Nga një tokë me prodhim të lartë bujqësor Fusha e Torovicës në Lezhë është kthyer në kënetë, për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme.

Përballë kësaj situate fermerët hezitojnë të mbjellin, pasi toka nuk jep rendiment.

Sipas tyre puna që nisi bashkia për hapjen e kanaleve kulluese është lënë përgjysmë dhe përmbytjet vijojnë  të përsëritet në këtë zonë.

Fermerët kërkojnë që të ndërhyhet, pasi shumë familje në këtë zonë e kanë të lidhur jetesën e tyre me bujqësinë.

“Fusha përmbytet çdo vit, sot akoma nuk është mbjellë gruri që zakonisht në tetor deri në fillim të nëntorit gruri këtu është i mbirë, akoma një pëllëmbë tokë nuk është mbjellë. Nuk është mbjellë sepse nuk është tharë akoma toka sepse është përmbytur, nuk kemi shpresë ta mbjellim. Vetëm ndonjë 2,3 dynym në kodër sa të kemi për bukë”, shprehet një banor.
 
Ndërsa një tjetër thotë: “ Është e përmbytur, nuk ka do përmbytet. Nuk largohet më uji deri në qershor. Gjysma e fushës së Torovicës nuk ka kanale”.
 
Problem për përmbytje është dhe hidrovori i cili ndodhet 2 metër mbi nivelin e tokës, e për pasoje nuk kryen dot kullimin.

Në këto kushte Fusha e Torovicës do të vijojë të përmbytet, pasi investimet për të zgjidhur këtë problem kapin një vlere të madhe.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com