Fushata për kryetarin e PS
Rama mbledh sot sekretariatin

Fushata për kryetarin e PS<br />Rama mbledh sot sekretariatin
Kryetari i PS njëherësh kryeministër i vendit pritet të mbledhë sonte në mbrëmje sekretariatin socialist. Zgjedhjet brenda PS, për kryetarin dhe për krerët e degëve në rrethe dhe situata politike në vend, pritet të jenë objekt i takimit, i pari pas fitores së 23 qershorit të këtij viti.

Ndërkohë që pritet të ketë dhe debate në lidhje me ndonjë hatërmbetje të mundshme për lënien jashtë listës së qeverisë të ndonjërës prej figurave kryesore të PS.

Pasi vetëm Damian Gjiknuri, sekretar për çështjet zgjedhore, Ilir Beqja, sekretar për programin, Arben Ahmetaj, sekretar për sipërmarrjen dhe grupet e interesit, Erion Veliaj, sekretar për rininë dhe emigracionin kanë marrë nga një post ministri në kabinetin e ri qeverisës “Rama”.

Ndërsa Blendi Klosi sekretar organizativ, Fatmir Xhafaj sekretar për koordinimin, Ndre Legisi sekretar për koalicionet, Bashkim Fino sekretar për pushtetin vendor e Armado Subashi sekretar për burimet njerëzore s’janë përffshirë në kabinetin e ri qeverisës.

Mbetet mister fakti se cili prej tyre ka mbetur i pakënaqur me mbetjen jashtë qeverisë. Por në këtë takim me Ramën do të jenë dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare njëherësh kryetar i grupit të PS, Gramoz Ruçi si dhe sekretari i Asamblesë, deputeti Taulant Balla.

Tre sekretarë në PS, janë dhe anëtarë të grupit të punës për përgatitjen e garës në zgjedhjet brenda PS dhe pritet të informojnë për përgatitjen e procesit të zgjedhjeve në parti. Kështu, mbarimi i mandatit të Ramës në krye të PS do jetë në krye të bisedës së sotme, teksa do të informohet në lidhje me përgatitjet për fushatën zgjedhore brenda partisë, pasi mandati i tij përfundon në shtator.

Sipas statutit, zgjedhja e kryetarit të PS bëhet përmes parimit “Një anëtar një votë”. Rama u zgjodh në këtë detyrë 4 vjet më parë, pas dorëheqjes që dha kur PS humbi zgjedhjet e 2009.

Ai u përball me kandidatin Maqo Lakrori, ndaj të cilit fitoi me 93% të votave. Kryesia, një javë më parë, vendosi ngritjen e grupit të punës. Meqënëse pati keqinterpretime në media, zyra e shtypit e PS u detyrua të bëjë një sqarim, ku evidentohej fakti se do ngrihet një grup pune për të përgatitur garën dhe për të zhvilluar zgjedhjet brenda saj. “Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të PS është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do zhvillohen zgjedhjet në parti”, njoftoi urgjent selia rozë një javë më parë.

Grupi i punës përbëhet nga Blendi Klosi sekretar Organizativ, Bashkim Fino sekretar për Pushtetin Vendor dhe Taulant Balla, anëtar i Kryesisë. Grupi i punës do përgatisë një dokument që do endosë kriteret e garës, kohën e përshtatshme se kur mund të bëhen zgjedhjet për kreun e PS dhe këto dokumente do t’ia paraqesë Kryesisë dhe Asamblesë kombëtare për miratim. Mandati i Ramës mbaron më 27 shtator, ndërsa pritet që zgjedhjet për rikonfirmimin e tij të zhvillohen pasi të jetë mbyllur dhe faza e zgjedhjeve të organizatave socialiste dhe asambleve të bashkive dhe komunave.


Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie

Presidenti Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie