Në fillim mbërriti një njoftim i pazakontë nga agjencitë: Parada e Krenarisë (Pride) në Berlin, një nga më të mëdhatë në Evropë, ishte ndërprerë papritur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme për shkak të "një situate të vështirë", siç njoftuan organizatorët gjatë një shfaqjeje kushtuar Michael Jackson. Më pas pasoi kaosi: në ekranet gjigante pranë Portës së Brandenburgut u shfaq fjala "Evakuim", ndërsa organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve përmes Instagramit të largoheshin "me qetësi dhe në mënyrë të rregullt" nga zona e Tiergartenit, "mundësisht në drejtim të stacionit qendror". Turma e madhe nisi të largohej nga parku ku më herët ishte zhvilluar marshimi festiv dhe paqësor në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTQ+.
Ishte një largim në errësirë, mes panikut dhe pa shumë informacion. Pjesëmarrësit nuk e dinin arsyen e evakuimit të menjëhershëm apo pse shfaqja ishte ndërprerë në mes. Më pas erdhi edhe konfirmimi i frikës më të madhe. Mediat lokale, mes tyre edhe Tagesspiegel, raportuan se rreth orës 22:00 kishte ndodhur një sulm: një furgon i bardhë ishte përplasur me shpejtësi të madhe mbi turmën në zonën e Lennéstrasse, duke shkaktuar një viktimë, një gru, sipas policisë së Berlinit cituar nga Der Spiegel, si edhe 16 të plagosur, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë.
Mbi 40 zjarrfikës dhe dhjetëra ambulanca mbërritën në vendngjarje për t'u dhënë ndihmën e parë të plagosurve, ndërsa zona u rrethua dhe parku u izolua gradualisht nga forcat e sigurisë. Sipas dëshmitarëve të cituar nga gazeta Bild, autori braktisi furgonin pasi përplasi turmën dhe u përplas me një pemë. Po sipas dëshmive, ai kishte edhe një armë të ftohtë me të cilën goditi disa persona të tjerë përpara se të arratisej në këmbë.
Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e cilësoi ngjarjen si "një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur". Reagoi edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili deklaroi: "Do të punojmë me vendosmëri të plotë për të hetuar deri në fund këtë akt të neveritshëm dhe për të siguruar që autori të marrë dënimin që meriton."
Hetimet dhe i dyshuari
Autori i sulmit vijon të jetë në arrati. Policia bëri të ditur se ekziston një i dyshuar, Abdul B., 21 vjeç, i cili sipas autoriteteve njihet për lidhje me "rrethe islamiste". Sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA, ai ishte liruar nga një qendwr riedukimi për të rinj në maj të vitit 2026.
Për ta gjetur në parkun e madh të Tiergartenit, që shtrihet për kilometra në perëndim të Portës së Brandenburgut, policia angazhoi edhe dronë dhe një helikopter. Megjithatë, dëshmitë mbi autorët janë kontradiktore. Disa persona kanë deklaruar se panë një burrë të veshur me të zeza, i armatosur si një maçok (machete). Zona përreth vendit të ngjarjes u izolua plotësisht dhe parku u kontrollua me kamera termike.
Nuk është ende e qartë nëse autori i dyshuar ishte vetë drejtuesi i furgonit, por sipas gazetës Die Welt, automjeti ishte marrë me qira në emër të Abdul B.
Pak pas orës 01:00 të natës, policia bastisi një apartament në lagjen Schöneberg, jo shumë larg vendit ku zhvillohej Pride. Sipas hetimeve, Abdul B. jetonte aty me nënën dhe vëllezërit e motrat e tij. Një fqinj deklaroi për Die Welt se 21-vjeçari kishte muaj që mburrej se po përgatiste një sulm terrorist dhe shprehte vazhdimisht pakënaqësi për jetën e tij në Gjermani. Pavarësisht kërkimeve intensive, ai mbetet ende i zhdukur.
Qindra mijëra persona kishin marshuar gjatë ditës në rrugët e kryeqytetit gjerman në kuadër të Paradës së Krenarisë. Festa u ndërpre vetëm për shkak të protestave të dhunshme të disa ekstremistëve të djathtë, të cilat detyruan policinë të kryente një arrestim.
Berlini ka përjetuar edhe më parë një sulm të rëndë me automjet. Më 23 dhjetor 2016, terroristi islamik Anis Amri përplasi me një kamion tregun e Krishtlindjeve në Breitscheidplatz, në lagjen Charlottenburg. Nga ai atentat humbën jetën 12 persona, mes tyre edhe shtetasja italiane Fabrizia Di Lorenzo.
Komente









