Dy persona u arrestuan në Tiranë gjatë një aksioni të koduar “White Pack” për të goditur shitjen e kokainës.

Në pranga ranë Ismet Daja 58 vjeç i dënuar më parë për krime ndaj jetës, dhe Kejdi Daja 26 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin.

Sipas policisë, dy të arrestuarit furnizonin me kokainë shpërndarësit në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut, të cilët më pas e ndanin në doza dhe e shisnin.

Gjatë aksionit, policia sekuestroi 1.3 kilogramë kokainë.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Siguronin lëndë narkotike kokainë në sasi dhe më pas ia shisnin shtetasve të tjerë, me qëllim ndarjen në doza dhe shitjen e saj në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Sekuestrohen 1 kg e 300 gramë lëndë narkotike kokainë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas do të shisnin një sasi lënde narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “White Pack”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

I. D., 58 vjeç, i dënuar më parë për krime ndaj jetës dhe K. D., 26 vjeç, familjarë me njëri-tjetrin.

Këta shtetas, në rrugën “Myslym Keta”, u kapën në flagrancë me një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën do t’ua shisnin personave të tjerë për ndarje në doza dhe shitjen e saj në zonat e Tufinës, Kinostudios dhe Freskut.

Gjatë kontrolleve fizike, në automjet dhe në banesat e tyre, u gjetën në total 1 kg e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua së bashku me automjetin dhe 2 celularët e të arrestuarve.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.