Funerali i një hidrauliku dhe vajtimi për kufomat politike

Funerali i një hidrauliku dhe vajtimi për kufomat politike

Sali Berisha

Ishte mëngjes me shi dhe vetëtima. Rrugët e Tiranës ishin mbingarkuar nga trafiku makinave. Së bashku me dy kolegë austriakë ndodhesha prej tre ditësh në Shqipëri për një projekt, dhe u nisëm 4 orë përpara drejt aeroportit të Rinas-it sepse mua më duhej të ndalesha 15 minuta në fshatin Laknas, i cili ndodhet pas QTU-së, në drejtim të rrugës së aeroportit. Një ditë më parë kishte ndërruar jetë babai një mikut tim dhe s’mund largohesha pa e ngushëlluar sepse i detyrohesha shumë.
Kur u afruam në shtëpinë e Afrimit, dy miqtë e mi austriakë, Michael dhe Johann, më kërkuan me ngulm që të më shoqëronin, ndoshta për kuriozotetin e një rituali funeral në Shqipëri.
Unë hezitova fillimisht, por nuk i kundërshtova.
Kur po hynim në vilën e Afrimit, dërgjoheshin ulërima dhe zëra të lartë nga dhoma e burrave.
Gratë vajtonin mbi xhenaze nga dhoma tjetër, ndërsa burrat debatonin me zë të lartë.
Heshtja pllakosi shtëpinë vetëm 2 minuta sapo më dhanë dorën mua dhe miqve të huaj, por pa u ulur mirë në karrige, prezenca jonë e ndezi më shumë sherrin në odën e burrave.
Ziheshin për “foltoren” e Berishës dhe dhoma ishte ndarë në tre grupe: Pro Berishës, pro Bashës dhe kundër të dyve.
Tensioni ishte shumë i lartë. Flisnin të gjithë njëkohësisht dhe herë pas herë, gjithsecili pas argumentit, shtonte nga një fjali: ……“Fol o Kreshnik, a kam të drejtë ç’ka them”.
Dy miqtë e mi u shtangën. S’po kuptonin çfarë po ndodhte dhe ç’ishin këta njerëz që ulërinin.
Johann më pyeti: “Kreshnik ç’po ndodh”.
I thashë: “Po debatojnë për një çështje politike”
Pse ma ktheu Johann: “Ai që ka vdekur ishte ministër apo deputet”
Jo jo i thash: “Ishte hidraulik”
Ouuuu u shtang Johann dhe shtoi: “Atëherë qenkan politikanë dhe deputetë këta që kanë ardhur për ngushëllim”
Buzëqesha dhe u zura ngushtë: “Jo jo aspak, të gjithë janë pa punë, vetëm këta të dy përballë kanë një qebaptore dhe birrari të vogël në fshat”.
Dy miqtë e mi, panë njëri-tjetrin në sy dhe nuk e zgjatën më listën me pyetje.
Pasi pimë kafet, dolëm me shpejtësi dhe u nisëm drejt aeroportit, dhe sigurisht që unë u përgatita për një “provim” të vështirë, që të sqaroja dy njerëz që shkelnin për herë të parë si në Shqipëri, se si në mes të një funerali, shqiptarët nuk vajtojnë të vdekurin, por kufomat e politikës.
Sapo Johann dhe Michael hapën gojën, unë i ndala: “Stop ju thashë! Kjo është Shqipëria. Fenomen tipik shqiptar. Debatojnë për politikë kudo në vdekje dhe dasma. Njerëzit janë të indoktrinuar dhe të fiksuar pas politikës. Politika në Shqipëri është bukë, ujë dhe gjellë. Njerëzit debatojnë kudo, në dasma apo xhanaze, në autobus apo në plazh”
Ouuuu ma ktheu Michael: “Po për profesionin e tyre nuk debatojnë aspak dhe pse duhet në një funeral mos merren me kujtimet për jetën e të vdekurit, por me problemet e politikanëve?”
Ehh mor mik i thash: “Ju s’keni parë gjë akoma. Nëse do hapni facebook-un e këtyre të papunëve dhe hidraulikëve do i shikoni të mbushura me statuse dhe analiza politike.
Dikur kishim 4 politikanë. Pasi u shpik Facebook-u, kemi 4 milion që grinden për 4 hajvanë”
Atë moment avioni u ngrit dhe unë ndërpreva bisedën duke parë nga dritarja: Tymin e plehrave që digjeshin në oborrin e çdo shtëpie, të cilat banorët përtojnë t’i çojnë te kazanët e mbaturinave, ashtu siç përtojnë të hedhin prej 30-vitesh plehrat e politikës, por i riciklojnë në hirin e tyre brenda oborrit tonë, i cili qelbet erë nga mbeturinat dhe kalbësirat e disa dekadave.
U përpoqa të mbyll hundët, jo për shkak të turbulencave të avionit, por për shkak të erës dhe tymit që depërtonte edhe në lartësinë e “atmofsferës” mbi re kur po ngrihej avioni.
Ishte e pamundur të qetësohesha, sepse veshët ende më buçisnin nga ulërimat e atyre që nuk qetësojnë dot shpirtrat e të vdekurve në mortin që ju ka rënë, për shkak të marrëzisë që kokat ju ka nxënë….

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 07/11/2021 00:50

    Ti Niku me ca pune merresh per vete? Apo ke akoma leke nga sekserlleku i Bamirit dhe ske nevoje te vaditesh me fushen e sportit. Interesant, ti, Nano, Rama dhe Bode keni miq te shtuar ne Austri. Apo i fut per kolor.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin