Shqetësimin për ndërtimin në zonën e mbrojtur të Butrintit e kanë shprehur edhe deputetë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë lokalë të degës së Sarandës. Drejt Butrintit ka udhëtuar deputetja e PD në Qarkun e Vlorës, Nadire Meçorapja, kryetari i degës së PD në Sarandë Hariz Mema e zyrtarë të tjerë kanë vizituar mëngjesin e kësaj të shtune qytetin antik të Butrintit, ku po ndërtohet në zonën e mbrojtur një biznes privat.

Problemi është ngritur nga Report Tv dhe Shqiptarja.com 10 ditë më parë, ndërsa Ministria e Kulturës ka pranuar se ka dhënë leje për shfrytëzimin e zonës së mbrojtur nga një përfaqësues privat. Punimet në Butrint vijojnë edhe sot e kësaj dite edhe pse policia ka pezulluar punimet në datën 2 tetor, ndërsa Prokuroria ka nisur një hetim. Tre ditë më parë ministrja e Kulturës Kumbaro u thërrit në komisionin parlamentar të Medias për të raportuar lidhur me atë që po ndodh në Parkun Arkeologjik.

Ajo u shpreh se në atë zonë po hidhet beton i varfëruar, por në fakt, nga ajo që ka rezultuar pas këqyrjes së planvendosjes së këtij projekti, betoni që po përdoret është i cilësisë normale për t'i rezistuar kohës. Nga këtu del qartë edhe mashtrimi i Ministrisë së Kulturës dhe tendeca për t'i shpëtuar llogaridhënies.