipi për demokratët dhe jo vetëm”, tha Deda.

Statuti i PD
Statuti i Partisë Demokratike sanksion se funksionimi i PD bazohet në demokracinë e brendshme, e shprehur përmes votës së anëtarëve të saj, ndërsa zgjatja e mandatit në PD është për katër vjet. Neni 38 i Statutit të PD parashikon gjithashtu se kryetari i partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Por, statusi i PD nuk kushtëzon rikonfirmimin e kryetarit pas mbarimit të mandatit me rezultatin në zgjedhjet parlamentare. Pra, pavarësisht bojkotit të zgjedhjeve apo humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, statuti nuk e ndalon kryetarit të rizgjidhet. Megjithatë, pika katër i nenit 35 të Statutit të PD, parashikon që Kuvendi Kombëtar mund të vendosë për shkarkimin e kryetarit të partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
 
Neni 8 i Statutit të PD

Bazat e funksionimit


1- Funksionimi i PD bazohet në demokracinë e brendshme, e shprehur përmes votës së anëtarëve të saj. Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve të mandatuar prej anëtarëve.
 
2- Zgjatja e mandatit në PD është për katër vjet.
 
3- Rregullat e funksionimit të demokracisë në parti përcaktohen me akte të nxjerra nga organet qendrore të saj sipas parashikimeve të këtij Statuti.
 
4- Demokracia zbatohet edhe në nxjerrjen e kandidaturave elektorale të partisë. Anëtarët e partisë propozimin e kandidaturave elektorale e bëjnë sipas kushteve që përcakton rregullorja e brendshme e partisë dhe/ose udhëzimet e Kryesisë së PDSH-së.
 
Neni 35 i Statutit të PD

Kompetencat e Kuvendit Kombëtar


Kuvendi Kombetar:
 
4- Vendos për shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
 
Neni 38 i Statutit të PD

Kryetari i Partisë


1- Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare. Ai emëron zëdhënësin e shtypit të Partisë, si dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
 
2- Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre.
 
3- Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga rregullorja e brendshme e PDSH.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Operacioni i SPAK, arrestohet në Itali edhe 'truri financiar' Bujar Shega! Kush është biznesmeni nga Peqini dhe lidhjet e tij me Suel Çelën

Operacioni i SPAK, arrestohet në Itali edhe 'truri financiar' Bujar Shega! Kush është biznesmeni nga Peqini dhe lidhjet e tij me Suel Çelën