Policia e Tiranës ka kërkuar me shkrim edhe një deklaratë të Elton Tozaj, gazetar i showbizit që foli për herë të parë publikisht për ekzistencën e videove intime të kompozitorit Adi Hila me disa artiste të njohura. Ai postoi në rrjetet sociale foto me momente nga këto video, duke ruajtur imazhin e grave, por publikisht i ka identifikuar me emra disa nga personazhët e njohur që kanë pasur raport me Adrian Hilën.

Ai pretendon se nuk është ai autori i shpërndarjes së videove që “vërshuan” kryesisht në WhatsApp, por vetëm ka raportuar.

“Unë, Elton Tozaj, në cilësinë time si gazetar dhe krijues përmbajtjeje mediatike, paraqes këtë deklaratë për të sqaruar në mënyrë të plotë rrethanat në të cilat kam marrë dijeni për disa video intime që qarkullonin në aplikacionin ËhatsApp, si dhe veprimet që kam ndërmarrë pas marrjes së këtij informacioni. Dëshiroj të theksoj që në fillim se në asnjë moment nuk kam qenë personi që ka prodhuar, regjistruar, publikuar apo shpërndarë videot intime në fjalë.

Në një moment të caktuar, nëpërmjet aplikacionit WhatsApp, më janë dërguar nga persona të tjerë disa materiale/video intime, të cilat, sipas asaj që munda të konstatoja, u përkisnin personazheve të ndryshëm. Duke qenë se jam gazetar dhe duke e konsideruar këtë një fenomen serioz që lidhet me shpërndarjen e paautorizuar të materialeve intime, reagova publikisht në rrjetet e mia sociale.

Qëllimi i reagimit tim ishte denoncimi i fenomenit dhe informimi i publikut, jo përhapja apo promovimi i materialeve intime. Në reagimin tim publik kam folur për faktin se materiale të tilla po qarkullonin dhe kam dënuar publikisht atë që e konsiderova një fenomen të rëndë dhe të papranueshëm.

Theksoj në mënyrë kategorike se nuk kam publikuar në profilet e mia sociale video intime të personave të përfshirë. Nuk kam publikuar pamje pornografike dhe nuk kam pasur si qëllim t’i ekspozoj apo t’i dëmtoj personat që shfaqeshin në këto materiale.

Më vonë, nga informacionet që kam marrë dhe nga kërkimet që kam bërë pas publikimit të lajmit, kam mësuar se disa prej këtyre materialeve duket se kishin qenë të publikuara më herët në një faqe pornografike dhe, sipas informacionit që kam parë më vonë, mund të kishin qenë të pranishme në internet prej një periudhe shumë më të gjatë, përfshirë edhe më shumë se një vit.

Kjo është një rrethanë që unë nuk e kam ditur në momentin kur mora materialet në WhatsApp dhe reagova publikisht. Në këtë kontekst, dua të sqaroj se veprimtaria ime ka qenë ajo e një gazetari që ka raportuar mbi ekzistencën dhe qarkullimin e një lajmi/fenomeni, dhe jo e një personi që ka krijuar ose shpërndarë materialet intime. Për mua, detyra e një gazetari është të informojë publikun për një çështje me interes publik, duke respektuar kufijtë ligjorë dhe etikë, dhe jo të publikojë materiale pornografike apo të ekspozojë në mënyrë të panevojshme jetën intime të personave.

Pas marrjes së informacionit në lidhje me materialet intime, kam ndërmarrë gjithashtu një veprim që e konsideroj të rëndësishëm për t’u sqaruar: kam kontaktuar zonjën ..., të cilën e konsiderova si një person të dëmtuar nga qarkullimi i këtyre materialeve.

Në komunikimin tim me të, i kam sugjeruar që, në mënyrë urgjente, t’u drejtohej organeve kompetente të Policisë dhe të bënte kallëzimin përkatës, në mënyrë që autoritetet të mund të hetonin:

• kush i ka realizuar ose regjistruar këto materiale;

• në çfarë rrethanash janë realizuar;

• kush i ka publikuar fillimisht;

• kush i ka hedhur në faqet e internetit;

• kush i ka shpërndarë më pas në WhatsApp dhe platforma të tjera;

• si dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në shpërndarjen e tyre.

E kam bërë këtë pikërisht sepse mendoj se një person që pretendon se është dëmtuar nga publikimi ose shpërndarja e materialeve intime duhet të ketë mundësinë që çështjen ta ndjekë përmes organeve ligjzbatuese dhe jo të mbetet vetëm në nivelin e rrjeteve sociale apo mediave.

Dua të theksoj gjithashtu se fakti që unë kam qenë ndër personat që e bëri publikisht të njohur ekzistencën e këtij lajmi nuk do të thotë në asnjë mënyrë se unë kam qenë burimi, autori, publikuesi apo shpërndarësi fillestar i videove. Në momentin kur unë reagova publikisht, sipas informacionit që kisha marrë, materialet intime tashmë qarkullonin në WhatsApp dhe në kanale të tjera.

Për këtë arsye, e konsiderova të rëndësishme të flisja publikisht për fenomenin dhe ta denoncoja atë. Është për mua veçanërisht shqetësuese që, në vend që vëmendja të përqendrohet tek personat që kanë prodhuar, publikuar dhe shpërndarë paautorizim materiale intime, është tentuar ose është aluduar që emri im të lidhet me këtë çështje vetëm për faktin se unë pata guximin ta bëja publike ekzistencën e lajmit.

E konsideroj të padrejtë dhe shumë të dëmshme çdo përpjekje për të krijuar përshtypjen se gazetari që raporton mbi një material të paligjshëm është automatikisht personi që e ka publikuar atë material. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj plotësisht me organet kompetente dhe të vë në dispozicion çdo informacion, komunikim, screenshot, mesazh apo të dhënë që mund të kem dhe që mund të ndihmojë në sqarimin e plotë të rrethanave.

Nëse është e nevojshme, jam gjithashtu i gatshëm të shpjegoj në mënyrë të detajuar kur dhe nga kush më janë dërguar materialet, në çfarë forme i kam marrë, çfarë kam publikuar konkretisht në rrjetet e mia sociale dhe çfarë informacioni kam pasur në dispozicion në momentin e publikimit.

Qëllimi im ka qenë dhe mbetet raportimi gazetaresk dhe denoncimi i një fenomeni që prek privatësinë dhe dinjitetin e personave të përfshirë. Në asnjë moment nuk kam pasur qëllim të publikoj, shpërndaj apo të përfitoj nga materialet intime të personave të tjerë.

Për këtë arsye kërkoj që çdo pretendim apo aludim që më lidh me publikimin ose shpërndarjen e këtyre materialeve të verifikohet mbi bazën e provave konkrete dhe të dhënave objektive, dhe jo mbi faktin e thjeshtë se unë kam raportuar publikisht për ekzistencën e tyre. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me Policinë dhe çdo organ tjetër kompetent për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje dhe identifikimin e personave që kanë realizuar, publikuar dhe shpërndarë materialet intime.


Lajmi kryesor:

Skandali i videove intime, kompozitori Hila nën hetim, filmoi artistet pa dijeni! Njëra prej tyre denoncon në polici: Gjeni kush shpërndau pamjet