TIRANE- Blutë e Krujës kanë arrestuar 4 persona pasi nuk i janë bindur punonjësve të Policisë së Rendit e më pas duke i kanosur këta të fundit me armë gjahu e kosore. Burime nga policia lokale thanë se në prangat e policisë ranë Fatmir Muça 49 vjeç, djali i tij Oltion Muça 24 vjeç, Sefer Xiha 55 vjeç, dhe djali i tij Armando Xiha 22 vjeç.

Ngjarja
Kanë qenë dy punonjës të Policisë së Rendit të cilët rreth orës 23:00 të së enjtes kanë parë drejtuesin e një automjeti tip furgoni, në një rrugë në fshatin Larushk të Fushë-Krujës i cili u është dukur i dyshimtë në veprime dhe kanë shkuar për të ushtruar kontroll. Sapo makina e policisë është kthyer në drejtim të forgonit, drejtuesi i tij menjëherë ka fikur dritat e automjetit. Më pas, burime nga policia lokale thanë se i riu është larguar me shpejtësi në drejtim të disa banesave dhe ka qëndruar në një dyqan ushqimor.

Dy punonjësit e policisë sapo kanë arritur përpara objektit në fjalë, tek dera kryesore u ka dalë 49 vjeçari Fatmir Muça dhe në dorë mbante një armë zjarri të tipit çifte duke e ndaluar policisë të hynte në ambjentet e mbrendëshme të dyqanit. Dy punonjësit e policisë i kanë shpjeguar 49 vjeçarit arsyen e ndalimit të djalit të tij, ndërsa burri u ka thënë se “Djali im është i mitur dhe është larguar sepse nuk ka patentë për furgonin”. Po ashtu, Muça nuk ka pranuar që t’i bindet policisë duke mos i lejuar ata që të kryenin edhe kontrollin e automjetit. Në ato momente, në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe dy komshinjtë e 49 vjeçarit të cilët kanë qenë me një kosore në dorë.

Konflikti
Fatmir Muça së bashku me dy komshinjtë Sefer Xiha dhe djali i këtij të fundit, Armando Xiha kanë filluar të konfliktoheshin me policinë duke i kërcënuar se do të qëllonin në drejtim të tyre. Por, pasi policia ka telefonuar në policinë e Krujës, ka qenë 55 vjeçari Xiha ai që ka tentuar të qëllojë një nga punonjësit e policisë me kosore, duke e plagosur këtë të fundit në dorë. Në këto momente, në fshat ka zbarkuar edhe furgoni i policisë, ndërsa 49 vjeçari Muça ka kundërshtuar të shkonte me ta duke i kërcënuar sërisht me çifte, duke shtuar më tej se ishte armë të cilën e kishte me leje edhe pse refuzonte t’ja tregonte policisë. Ndërkohë, pas shoqërimit në komisariat, policia ushtroi kontroll edhe në furgonin e 49 vje♪5arit, por nuk është gjetur asgjë e çuditshme.

Sekuestrimet
Lidhur me këtë ngjarje, policia e Krujës bllokoi armën e gjahut të 49 vjeçarit e cila rezultoi të ishte me leje, si dhe kosoren me të cilën 55 vjeçari Xiha qëlloi një nga punonjësit e policisë. Ndërkohë, materialet e mëtejshme i kaluan Prokurorisë së rrethit të Krujës për hetime të mëtejshme.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)