Fundi i politikës

Fundi i politikës
Më 1 prill politikanët kanë leje për të mos thënë të vërtetën, por këtë vit ata ishin të vërtetë, nuk gënjyen. Kryeministri i dha leje partnerit kryesor të tij në qeveri të kalojë në opozitë në dy-tre muajt e ardhshëm. Kryetari i opozitës pranoi ofertën e qeverisë, duke refuzuar mocionin e mosbesimit, dhe vendosi ta shndërrojë rilindjen e tij në një pazar tipik ballkanik.

Vetë LSI, deri tani forcë përcaktuese në qeveri dhe simbol i keqqeverisjes zgjodhi ecjen në dy kahe paralele: do të jetë në opozitë dhe në qeveri. Në opozitë për të gjetur shtegun e fundit për mbijetesë në politikë, në qeveri për të këmbyer votën parlamentare me ruajtjen e vendeve të punës për militantët e saj në 80 ditët e ardhshme.

Akti i kalimit të 20% të pushtetit në opozitë ndodhi në mënyrën më pak të moralshme dhe më pak institucionale. Nuk pati mbledhje të tryezës së koalicionit për të bërë bilancin 4 vjecar të bashkëqeverisjes, nuk pati analiza nëpër ministri apo në strukturën parlamentare, nuk pati mbledhje strukturash dhe as deklarime për mëdian.

Thjesht kryetarët – pronarë të PD dhe LSI u takuan për 20 minuta, ranë dakord të “ndahen” dhe pak metra larg tyre kandidati në hije për kryeministër pranoi shkëmbimin, duke sakrifikuar parimet politike të promovuara prej tij prej 8 vitesh. Kështu, koalicioni amoral dhe personal i vitit 2009 u mbyll me të njëjtën mënyrë dhe cilësi, në formë amorale dhe personale.

Gjithcka në emër të interesave të integrimit, në emër të reformimit dhe pragmatizmit politik, pra në emër të të njëjtat premtime që bënë palët ditët kur iu sulën zyrave të shtetit për të grabitur gjithcka gjetën aty, iu sulën Gërdecit për të sakrifikuar 26 jetë për ca milionë euro fitim, iu sulën tokave e pronave publike e private për të privatizuar me cmime qesharake gjithcka për veten, familjen dhe klientët e pushtetit, iu sulën institucioneve kushtetuese dhe i shndërruan ato në figura pa zë, pa ngjyrë, pa erë dhe pa përmbajtje.

Nga sot nuk ka më ndonjë limit midis të drejtës dhe të padrejtës, midis moralit dhe amoralitetit politik, midis politikës së re dhe asaj të vjetër, midis rilindjes dhe vazhdimësisë, midis Sali Berishës, Ilir Metës, Edi Ramës dhe kujdo politikani tjetër të kësaj kategorie, - të cilët hynë, janë e mbeten në politikë me të njëjtin qëllim të vetëm: pushtetin personal.

Të tre u thanë partive të tyre se përgjegjësia është personale pasi zgjedhjet vendosin fatin e tyre personal, dhe kështu, të tre pranuan me zë të lartë atë që të gjithë dinim me zë të ulët se kjo klasë politike ka kaluar çdo limit, çdo kufij arsye, çdo prag moral dhe se janë e mbeten përgjegjës direkt për keqqverisjen me rotacion në dekadën e fundit.

Skenarët e rinj janë të shumtë: LSI mund të ruajë vendet në administratë në shkëmbim të votës, PS mund të marrë më shumë vota në zgjedhje, PD mund të shpresojë të sigurojë mandate për të kushtëzuar rolin e saj nesër në opozitë, më 24 qershor LSI mund të rikalkulojë mandatet majtas e djathtas, mund të kemi blerje deputetësh për të arritur ose shmangur mocionin e mosbesimit për qeverinë, siç mund të kemi rezultat nul elektoral: barazinë e dy palëve dhe daljen në skenë të një forcë të tretë politike përcaktuese për qeverisjen e ardhshme.

Në politikë rrallë ndodh që 1+1 të bëjnë 2, ndaj edhe të gjithë skenarët janë të hapur. Por ajo që dihet më siguri është se besimi në sistemin demokratik dhe vlerat e demokracisë ka marrë një goditje të fortë, se PD-PS janë gjithnjë e më identike në sjelljën e tyre politike, se me LSI u krijua modeli antikushtetues i parcelizimit ekonomik të pushtetit dhe se shoqëria shqiptare është e mbetet peng i një sistemi tërësisht korruptiv dhe amoral politik.

Demokracia ka privilegjin se ekzistojnë gjithnjë mekanizma korrigjimi përmes votës. Pas ditës së djeshme është rritur ndjeshëm presioni publik për një politikë të re, për norma morale në politikë, për reagim civil e qytetar, si dhe zhgënjimi tek tre palët e pazarit bashkë me liderit e tyre. Raste të tilla krijojnë realitete të reja.

Psh, nga njëra anë dje pati disa individë e grupe që gjetën alibi për të ndërruar banesë dhe flamur politik, siç sistemi mund të imponojë shkrirjen e disa partive të vogla në shkëmbim të futjes së emrave të kryetarëve në lista të sigurta. Nga ana tjetër rriten shanset për grupimet e reja politike të “zgjohen”, të reagojnë, të marrin përgjegjësinë për të përfaqësuar shumicën qytetare kritike dhe të ofrojnë garanci publike se për asnjë arsye nuk do të ndjekin të njëjtin shembull abuziv dhe negativ, si PD, PS e LSI.

Më 23 qershor do të ketë rotacion politik, ky është tashmë akt formal, por i pamjaftueshëm. Me 23 qershor vendi ka nevojë për një rotacion sistemi, për ndarjen nga sistemi korruptiv i pazareve personale të pushtetit, ndarjen e shtetit nga turmat militante të partive, ikjen nga praktika e parcelizimit të pushtetit dhe vendosjen e normave morale, politike dhe etike në themel të cdo mazhorance dhe vendimmarrje të re politike.

Shqipëria ka nevojë për rotacionin e parë të lidershipit politik, pra kalimin në pension politik të kryeministrit aktual, por edhe ndalimin me votë të asaj që media e cilëson me të drejtë “rilindja me bllok në dorë”, pra për të imponuar zëvendësimin formal të modelit Berisha – Meta me atë identik Rama-Meta pa prekur sistemin abuziv.

Për ata politika është mjeti për arritjen e qëllimit, njerëzit janë numrat në lojë, shteti e institucionet janë simbole pa domethënie dhe përgjegjësia publike mbetet fjalë e huaj. Aty nuk ka më politikë, ka pazare dhe shitblerje.

Aty nuk ka përgjegjësi, ka biznes dhe tender ku shteti, mandatet, demokracia shihet si mall tregu, që i jepet/shitet/ofrohet prurësit më të parë dhe cmimit më të lartë, pavarësisht kostove morale e institucione për vetë qytetarët dhe vendin. Fundi i politikës mund të sjellë fundin moral të demokracisë. Ndaj duhet rikthyer politika, që të rikthehen shanset për ringritje morale dhe më shumë besim tek sistemi demokratik.

Një shoqëri tranzicioni mund të ketë krizë ekonomike, mund të ketë probleme funksionimi, mund të gabojë, të eksperimentojë, por nëse ajo nuk reagon, nuk gjen forcë për ringritje morale, nëse nuk korrigjohet dhe heq dorë nga përsëritja e të njëjtave gabime, - atëherë rrezikon gjithçka, përfshirë identitetin, qytetarinë, të sotmen dhe të ardhmen e saj.

Kjo sfidë kërkon përgjigje dhe që sot, përgjigjia nuk pritet të vijë më nga oborri blu i Berishës, ai rozë i Ramës apo karafili i kuq midis tyre. Zgjidhja është jashtë tyre dhe nëse gjendet, na bën më të fortë, më europianë dhe brenda nesh na cliron dyfish: ne nga pashallarët abuzivë të partitokracisë dhe vetë politikën nga tregtarët e pamoralshëm të votës dhe të vdekjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës