SHKRIMI I PLOTE
Noli dhe shqipja
Duke iu qasur me predispozita negative poezisë së Nolit, sikundër edhe veprës dhe personalitetit të tij në përgjithësi, Sabri Hamiti, në librin Letërsia moderne shqipe, tekst shkollor për shkollat e mesme, i miratuar nga “Ministria e Arsimit” (nuk thuhet cila?) dhe i botuar e ribotuar disa herë nga shtëpia botuese “Libri Shkollor” (në këtë rast në Prishtinë), “ngrit”, herë-herë, probleme të paqena dhe bën vlerësime të paqëndrueshme. Cilat janë ato? Duke mos dashur të zgjatemi shumë, po ndalemi te dy-tri çështje si më të rëndësishme dhe që bien më shumë në sy gjatë shfletimit të tekstit në fjalë. “Noli e mësoi shqipen nga “Albania” e Konicës” - thotë autori i Letërsisë moderne shqipe. Këtë pohim ai ia mvesh vetë Nolit, por pa e dhënë burimin se ku (në cilën vepër) Noli paskësh deklaruar se “shqipen e kishte mësuar nga kjo revistë e Konicës”. Sigurisht ka menduar te Autobiografia, por një rilexim i kësaj vepre të lezetshme na bind se këto nuk janë fjalët e Nolit, por të autorit të librit Letërsia moderne shqipe, me të cilin nxënësit tanë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, e mësojnë Nolin dhe autorët e tjerë “modernë” të letërsisë shqipe, si: Fishta, Konica, Midhat Frashëri, Ali Asllani, Etëhem Haxhiademi e të tjerë. Është e vërtetë se te Autobiografia e tij, e shkruar, për modesti, në vetën e tretë, Noli pohon pa fije kompleksi: “Fan Noli mësoi mjaft nga Faik Konica, i cili ishte një burrë me kulturë të gjerë dhe ekspert i letërsisë frënge”, ndërsa revistën “Albania” e përmend vetëm në konstekst të përpjekjeve (të kota) të tij për ta siguruar këtë revistë dhe për t’u bërë korrespondent i saj nga Athina në vitin 1901 dhe asgjë më shumë.
Nuk na shkon mendja ta mohojmë kurrsesi rolin që luajti revista “Albania” e Konicës në pasurimin e gjuhës shqipe dhe në kultivimin e shijes letrare të kohës, rol ky që në letërsinë dhe kulturën shqiptare të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX është pa dyshim i madh dhe i rëndësishëm, por përpara se të arrinte te “Albania” e Konicës, Noli ishte edukuar në rrethin familjar, në vendlindjen e tij, në Ibrik-Tepe, atje prej nga u nis në botën e madhe me porosinë e gjyshit që “të mos qëndronte shumë në Athinë”, por “të hidhej në Shqipëri”, sepse “atje ishte atdheu i tyre i vjetër”.
Në qoftë se nxënësve tanë, por edhe lexuesve të tjerë, u duhet thënë patjetër se ku e si e mësoi shqipen Noli, përgjigjja do të ishte tjetër nga ajo që ofron teksti në fjalë.
Noli e mësoi shqipen para së gjithash nga nëna e tij shqiptare, Maria, grua e thjeshtë fshatare, por inteligjente, që nuk dinte asnjë fjalë greqisht, e cila kur e dëgjoi meshën e parë shqip të të birit, në Sofje, në vitin 1908, e emocionuar pa masë, tha: “Tani e di se puna më e mirë që kam bërë në jetë është ajo kur të shpura në shkollë në thes”; Noli e mësoi shqipen, mbase edhe më shumë se nga nëna që e lindi, nga gjyshja e tij, Sumba, që u përkujdes për të me dashuri e dhembshuri të rrallë, e cila, siç dëshmon i nipi, s’e hoqi kurrë kostumin shqiptar, ndërsa vallet popullore shqiptare i lozte në sheshin e kishës së fshatit si të ishte çupë e re edhe në moshën shtatëdhjetëvjeçare; Noli e mësoi shqipen nga gjyshi i tij luftëtar, Gjergj Kapedani dhe bashkëluftëtari i tij, Gjerd Kapedani, i cili ishte një burim i vërtetë rrëfimesh nga më interesantet dhe nga njerëzit e tij të tjerë të familjes dhe të afërmit e tij të shumtë, që e donin aq shumë. Ndërkaq, libri i parë në shqip që lexoi, siç pohon vetë te Autobiografia, ishte një përkthim i Dhiatës së Re i bërë nga dora mjeshtërore e Kristoforidhit. Gjatë qëndrimit në Egjipt do të binte në kontakt me Thimi Mitkon, Spiro Dinen, Jani Vruhon dhe Thanas Tashkon, që të katër njerëz me kulturë dhe atdhetarë të kulluar; ky i fundit, siç dihet, duke parë tek djaloshi i Ibrik-Tepesë talentin dhe zgjuarsinë, por edhe lidhjen e fortë me kauzën shqiptare, e nisi Nolin e ri në misionin e tij në Amerikë për të shpëtuar komunitetin e atjeshëm ortodoks shqiptar nga asimilimi grek.
Nga babai i tij, Stilian Noli, Theofani trashëgoi: adhurimin e heronjve, ambicien për të qenë i parë (në fshat e gjetkë) dhe pasionin për muzikën kishtare, e cila ndikoi doemos në edukimin e veshit të tij për muzikalitetin e rrallë që përshkon tërë poezinë e tij, nga vjersha e parë Fryn, moj erë… (1907) e gjer tek e fundit, që i bie të jetë Vdekja e Sulltanit, e botuar te gazeta “Dielli” me pseudonimin Namik Namazi më 1964, një vit para vdekjes së autorit më 13 mars 1965.
Edhe pse lindi e jetoi jashtë Shqipërisë dhe u shkollua në gjuhë të huaja, Noli e përvetësoi dhe e shkroi shqipen si rrallë ndonjë njeri tjetër i penës ndër shqiptarë, me një fjalë si një usta i vërtetë. Gjuha e Nolit është asht e jo tul - thoshte Kuteli, ndërsa Çabej, në deklaratën e dhënë me rastin e vdekjes së këtij “Demiurgu të shqipes”, nënvizonte se në poezinë e Nolit, sikurse edhe në tërë veprën e tij, origjinale e të përkthyer, “shihet se sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër e e vrazhdë dhe e fortë në ashpërsinë e saj”.
Po përse në tekstin Letërsia moderne shqipe thuhet se Noli e mësoi shqipen nga “Albania” e Konicës? Sado i pasherr që duket në shikim të parë ky pohim, pra pohimi se Noli e mësoi shqipen nga “Albania” e Konicës, siç paskësh deklaruar vetë (!), nuk është i rastit dhe pa funksion. Ai është vënë aty për t’u transmetuar nxënësve që u dedikohet teksti dhe lexuesve të tjerë eventualë të tij dy porosi: një, të tregojë se gjoja Nolit i mungonte formimi i mirëfilltë kombëtar e gjuhësor dhe, e dyta, ta “ngrisë”, siç do të thoshte autori i tekstit në fjalë (në vend se ta ngrejë), në frymën e aversionit të krijuar për të në periudhën “post”, Konicën përmbi Nolin, përkatësisht ta ulë paksa këtë të dytin!
Më shumë se ç’thuhet kjo gjë, pra ideja mbi shqiptarësinë e mangët (?) të Nolit, që s’është veçse një paragjykim i thjeshtë dhe shqipen e tij të mësuar nga librat, në të vërtetë nga një revistë e vetme - “Albania” e Konicës, lihet të nënkuptohet, gjë që e konfirmojnë edhe dy pohimet e tjera të ngjashme të autorit: se Noli e kishte “hero social dhe moral” Krishtin dhe se në vjershën e tij të famshme Anës lumenjve përmend Moskën.
Noli dhe “ndjenjat negative”
Vjershat satirike të Nolit, sipas autorit të librit Letërsia moderne shqipe për klasën e tretë të shkollave të mesme, për nga vlera qenkan “më të vogla se vjershat autobiografike” (!) të këtij poeti, sepse në to Noli futka “kaq emocione negative” sa u tretka “sensibiliteti i matur i poezisë”.
Ta vlerësosh një poet negativisht ose, së paku, të përpiqesh ta minimizosh atë, sepse në poezitë e tij ka shumë “emocione negative”, do të thotë: ose të jesh diletant në letërsi e estetikë ose keqdashës e tendencioz. Autori i këtij teksti nuk është i padijshëm e diletant, por duket se ai nuk i ka shpëtuar klimës negative politike, që është krijuar në këto vite rreth Nolit dhe disa personaliteteve të tjera të kulturës shqiptare.
Vlera e një poezie nuk varet nga çfarësia e emocioneve, “pozitive” a “negative” (ç’kuptim ka, më në fund, kjo ndarje strikte e emocioneve, që ta kujton atë skemën tradicionale të ndarjes së personazheve në “pozitive” e “negative”?), por nga cilësia e intensiteti i ndjenjës e mendimit dhe sidomos nga sendërtimi artistik i tyre në tekstin e saj. Vepra letrare ofron kënaqësi estetike jo pse merret me fenomenet e bukura të realitetit, por pse i transponon ato me forcë emocionale e artistike. Aristoteli pohonte se veprat artistike që i drejtohen së shëmtuarës, na kënaqin artistikisht kur e riprodhojnë atë me vërtetësi. Kjo do të thotë se e bukura në natyrë dhe në art nuk janë e njëjta gjë. Rrjedhimisht, na japin kënaqësi estetike dhe i quajmë të bukura shumë vepra artistike, që paraqesin fenomene të shëmtuara të realitetit. Kështu, për shembull, është lehtë të kuptosh përse na pëlqejnë elegjitë e Nolit kushtuar Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit, që flasin për dy figura të ndritshme të historisë sonë kombëtare, që ishin njëkohësisht edhe miq të poetit, por është më vështirë të kuptojmë pse na pëlqejnë po aq, në mos edhe më shumë, edhe poezitë satirike Marshi i Barabajt, Kirenari dhe Shën Pjetri në mangall, në të cilat stigmatizohen personazhe dhe dukuri negative të realitetit.
E ulëta dhe e shëmtuara, sikurse edhe e bukura dhe e madhërishmja, janë kategori estetike dhe si të tilla ato kanë të drejta plotësisht të barabarta në Republikën e letrave. Të pohosh, prandaj, se emocionet negative e “tretkan” sensibilitetin e poezisë, do të thotë t’ia mohosh poetit të drejtën që ta shikojë botën me sy kritik, kurse poezinë ta privosh nga përmasa e së keqes si një dimension i rëndësishëm i artit në përgjithësi. Thuhet se askush nuk e ka përjetuar tmerrin e luftës më thellë se Homeri dhe Tolstoji, natyrisht secili në kohën e vet. Mirëpo, kur Homeri përshkruan ndeshjet te dyert e Trojës, kurse Tostoji betejën e Borodinit, ata krijojnë një pamje aq të gjallë e të bukur, e cila na ofron kënaqësi të rrallë estetike. A ka gjë më të bukur (si përjetim estetik e jo si situatë reale) sesa vargjet e Dantes, ku përshkruhen tmerret e ferrit; a ka gjë më të bukur (përsëri si përjetim estetik e jo si pamje konkrete) sesa skena ku konti Ugolin, thellë në rrethin e nëntë të ferrit, tek dergjen mashtruesit e atyre që besojnë, tradhtarët e të afërmve, të miqve dhe të atdheut, ia ngjet me dhëmbë “mes truve e qafës” kryepeshkopit Ruxher, shkaktarit të vuajtjeve të tmerrshme të tij dhe të të bijve e nipave të tij të pafajshëm?
Askush deri më sot, askund në botë, nuk është ngritur të thotë për Danten dhe Ferrin e tij, ashtu siç thotë kolegu ynë për poezitë sarkastike të Nolit, se “emocionet negative tresin sensibilitetin e poezisë”! E kundërta ka ndodhur shekuj me radhë dhe vazhdon të ndodhë edhe sot e tutje: vlerësimi i lartë për këtë vepër madhore me “ndjenja negative”. Sepse, “emocionet negative”, kur janë të sendërtuara artistikisht, e rrisin sensibilitetin e poezisë, madje edhe më shumë sesa ato “pozitive”. Edhe i madhi De Sanktis e konsideronte episodin e kontit Ugolin si një ndër më të fuqishmit e Ferrit, kurse këngën e 33-të, pikërisht atë ku përshkruhet skena tronditëse e hakmarrjes së kontit Ugolin ndaj kryepeshkopit Ruxher - analoge me atë të mbretit Tidej ndaj tebanit Menalip dikur në Tebë - si një ndër më të bukurat e Ferrit dhe të gjithë Komedisë hyjnore.
Ka shkrimtarë, por edhe rryma të tëra letrare, që e kanë në fokus të interesimit të tyre të keqen, të shëmtuarën, të ultën dhe grotesken, pra negativen, mirëpo kjo nuk i ul ata si shkrimtarë dhe artistë. Kryevepra të letërsisë botërore, si Ferri i Dantes, për të cilin sapo folëm, tragjeditë e Shekspirit, romanet e Balzakut, Krimi dhe dënimi e Dostojevskit etj., bartin në brendi të tyre shumë “emocione negative” (vrasje, krime, mallkime etj.), mirëpo askujt deri më sot nuk i ka shkuar ndër mend t’i akuzojë autorët e tyre për “tretje” të “sensibilitetit të matur të poezisë”, siç vepron kritiku ynë “pozitivist” me Nolin.
Prej romantizmit e këndej, posaçërisht prej realizmit kritik e sidomos natyralizmit, shkrimtarët e kanë vënë në qendër të veprave të tyre të keqen, të ultën dhe të shëmtuarën, kuptohet në emër të angazhimit për të mirën dhe humanizmin. Në shekullin XX flitet gjithnjë e më shumë për movizmin (nga frëngj. mauvais) dhe estetikën e së keqes. Kjo e ka shtyrë shkrimtarin dhe teoricienin bashkëkohor frëng Zhorzh Bataj të shkruajë librin Letërsia dhe e keqja, në të cilin merret me krijimtarinë e Bodlerit, të Lotreamonit, të Blejkut, të Sadit, të Prustit, të Kafkës dhe të Zhënesë, që ka emërues të përbashkët praninë e vuajtjes, të dhembjes, të vetmisë, të revoltës dhe të melankolisë e, madje, edhe të dhunës dhe seksit, në gjirin e saj. Ndër prijatarët e këtij procesi në letërsi mund të konsiderohen Bodleri në poezi (Les Fleurs du mal) dhe Zola në prozë (Tereza Raken, Nana, Zherminal etj.), i cili e pat shpallur devizë të vetën thënien paradoksale: “Të urresh do të thotë të dashurosh”.
Noli si krijues dhe si njeri ka kritikuar gjatë tërë jetës dukuritë negative në jetën shqiptare dhe ka shprehur mllefin e përbuzjen e tij në vargje për “dallkaukët, kopukët dhe turmat pa tru”, por kjo nuk na jep të drejtë ta gjykojmë atë për teprim me ndjenjat negative.
Jo poeti, por kritiku në këtë rast, ndonëse edhe vetë poet, ka manifestuar ndjenja negative e paragjykime!
Noli, Krishti dhe të qeshurit
S. Hamiti pohon se Krishti ishte “hero social dhe moral” i Nolit, konstatim ky, të cilin e përsërit dy-tri herë pa nevojë. Në të njëjtën kohë, po aty, citon Konicën, sipas të cilit, “Noli nuk plakej, sepse dinte të qeshej edhe në pleqëri”. Ç’të keqe ka këtu? - mund të pyesë dikush me të drejtë. Dhe, vërtet, në pohimet e mësipërme, në shikim të parë, s’ka asgjë të pazakonshme. Mirëpo, për ata që këto punë i gjykojnë pak më hollë dhe plaken pak më gjatë mbi letra, këtu ka një kontradiktë flagrante. Feja e krishterë, sikurse edhe fetë e tjera, nuk e rekomandon të qeshurit, sikundër as vajin e zemërimin, por vuajtjen dhe nënshtrimin. Zoti ynë, Jezu Krishti, nuk qeshte kurrë - thuhet në librat e shenjtë. Për dishepujt fanatikë të martirit nga Nazareti, të qeshurit është njëfarë herezie. Inkuizicioni e zhduku pjesën e dytë të Poetikës së Aristotelit, sepse ajo i kushtohej të qeshurit dhe komikes. Rrjedhimisht, një dishepull besnik i Krishtit, çfarë paskësh qenë Noli, sipas S. Hamitit, nuk do të duhej të qeshte e përqeshte aq shumë, madje edhe në pleqërinë e vet të thellë.
Noli, edhe pse prift e peshkop, ishte tepër njerëzor e tokësor për ta pasur ideal të vetëm figurën e përvujtë të Jezu Krishtit, të cilit ai ia vë pranë figurat aspak të devotshme të dy personaliteteve të mëdha historike; të dy strategëve e luftëtarëve me nam: Napoleonit dhe Skënderbeut. Të pohosh se Noli e kishte, gjatë tërë jetës, “hero social e moral” Krishtin, kur dihet se ai i adhuronte po aq, në mos më shumë, edhe Napoleonin e Skënderbeun (më vonë edhe Luigj Gurakuqin e Bajram Currin) dhe sidomos “heronjtë e kulturës”: Shekspirin e Servantesin; Khajamin e Ibsenin; Bethovenin e Shtrausin; Bernard Shoin e Tomas Manin, por edhe shumë të tjerë; të pohosh, pra, se Noli e kishte, gjatë tërë jetës, “hero social e moral” Krishtin, siç vepron kolegu S. H., do të thotë ta shikosh shtrembër e njëanshëm figurën e tij madhore dhe ta reduktosh - në përmasën pothuaj fetare - veprën e tij të gjerë e komplekse.
Krijimtaria letrare, sipas Nolit dhe sidomos ajo pjesë e saj që quhet satirë, ka aftësinë t’i bëjë njerëzit të qeshin, por edhe të qajnë. Në introduktën për Don Kishotin, pasi flet për popullaritetin e madh të romanit të Servantesit, përkthyesi dhe interpreti brilant i kësaj vepre në gjuhën shqipe, Fan S. Noli, thotë se vepra në fjalë dhe heroi i saj, me bëmat e tij qesharake e anakronike, na bën jo vetëm të qeshim, por “edhe të qajmë”, sepse “Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës”, i cili përpiqet ta ndryshojë në mënyrën e vet donkishoteske - të huajtur nga romanet kalorësiake - këtë botë të padrejtë e mizore, sepse gjithë ç’bën e bën “për të mirën e njerëzisë dhe jo për ndonjë interes vetjak”.
Noli dinte të bënte humor edhe në llogari të vet dhe kjo gjë shihet jo vetëm në ndonjë poezi të tij si Plak, topall dhe ashik dhe në disa shkrime publicistike si ai Kryeministri i binte fyellit, por akoma më shumë në fjalimet e tij brilante të mbajtura para shqiptarëve të Amerikës. Në raste të ndryshme, në takime private, por edhe në tubime publike, Noli tregonte shpeshherë anekdota dhe bënte shaka në adresë të klerikëve ortodoksë, rend ky të cilit i takonte edhe vetë. Kjo sjellje tij tregon fare mirë sesa zemërgjerë ishte Noli si njeri e krijues dhe sa të lira e, madje, edhe liberale ishin pikëpamjet e tij për artin, fenë, moralin dhe shoqërinë në përgjithësi. Humori, përkatësisht shpirtorësia, ishte një dhunti e trashëguar nga familja e vendlindja, por edhe e kultivuar nga kontakti me kolosët e artit botëror si Shekspiri, Servantesi, Tolstoji, Bernard Shoi etj. Noli e donte dhe e çmonte shumë karikaturistin frëng Domje, të njohur për karikaturat e tij politike kundër mbretërve e tiranëve.
Në korrespondencën e tij të pasur ka shumë pasazhe të bukura humoristike, ashtu siç ka ironi e sarkazëm te tekstet e tij të shumta polemike. Një një ligjëratë të mbajtur para shkrimtarëve të rinj amerikanë në fillim të viteve ’60 në Boston, Noli i bënte të qeshnin me gjithë zemër dhe të duartrokisnin në skenë të hapur me batutat e tij plot kripë të pranishmit në sallë, shkrimtarët e rinj amerikanë.
Të rrallë janë krijuesit dhe intelektualët shqiptarë që kanë ditur ta sintetizojnë aq natyrshëm dhe në mënyrë aq mjeshtërore shpirtin dhe filozofinë e popullit, sikundër edhe shijen e tij për të bukurën, me dijen, kulturën dhe erudicionin e librave e të bibliotekave.
T’u thuash, prandaj, nxënësve të klasës së tretë gjimnaz, por edhe lexuesve të tjerë eventualë, se Noli e kishte “hero social dhe moral” Krishtin, aq më shumë që figura e Krishtit në këtë rast ka konotacione pak a shumë negative, është një rrudhje dhe një ngushtim i botës kompleske të Nolit, në mos dhe stërkeqje e botëkuptimit të tij humanist në kuptimin e plotë të fjalës. Një njeri që qesh e përqesh aq shumë, madje deri në pleqëri të thellë, a do të mund ta kishte idhull të vetin dhe të vetëm Krishtin? Krishti te Noli është simbol i njeriut idealist e martir, që nuk e kupton turma dhe asgjë më shumë. Diçka si Sokrati, Niçe, Spinoza etj.
Shënim:
Studimi i Agim Vincës do të vijojë numrin e ardhshëm me të tjera argumente mbi fushatën paragjykuese gjatë të këtyre viteve të fundit ndaj Nolit. Studimi është marrë nga vepra e fundit e studiuesit “Arti i Reagimit”
(Shkrimi u botua ne te perjavshmen kulturore "RILINDASI" të Shqiptarja.com, date 10 qershor 2012)
(sg/shqiptarja.com)