TIRANE-REPORT TV zbardh axhendën e plotë të Asamblesë së Partisë Socialiste që është planifikuar për t’u zhvilluar ditën e premte në datë 7 shtator në orën 10:00. Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi raporton se ditën e premte asambleja do të nisë me një raport llogaridhënie të qeverisë dhe bashkëqeverisjes, ndërsa do të vijojë me një tjetër raport mbi performancën e përfaqësuesve të PS (kryebashkiakëve) në qeverisjen vendore. Gjithashtu do të nisë procedura për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet vendore 2019. Në axhendë zbulohet edhe slogani i PS për zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të jetë "E gjithë vëmendja tek njerëzit".
Pas miratimit të strategjisë "Partia Socialiste për ty", axhenda mbyllet me diskutimin mbi të drejtën e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe unifikimin e regjistrit digjital të PS. Ndërkohë që të premten e 7 shtatorit në mbledhjen e Asamblesë Socialiste, Edi Rama do të shpallë vendimin nëse do të bëjë ndryshime në qeveri, apo do ta vijojë këtë vit të dytë të mandatit të dytë me të njëjtin ekip.
Zbardhet axhenda e plotë e Asamblesë së PS të premten, 10:00:
1. Raport Kombëtar i Llogaridhënies Publike të Qeverisë "Puna për Shqipërinë që Duam".
2. Raport i Grupit të Punës së Asamblesë Kombëtare të Partisë "Mbi performancën e përfaqësuesve të PS në qeverisjen vendore"
3. Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet vendore 2019.
4. Raporti Kombëtar i Bashkëqevërisjes deri më 31.08.2018
5. Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të PS në dy sesionet e para të legjislaturës së IX.
6. Informacion mbi punën e strukturave vendore të partisë në raport me Axhendën Politike Vjetore të Partisë.
7. Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare "E gjithë vëmendja tek njerëzit"
8. Miratimi i strategjisë "Partia Socialiste për ty"
9. E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
10. Vendim për unifikimin e regjistrit digjital të PS.