“Qyteti i një mbi një dritareve” mbetet një nga pikat më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës në Shqipëri. Për të vizituar kalanë kanë mbërritur turistë nga Spanja, Polonia , Kroacia , Gjermania , Franca etj. Ky çift nga Spanja tregon arsyen pse zgjodhën Beratin.
“Jam nga Basi vendi ndërmjet Spanjës dhe Francës. Jam këtu me familjen time, erdhëm dje, është qytet i bukur dhe morëm informacion nga zyra e informacionit, shtetit rreth qytetit, vizituam kalanë dhe lagjet e vjetra. Kemi ardhur nga Tirana në Berat për tre dite me biçikletë dhe këtu po e shijojmë gjithçka. Do të qëndrojmë në Shqipëri deri në fund të gushtit për të vizituar gjithë vendin . Do t’i rekomandoja gjithsecilit që të ta vizitojnë Shqipërinë dhe Berati është një qytet shumë i këndshëm historik dhe njerëzit jenë shumë mikpritës", thanë ata.
Fundi i pandemisë solli edhe bum-in e turistëve, sidomos gjatë muajve maj e qershor. Pranë zyrës së "info point" paraqiten çdo ditë rreth 30 turistë që kërkojnë informacion për Beratin.
“Çdo vit shikojmë një prurje më të madhe nga numri i vizorëve që vijnë në zyrën e informacionit dhe nga ana jonë serviret harta e qytetit dhe gjërat e tjera që lidhen me kërkesat e turistëve", tha Xhunejd Shehu, specialisti i turizmit pranë info Point.
Krahasuar me vitin e kaluar numri i vizitorëve është disa herë më i lartë. Kështu nga janari deri në qershor 16 mijë persona janë regjistruar si vizitorë në kalanë e beratit.
“Numri i turistëve është duke u rritur dhe të dhënat nga biletaria e Kalasë tregojnë një rritje të vrullshme sidomos 2 muajt e fundit. Mesatarisht deri në fund të muajit qershor kemi 16 mijë vizitorë të regjistruar. Tendenca është në rritje kryesisht turistët vijnë nga vendet e lindjes së Europës, Polonia, Bjellorusia por edhe Serbia dhe të dhënat janë të mira”, u shpreh Përgjegjësi i sektorit te turizmit, Miklor Pasko.
Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që qyteti i Beratit tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që kjo zonë mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve. Vetëm 90 minuta nga Tirana, Berati ofron histori traditë, mikpritje, kulinari dhe akomodim me çmime të arsyeshme.