Shirat e rrëmbyeshëm në Kinë kanë shkaktuar 10 viktima dhe dëme të shumta në jugperëndim, përfshirë shembje ndërtesash dhe rrëshqitje dherash.

Autoritetet kanë evakuuar 21,784 persona pas reshjeve intensive që goditën disa zona, përfshirë qytetet Chengdu dhe Zigong.

Në provincën Sichuan, pesë persona humbën jetën pasi uji i shiut u grumbullua në çatinë e një ndërtese dhe shkaktoi shembjen e një muri gjatë një feste për studentët që kishin kaluar provimet e pranimit në universitet.

Tre persona të tjerë humbën jetën në një banesë në qarkun Changning të Sichuanit, ndërsa dy persona vdiqën në një spital ku po trajtoheshin 17 të plagosur.

Autoritetet e Sichuanit kanë lëshuar paralajmërime për reshje të dendura dhe rrezikun e fatkeqësive natyrore, ndërsa shirat kanë shkaktuar bllokimin e rrugëve në zonat malore të Garze dhe Aba.

Ndërkohë, në provincën Guangxi, autoritetet po hetojnë shkaqet e një rrëshqitjeje dheu në një kantier ndërtimi. Pesë persona mbetën të bllokuar nën dhera dhe u nxorën nga ekipet e shpëtimit pa ndjenja.

Provinca Guangxi, ashtu si shumë zona të tjera të Kinës jugperëndimore, është përballur me reshje të dendura që prej fillimit të verës.