Rreth 180 objekte apo hyrje në pallatet e vjetra në Vlorë janë pjesë e fazës së parë të projektit të ujësjellësit për furnizimin 24 orë me ujë në qytet. Projekti ka nisur tashmë zbatimin në Vlorë, duke përfshirë edhe këto objekte, të cilat janë ndërtime të viteve ’60–’70.

Gjatë zbatimit të projektit të ujësjellësit në këto pallate janë hasur vështirësi në ndërhyrje, kryesisht për shkak të vjetërsisë së objekteve. Për këtë arsye, në fazën e parë janë përfshirë 180 objekte, ku është implementuar ndërtimi i kolonave të brendshme dhe vendosja e kutive të matësve.

Drejtori i SHA Ujësjellës Vlorë, Ermal Murati, e cilësoi këtë fazë të parë të projektit në pallatet e vjetra si mjaft të rëndësishme, pasi siguron furnizim 24 orë me ujë për banorët, shmang përdorimin e bojlerëve dhe pompave të ndryshme të vendosura prej vitesh, si dhe garanton furnizim të barabartë për të gjithë.

Murati konfirmon se kjo fazë, e cila është pjesë e projektit të madh të ujësjellësit në Vlorë, pritet të përfundojë në muajin maj të vitit të ardhshëm. Sipas tij, kërkohet edhe mirëkuptimi i qytetarëve për të mos penguar procesin, ndërsa gjatë zbatimit synohet të mos ketë probleme në furnizimin normal me ujë të zonave të prekura.

Projekti i ujësjellësit në Vlorë realizohet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me KfW-në gjermane. Ky projekt përfshin tashmë edhe pallatet e ndërtuara në vitet ’60–’70 dhe synon furnizimin 24 orë me ujë, si dhe heqjen e bojlerëve të vendosur prej vitesh në tarracat e këtyre objekteve.