Charles Leclerc pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të tregut të pilotëve në Formula 1 në fund të këtij sezoni. Sipas mediave italiane, piloti i Ferrarit mund të largohet nga Maranello nëse projekti sportiv nuk përmbush pritshmëritë gjatë muajve të ardhshëm.

Pavarësisht talentit të padiskutueshëm, teksa vetëm 10 pilotë në historinë e Formula 1 kanë regjistruar më shumë pozicione “pole” se ai, Leclerc nuk ka arritur ende të shndërrojë shpejtësinë e tij në titull kampion. Që prej bashkimit me Ferrarin në vitin 2019, monegasku ka përfunduar në katër vendet e para të kampionatit tri herë.

Sezoni i ardhshëm shihet si vendimtar. Ndryshimet e rregullave mund t’i japin Leclerc një avantazh në duel me Lewis Hamilton brenda ekipit, por gjithçka do të varet nga konkurrueshmëria e njëvendëshes SF-26 ndaj rivalëve kryesorë.

Në këtë kontekst, raportohet se Leclerc po shqyrton mundësi të tjera, pavarësisht kontratës afatgjatë me Ferrarin. Aston Martin është shfaqur menjëherë si destinacioni më i mundshëm, me skuadrën britanike që po ndjek nga afër situatën dhe është e gatshme të bëjë ndryshime në përbërje, madje edhe të heqë dorë nga Lance Stroll për të siguruar shërbimet e pilotit monegask.

Sipas një raporti të 'AutoMoto', Leclerc ka në kontratë një klauzolë lirimi që mund të aktivizohet në fund të sezonit 2026, në varësi të performancës së Ferrarit. Aston Martin konsiderohet “opsioni i parë” nëse ai vendos të largohet.