FUSHE-KRUJE - Një 19-vjeçar është vrarë mbrëmjen e djeshme para një lokali në fshatin Borizanë të Fushë-Krujës. Viktima Florind Kadiu është qëlluar disa herë me thikë nga bashkëfshatari i tij. Për pasojë, i riu ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ndodhi mbrëmë pas ndeshjes Borusia Dortmund-Real Madrid dhe mendohet të ketë ndodhur për bastet e vendosura në pikën e llotos në të cilën ndodheshin.

Policia e Fushë-Krujës ka arrestuar autorin e vrasjes Durim Xaka 28 vjec nga fshati Borizanë vetëm disa orë pas ngjarjes. Policia tha se autori ishte fshehur në pyll, sipër fshatit Borizanë në Fushë Krujë.

Shtetasi Durim Xaka u arrestua në flagrancë për veprat penale të vrasjes me dashje dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta si provë materiale.

Gjatë arrestimit ai ka pranuar krimin dhe policia pohon se nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit.

(s.g/ad.ti/shqiptarja.com)