Fundim Gjepali është “executive chef” në restorantin “Arco Antico” në qytetin e Romës, i specializuar në pjatat me përbërës tipik mesdhetarë. Fundimi, 33 vjeç, banon në Romë që nga viti 1996 dhe ditën e shtunë është bërë personazh i një artikulli të Corriere della Sera që e ka konsideruar si eksponent të kuzhinës elitare italiane.

Në artikullin e gazetës prestigjioze Fundimi ka deklaruar se është produkt i “emigracionit shqiptar”. Në fakt kuzhinieri i lindur në Shijak, është nisur drejt Italisë në vitin 1996, kur ishte vetëm 14 vjeç, me ëndrrën për një jetë më të mirë matan Adriatikut, por jo pa problematika dhe mund.
 
Në artikull në fakt Fundimi pranon se fillimisht, si i mitur, ka punuar si lavapjatës në një restorant në qendër të Romës gjer sa u pikas nga një shef kuzhine që filloi t’i mësonte hapat e para në zanat. Jo vetëm, Fundimi në dy vitet e para gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin italian ishte pa dokumente me statusin “klandestin”.

Tashmë, baba i dy fëmijëve, 18 vjet pas emigrimit të tij ai është një nga kuzhinieret më të afirmuar në Itali duke fituar vitin e kaluar dhe çmimin e parë në “Gran Prix Internazionale della Cucina Mediterranea” në qytetin e Napolit. I gjithë ky sukses, sipas Fundimit është fryt i pasionit, i një sërë kursesh dhe specializimesh dhe i një pune të pandalshme.

Suksesi i Fundim Gjepalit në fushën e kuzhinës, sipas Corriere della Seras, është gërshetimi i kuzhinës italiane me atë shqiptare në bazë me përbërës tipik mesdhetar, por bio. Dhe ky detaj i fundit, sipas kuzhinierit, është trashgimi e kulturës familjare e shqiptare (në përgjithësi) në gatim. Specialiteti i tij mbetet mish i qingjit i gatuar me përbërës të të dy vendeve.
 
Gjithashtu Fundimi është angazhuar nga FAO (Organizata e OKB për Ushqimin dhe Agrikulturën) vitin e kaluar për të demonstruar se si mund të gatuhet një pjatë e klasit të lartë pa flakur e pa shpërdoruar ushqimet që mund të riciklohen. Edhe kjo praktikë e fundit, sipas gazetës italiane, është diçka që Fundimi e ka trashëguar nga kultura e tij mëmë.

I pyetur nga Corriere della Sera se si ka mundësi që në kuzhinën italiane të klasit të lartë ka shumë eksponent me origjinë shqiptare, Fundimi përgjigjiet së është gjë mëse normale, një fryt i një emigracioni që ka goxha vite, me djem e vajza që janë rritur në vendin pritës.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)