Mbërritja e tajfunit Bavi solli një spektakël të pazakontë në qiellin e disa qyteteve në Kinë, të cilat u ngjyrosën me nuanca të forta të kuqe, vjollcë, rozë dhe portokalli.
Të shtunën pasdite, shumë përdorues ndanë në rrjetet sociale foto dhe video të fenomenit, duke treguar ndryshimin e ngjyrës së qiellit disa herë brenda rreth 20 minutash.
Sipas mediave lokale, ky fenomen riktheu në kujtesë një proverb të lashtë kinez: “Nëse qielli skuqet në perëndim të diellit, një tajfun do të mbërrijë brenda tri ditësh.” Një thënie popullore që, në këtë rast, duket se ka gjetur një konfirmim mbresëlënës.
Shpjegimi shkencor për këtë fenomen është se qarkullimi i jashtëm i një tajfuni transporton sasi të mëdha lagështie, kripë deti dhe grimca të imëta në shtresat e larta të atmosferës, duke formuar re të holla në një zonë të gjerë. Kur dielli ndodhet pranë horizontit, këto grimca shpërndajnë gjatësitë valore më të shkurtra të dritës blu, duke lejuar që të dominojnë nuancat e kuqe dhe rozë, duke krijuar ngjyrat spektakolare të qiellit.
Edhe pse pamja është mahnitëse, një qiell i tillë rozë mund të tregojë se do të pasojnë erëra më të forta dhe reshje më të dendura shiu.
Komente





