Hui Ka Yan, themeluesi i kompanisë kineze të pasurive të paluajtshme Evergrande dhe dikur njeriu më i pasur në Azi, është dënuar me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Shenzhen. Krahas dënimit, gjykata vendosi edhe konfiskimin e të gjithë pasurisë së tij personale.

Ai u shpall fajtor për një sërë veprash penale, mes tyre mashtrim financiar, keqpërdorim fondesh, mbledhje të paligjshme parash, dhënie të paligjshme kredish, mashtrim me letrat me vlerë dhe ryshfet.

Hui themeloi Evergrande në vitin 1996 dhe e ktheu kompaninë në një nga gjigantët e ndërtimit në Kinë, duke u zgjeruar kryesisht përmes huamarrjes. Në vitin 2017, pasuria e tij personale vlerësohej në 45.3 miliardë dollarë, duke e bërë njeriun më të pasur në Azi.

Megjithatë, modeli i biznesit i mbështetur te borxhet e mëdha u kthye në pikën e dobët të kompanisë. Evergrande grumbulloi detyrime prej rreth 300 miliardë dollarësh dhe nuk arriti të shlyente pjesën më të madhe të tyre, duke u bërë simbol i krizës së sektorit të pasurive të paluajtshme në Kinë.

Problemet financiare shpërthyen në vitin 2021, kur kompania dështoi të kryente pagesat ndaj kreditorëve. Më pas, në vitin 2024, një gjykatë në Hong Kong urdhëroi likuidimin e Evergrande.

Procesi i shitjes së aseteve ka ecur me ritme të ngadalta. Deri në gusht të vitit të kaluar ishin shitur pasuri me vlerë rreth 255 milionë dollarë, ndërsa kreditorët pretendonin rreth 45 miliardë dollarë.

Dënimi i Hui-t nuk do të thotë se investitorët dhe qytetarët që humbën kursimet e tyre do t'i marrin paratë mbrapsht. Shumë kinezë kishin investuar kursimet në produktet financiare të Evergrande dhe pas kolapsit të kompanisë mbetën pa to. Pas vendimit të gjykatës, në rrjetet sociale nuk munguan reagimet e investitorëve, të cilët ngritën të njëjtën pyetje: "Po paratë tona?"

Përveç Hui Ka Yan, gjykata dënoi edhe 56 persona të lidhur me Evergrande. Pesë drejtues të tjerë të lartë morën dënime me burg nga 6 deri në 18 vjet. Ndërkohë, Evergrande u gjobit me 8.82 miliardë juanë, ndërsa kompania e saj kryesore, Hengda Real Estate, me 7 miliardë juanë.

Rrëzimi i Evergrande mbetet një nga rastet më të mëdha të kolapsit të një kompanie në Kinë dhe një nga goditjet më të forta për sektorin e pasurive të paluajtshme në vend.