FUSHE-KRUJE- Rruga që lidh katër fshatra në zonën e Fushë-Krujës është në gjendje të mjeruar. Fshatrat Muriqan, Bilaj, Mazhe dhe Mallkuç prej vitesh udhëtojnë me shumë vështirësi drejt njëri-tjetrit dhe drejt akseve kryesore.

Rrugët janë me gropa dhe të pashtruara me asfalt dhe kjo situatë përkeqësohet edhe më shumë gjatë stinës së dimrit me nisjen e reshjeve të shiut, pasi balta dhe lluca bëhet një shqetësim i madh për këto zona.

Banorët e këtyre fshatrave janë ankuar vazhdimisht në institucionet përkatëse që rruga të rregullohet, por përveç premtimeve të dhëna asgjë nuk është bërë.

Ndërsa drejtuesit e automjeteve i bëjnë thirrje organeve shtetërore të marrin masa për rregullimin e rrugës pasi kjo situatë është e papërballueshme për ta.

Këto rrugë vazhdojnë të përkeqësohen që prej 15 vitesh dhe situata bëhet edhe më kritike në raste urgjencash mjekësore pasi të sëmurët nuk mund të transportohen në kohën e duhur.
(eç/shqiptarja.com)