Ndërsa kombi i Britanisë së Madhe vazhdon të mbajë zi për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II, ditën e sotme arkivoli i Mbretëreshës u nis nga Balmoral rreth orës 10:00 dhe ka mbërritur në Edinburg. Më 19 shtator, në orën 11:00 (sipas orës lokale) do të bëhet ceremonia shtetërore e varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Kortezhi me trupin e Mbretëreshës Elisabeta II udhëtoi sot nga kështjella Balmoral për në Edinburg, ku do të qëndrojë për nderimet e fundit. Mijëra njerëz dolën në rrugë dhe hodhën lule në drejtim të arkëmortit duke nderuar monarken që mbretëroi 70 vjet.
Një kortezh prej shtatë automjetesh shoqëroi makinën ku ndodhet trupi i Mbretëreshës, në udhëtimin drejt Pallatit të Holyroodhouse, në Edinburg. Arkivoli, i mbështjellë me flamurin skocez dhe buqetë me lule, kaloi portat e Balmoral ndërsa mijëra njerëz kanë dalë në rrugën që do të ndjekë kortezhi për të nderuar Mbretëreshën.
Mbreti Charles III ditën e sotme, në Pallatin Buckingam takoi Sekretarët e Përgjithshëm, si dhe Komisionerët e Lartë nga 14 vendet e Komonuelthit, në të cilat monarku konsiderohet si kreu i shtetit të tyre.
Mbreti Charles III kaloi ditën e dytë në Londër, një ditë e dedikuar e gjitha për Komonuelthin. Një shans për Mbretin e ri për të treguar angazhimin e tij ndaj një komponenti thelbësor të trashëgimisë së nënës së tij.
Në Pallatin Buckingham, Mbreti Charles III takoi Sekretarët e Përgjithshëm, si dhe Komisionerët e Lartë nga 14 vendet e Komonuelthit që ende e konsiderojnë monarkun si kreun e shtetit të tyre, përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re.
Mbreti i ri e di se do të ketë momente gjatë mbretërimit të tij kur anëtarët e Komonuelthi mund të vendosin ose jo që të ndërpresin lidhjet e tyre me monarkinë dhe të deklarohen republikë, si rasti i Barbados vitin e kaluar.
Xhamajka dhe Antigua dhe Barbuda mund të jenë ndër të parët. Por, Komonuelthi mbetet një familje e madhe kombesh, e cila ende tërheq anëtarë të rinj. Gaboni dhe Togo u bashkuan vetëm këtë verë.
Fotografitë e Mbretëreshës Elizabeth II , shfaqnin shpesh atë teksa ajo udhëtonte me një makinë “Range Rover” të blinduar ose një "Bentley". Elizabeth II zotëronte makinën e dytë më të shtrenjtë në botë, një “Bentley State”.
Sigurisht, makina kishte disa specifika shumë unike, përveç faktit që mbante çiftin mbretëror më të famshëm në botë.
Në vitin 2002, Mbretëresha Elizabeth II mori si dhuratë një limuzinë Bentley State, me vlerë 10 milion £ (11.5 milion €, për të shënuar "Jubileun e Artë" të saj! Në atë kohë ajo ishte makina e dytë më e shtrenjtë në botë.
Për t'u siguruar që monarkja ishte e sigurt në rast se automjeti sulmohej, ai ishte i pajisur me pajisje dhe specifika të ndryshme. Ai kishte goma të përforcuara me Kevlar për të mbrojtur rrotat nga thumbat e rrugës, një kabinë pasagjerësh rezistente ndaj shpërthimit dhe dyer të blinduara.
Përveç kësaj, pjesa e brendshme e Bentley-t mund të bëhej shpejt hermetike në rast të një kërcënimi ajror, si p.sh. një sulm me gaz kimik, ndërsa xhami dhe bagazhi i limuzinës u përforcuan posaçërisht për të mbrojtur pasagjerët nga shpërthimet aty pranë.
Natyrisht, automjeti ishte përshtatur për shijen e Mbretëreshës dhe projektuar duke pasur parasysh komoditetin e monarkes. Për shembull, kabina e pasagjerëve ishte projektuar që të ishte sa më e dukshme, pasi Mbretëresha shpesh përshëndeste turmat e mbledhura ndërsa kalonte me makinë.
Mbretëresha mund t'i paketonte në mënyrë të sigurt gjërat e saj dhe dyert ishin vendosur në një mënyrë të caktuar në mënyrë që ajo të mund të hynte dhe të dilte nga makina me lehtësi.
Është marrë parasysh edhe lartësia e kabinës në mënyrë që mbretëresha të mos përkulej kur hynte në automjet. Për sa i përket dekorimit, sediljet e pasme ishin të zbukuruara me lesh qengji dhe kishin hapësirë shtesë për këmbët.
Arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth II ka mbërritur në Edinburg, ku mijëra njerëz janë duke pritur në Royal Mile.
Mbretëresha Elizabeth II ka lënë një letër sekrete që mbahet Brenda një kasaforte në ndërtesën historike të Mbretëreshës Victoria të Australisë. Letra nuk duhet të hapet për 63 vjet të tjera, ndërsa ka 36 vjet që mbahet aty.
Letra është shkruar nga Mbretëresha në nëntor 1986 gjatë një vizite shtetërore në Sidnei. Gjithashtu janë dhënë udhëzime të qarta se kur përmbajtja e letrës duhet të zbulohet për publikun.
Në letrën e shkruar nga Mbretëresha drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Sidneit, Australi thuhet: “Përshëndetje. Në një ditë të përshtatshme të zgjedhur nga ju në vitin 2085, ju lutemi hapni këtë zarf dhe përcillni tek qytetarët e Sidneit mesazhin tim për ta.”
Ndërtesa në të cilën ruhet kasaforta u përurua në 1898 për t'i bërë nderime Mbretëreshës Victoria në jubileun e saj të Diamantit.
Monarku britanik mbetet kreu i shtetit në Australi. Në vitin 1999, vendi pati një referendum për të vendosur nëse donte të bëhej republikë. Megjithatë, 54% e popullsisë në atë kohë mbajti anën e Mbretëreshës duke vendosur që të mbetet kreu i shtetit. Për rrjedhojë, posti i kreut të shtetit të Mbretëreshës mbeti i pashfuqizuar.
Mbretëresha e ndjerë vizitoi për herë të parë Australinë në vitin 1954. Ajo ishte monarkja e parë në fuqi që vizitoi vendin. Në total, Mbretëresha Elizabeth II e ka vizituar Australinë 16 herë.
Arkivoli që mban trupin e Mbretëreshës është aktualisht rrugës për në Edinburg, ku do të lejojë publikun skocez të bëjë nderimet e tyre deri të martën në mbrëmje.
Kortezhi që po shoqëron makinën e funeralit do të mbërrijë në kryeqytetin skocez rreth orës 16:00. Destinacioni i parë është Pallati i Holyroodhouse ku rojet e nderit nga Regjimenti Mbretëror i Skocisë, do të kryejnë përshëndetje mbretërore në oborr.
Arkivoli do të transferohet nga ushtria për në dhomën e fronit të pallatit. Ngjashëm me mënyrën se si u vendos arkivoli në një sallë në Balmoral, ashtu do të qëndrojë në dhomën e Fronit për të lejuar stafin e shtëpisë t'i bëjë nderimet e fundit monarkes.
Të martën, arkivoli do të qëndrojë poshtë Royal Mile në Katedralen e St Giles për një shërbim lutjeje dhe reflektimi ku do të marrin pjesë Mbreti dhe Mbretëresha dhe anëtarët e familjes mbretërore, si dhe një grup njerëzish "nga të gjitha fushat e shoqërisë skoceze".
Më pas, arkivoli do të pushojë atje për 24 orë për të lejuar publikun skocez ta shohë dhe të japë nderimet.
Britanikët kanë dalë në rrugë teksa kalon autokolona e mjeteve që po transporton trupin e mbretëreshës Elizabeth II. Në një moment qytetarët kanë hedhur lule mbi makinën e Mbretëreshës në Banchory.
Banchory është një nga fshatrat nëpër të cilat ka kaluar makina gjatë rrugës nga Balmoral në Pallatin e Holyroodhouse në Edinburg.
Ndërsa kortezhi i funeralit u largua nga Banchory, turma e njerëzve që kishin dalë në rrugë filloi të duartrokiste.
Gjatë natës, janë zhvilluar prova në Edinburg, me anëtarët e ushtrisë duke u përgatitur për momentin kur makina që mban arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II të mbërrijë në Pallatin e Holyroodhouse.
Ushtria përdori orët e natës, kur nuk kishte turma njerëzish përreth, për t'u siguruar që cdo gjë të ishte e përsosur në në momentin kur të mbërrinte makina.