Tritan Shehu ka qenë administrator i kompanisë Shqiponja, e cila përdorej nga PD-ja për furnizimin me naftë të makinerisë së luftës së Millosheviçit, duke thyer embargon e vensosur nga OKB-ja. Kontrabanda e naftës është pranuar edhe nga vetë Berisha, me 'argumentin' se embargoja e vendosur nga OKB-ja penalizonte Kosovën.

Tritan Shehu mbajti një fjalim sot në Kuvend, ku i kërkoi llogari PS-së se pse nuk ka miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Deklarata e shehur vjen një ditë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli të katërt fajtorë për katër krime lufte: ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Akuzat për të cilat u shpallën fajtorë ish drejtuesit e UÇK përkojnë me akuzat e Sali Berishës ndaj UÇK në vitin 1999. Përmes gazetës Rilindja Demokratike, organ zyrtar i PD-së, Berisha akuzonte Hashim Thaçin për arrestime të paligjshme dhe për lista vdekjesh.

Fushata e dokumentuar e sulmeve, gjatë periudhës janar-maj 1999, konfirmon se Sali Berisha ka qenë një nga kundërshtarët më të vendosur të UÇK-së, në kuadër të planit të tij për diktuar pushtetin në duart e Ibrahim Rugovës dhe të kryeministrit të vetëshpallur në ekzil, Bujar Bukoshi.

Herë duke dalë vetë në skenë personalisht dhe herë përmes të besuarave të tij, Berisha e konsideronte UÇK-në bandë komuniste dhe marksiste, njësi guerile që kopjonte Che Guevar-ën në Kubë, i akuzonte për vjedhje fondesh, për financim nga Osama Bin Laden dhe si lojë e njerëzve të Millosheviçit dhe UDB-së. Berisha nuk e njihte qeverinë e krijuar drejtuesit e UÇK-së gjatë luftës, por vetëm Presidentin Rugova dhe qeverinë e Bukoshit në arrati.

Në 4 prill 1999. Genc Pollo dhe Arjan Starova sulmojnë në gazetën ‘RD’, Hashim Thaçin, drejtuesin politik të UÇK, teksa në Kosovë zhvilloheshin beteja të përgjakshme. Dy ditë më vonë, në 6 prill 1999, Edi Paloka shkruan në ‘RD’ se krijimi i qeverisë ‘Thaçi’ “po i shkakton çështjes kombëtare jo më pak dëme se sa po i shkakton Millosheviçi".

Në 11 prill 1999, kryeartikulli i gazetës ‘RD’ i konsideron njerëzit e UÇK si marksistë. Në artikull, thuhet se nderimi me grusht i komunistëve është simbol i qeverisë së Hashim Thaçit. Sipas gazetës së Berishës, UÇK arrestonte ata që nuk nderonin me grusht, ndërsa akuzohej ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi, se po mbështeste Thaçin.

Teksa Millosheviçi po kapitullonte dhe roli i UÇK ishte i padiskutueshëm, Berisha intensifikon sulmet, duke akuzuar drejtuesit e UÇK-së për vjedhje fondesh dhe për financime të dyshimta. Berisha vijonte të mos njihte qeverinë e Hashim Thaçit, duke e konsideruar si një bandë e diktuar nga të besuarit e Beogradit në Tiranë.

Në 18 maj 1999, Berisha jep një intervistë, ku pyetet për një përcaktim që i kishte bërë më parë UÇK-së në gazetën ‘The Time’, duke e quajtur “një grumbullim të bandave rivale të paafta, të pajisura keq dhe të stërvitura”. Narrativa e Berishës duke e konsideruar UÇK-në si bandë përkon me narrativën e Millosheviçit.