Fushata për Shtëpinë e Bardhë dhe retorika e ashpër politike

Fushata për Shtëpinë e Bardhë dhe retorika e ashpër politike

Donald Trump dhe Kamala Harris

Kandidati republikan për president, Donald Trump, zhvillon tubimin e parë në ambiente të jashtme që nga përpjekja e dytë për atentat të dielën e kaluar. Pa ofruar prova, zoti Trump fajësoi për incidentin retorikën e Presidentit Joe Biden dhe Nënpresidentes Kamala Harris.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Shtëpinë e Bardhë, kandidatja demokrate për presidente, Nënpresidentja Harris tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga përpjekja për atentat, duke shtuar se e dënon dhunën politike.

Me të gjitha votat e ligjvënësve të pranishëm, republikanët dhe demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan ditë më parë një projektligj për të shtuar fondet për Shërbimin Sekret.

Kohët e fundit, Shërbimi Sekret i pranoi dështimet për sigurimin e zotit Trump gjatë atentatit në Pensilvani, ku ai u godit në vesh nga një plumb.

Ligjvënësit e të dy partive kanë formuar një grup pune për hetimin e përpjekjeve për atentate ndaj zotit Trump dhe shtysën për këtë valë dhune politike.

Republikani Mike Kelly drejton grupin e ligjvënësve që po zhvillon hetimet.

“Diçka po ndodh me amerikanët dhe kultura jonë është ndikuar shumë nga kjo. Të dy palët përdorin retorikë dhe pastaj thonë që nuk kishin atë lloj nënkuptimi. Por njerëzit i dëgjojnë këto thirrje dhe i nënkuptojnë ashtu si thuhen. Duhet patur kujdes se çfarë thuhet dhe si thuhet”, thotë ai.

Ligjvënësi demokrat, Jason Crow, është anëtar i grupit që po zhvillon hetimet.

“Ka një dallim të madh mes zhvillimit të debateve të ashpra elektorale, çka është e nevojshme, dënimit të dhunës politike dhe citimit se nuk ka vend në shoqërinë amerikane, pavarësisht nëse je republikan apo demokrat dhe që dikush të përdorë dhunën”, thotë zoti Crow.

Ndërkohë republikani Trump ka vazhduar të përhapë pretendimin e pabazë se imigrantët haitianë në Springfield të Ohajos konsumojnë macet dhe qentë e banorëve.

Pretendimet janë hedhur poshtë nga guvernatori dhe kryetari i bashkisë, të dy republikanë. Sidoqoftë, komuniteti është tronditur nga kërcënimet personale dhe me bombë.

Zëri i Amerikës bisedoi me një emigrant nga Haiti i quajtur Baptise.

"Publikimi në media i lajmeve të tilla na frikëson. Ne po kërkojmë një jetë më të mirë”, thotë ai.

“Një burrë më shau dhe nxori thikën’, tregon një tjetër emigrant haitian.

Pavarësisht thirrjeve të fundit për të zbutur retorikën, të dy kampet po vazhdojnë të godasin ashpër njëri-tjetrin.

“Nëse Kamala Harris rizgjidhet, ajo do të vrasë ëndrrën amerikane përgjithmonë. Ajo nuk është e aftë që të jetë presidente. Nuk dua të jem i pasjellshëm por ajo nuk është kompetente për të qenë presidente”, deklaroi kandidati republikan, Donald Trump.

“Kemi kandidatë republikanë për guvernator që janë krenarë që e cilësojnë veten si nazistë. Le të mos pretendojmë se ndryshimi mes atyre që janë në garë është i vogël”, tha kandidati demokrat për postin e nënpresidentit, Tim Walz, gjatë një tubimi në Pensilvani.

Disa shtete kanë filluar tashmë votimin e hershëm për zgjedhjet e 5 nëntorit./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave