Fushata në Kosovë, Haradinaj
Hoti e Kurti i shtojnë premtimet

Fushata në Kosovë, Haradinaj<br />Hoti e Kurti i shtojnë premtimet
Pas një para-fushate të bujshme, partitë politike në Kosovë, nisën edhe zyrtarisht fushatën zgjedhore me premtimet që prekin të gjitha fushat e jetës.

Qytetarëve, po u premtohet se nën qeverisjen e këtij apo atij subjekti politik, Kosova do të bëhet me ekonomi të zhvilluar, me vende të reja pune, arsim cilësor e deri te premtimet për liberalizim të vizave, formim të ushtrisë dhe anëtarësim në NATO e Bashkim Evropian.

Fushata e sivjetme për zgjedhjet parlamentare po karakterizohet edhe me faktin se në ballë të saj, nuk janë disa prej figurave lidere të partive më të mëdha, si Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të dy liderët e partive, deri tani më të mëdha në Kosovë, kanë vënë në ballë të fushatës të nominuarit për kryeministër, duke e ofruar kështu, në rend të parë modelin qeverisës që ata prezantojnë.

Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër të ardhshëm nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka premtuar se do ta nxjerr vendin nga korrupsioni duke fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit.

“Askush s’do ta mund Kosovën asnjëherë. As korrupsioni. Kosova po na thërret që ta mundim korrupsionin, krimin, terrorizmin”, ka deklaruar Haradinaj.

Ramush Haradinaj, i cili në vitin 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, por për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj tij nga Tribunali i Hagës për krime lufte, nuk arriti të ushtrojë funksionin më gjatë se tre muaj, tani beson se do t’i vazhdoj proceset duke e kthyer Kosovën në një vend të sigurt dhe me institucione të besueshme.

“Kosova po na thërret që ta mundim lakminë joligjore, që ta mundim inatin e dëmshëm mes vete, që të kemi shtet ligjor; që të kemi prokurorë e gjyqtarë, e gjyqe që iu besojmë. Që të kemi polici e ushtri që na bindin se jemi të sigurt. Kosova po na thërret të kemi ekonomi”, ka thënë Haradinaj.

I mbështetur në platformën e qendrës së djathtë, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa ka nxjerrë në ballë të fushatës, jo njërin prej liderëve të partive përbërëse, por një figurë nga fusha e ekonomisë, Abdullah Hotin, nga LDK-ja.

I nominuar për kryeministër, Hoti, ministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, i ka dërguar sinjale edhe Serbisë, për vazhdimin e dialogut, por në një format krejtësisht tjetër.

“Ne kemi plan konkret për integrimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian. Përmes bisedimeve, në format të ri tash me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por të garantuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të vendosim të gjitha temat në tavolinën e bisedimeve. Ne do të vendosim afat të qartë se kur këto bisedime do të përfundojnë”, ka thënë Hoti.

Për dy vite, kryeministri në largim, Isa Mustafa dhe qeveria e tij, ku bën pjesë edhe i kandiduari për kryeministër Abdullah Hoti, nuk arriti që të përmbyllë me ratifikim Marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Por nën qeverisjen e tij, Hoti beson se e ka formulën, e cila në fund do të rezulton me ratifikimin e demarkacionit dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ne garantojmë se gjatë mandatit të ardhshëm do të përmbyllim konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, me demarkacion, me liberalizim të vizave dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës”, ka theksuar Hoti.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, si një subjekt politik që ishte në opozitë, kur flitet për pushtetin qendror, premton një qeveri me më pak ministra e më pak shpenzime dhe qeveri që do ta sillte pushtetin më afër qytetarit.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, për kryeministër, Albin Kurti, ish-kryetar i këtij subjekti politik, vazhdon ta mbështes fushatën e tij në ofrimin e një alternative tjetër, krahasuar me koalicionet e partive që ishin në pushtet këto vitet e kaluara.

“Në Kosovë kanë pasur prioritet dëshirat e qeveritarëve dhe jo të drejtat e qytetarëve. Ligj, rregull e drejtësi, në vend të krimit e korrupsionit. Arsim mbi bazat e profesionalizimit dhe për dije e jo me librezë të partisë e për militantë”, ka thënë Kurti.

Nga legjislatura tashmë e shpërndarë, Vetëvendosje mbahet në mend për inicimin e një praktike të paparë parlamentare, me hedhjen e gazit lotsjellës në seancat plenare, si mjet për të penguar vendimmarrjen për çështje, të cilat, ky subjekt politik i kishte cilësuar si interes i Kosovës.

Ndonëse një vend që ende është në rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar, Albin Kurti mendon që Kosova duhet të jetë shtet partner me perëndimin dhe NATO-n dhe nuk mbetet vetëm si shtet që kërkon mbrojtje e ndihmë nga jashtë.

“Themelimi i ushtrisë do të thotë të vendosim ndjenjat tona historike e liridashëse në shërbim të paqes në vend e në botë. Historia e jonë është e mbushur me luftë për liri. Pavarësia plotësohet kur kontribuojmë me ushtri në NATO dhe jo kur i kërkojmë asaj veçse lëmoshën e mbrojtjes”, ka deklaruar Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, pasuan votimin në Kuvend të një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë më 10 maj. Të njëjtën ditë, Presidenti i Kosovës pati shpërndarë Kuvendin, kurse një ditë më vonë pati shpallur 11 qershorin, datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, pritet të garojnë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Për formimin e Qeverisë, Kushtetuta parasheh minimumin prej 61 votave në Kuvend.

Analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që koalicionet aktuale para zgjedhore të shthuren pas 11 qershorit, ngase besojnë fare pak se ndonjëri prej subjekteve aktuale do t’i sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës./Evropaelire

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Meta në burg, ‘mobilizon’ partinë më 6 dhjetor në protestë para SPAK! Letër PL: Të ngrihemi kundër narkodrejtësisë

Meta në burg, ‘mobilizon’ partinë më 6 dhjetor në protestë para SPAK! Letër PL: Të ngrihemi kundër narkodrejtësisë