FUSHE- MAMURRAS -Arratisen nga fshati Fushë-Mamurras familjarët e Xhelal Poleshit, personit të arrestuar si ndihmues i Jetmir dhe Muharrem Llanit. Gruaja dhe dy fëmijët e tij kanë braktisur mbrëmjen e së hënës shtëpinë vetëm pak orë pas arrestimit të Poleshit nga policia nga frika e hakmarrjes së ish-fqinjëve të tyre.  Xhelal Poleshi u arrestua mesditën e së hënës nga policia e Laçit si bashkëpunëtor i dyshuar i Jetmir dhe Muharrem Llanit në masakrën e së dielës ku mbeti i vrarë Gentian Shkreta dhe ku u plagos Aurel Shkreta. Emri i Poleshit ka dalë në skenë nga i plagosuri Aurel Shkreta, pasi ky i fundit kur është pyetur nga policia në lidhje me emrat e personave që kishin dijeni për lëvizjet e tyre, ai ka thënë se përveç familjarëve të afërt dijeni kishte dhe fqinji i tyre Xhelal Poleshi. Menjëherë më pas policia ka shoqëruar këtë të fundit dhe pasi e ka marrë në pyetje dhe pasi ka mbledhur edhe të dhëna shtesë në lidhje me lëvizjet e tij në ditën e krimit e ka vendosur nën arrest si bashkëpunëtor në krim. Dje në fshatin e familjes Shkreta në Fushë-Mamurras banorët komentonin vetëm këtë ngjarje ndërsa fare pranë shtëpisë së djegur e të rrënuar të Mark Shkretës nga shpërthimi i tritolit, nga banorët e zonës mëson se seriali i konfliktit ka përfshirë edhe familjen Poleshi. "Ajo shtëpia aty ngjitur me shtëpinë e Mark Shkretës është e Xhelalit që e kanë arrestu. Familja e tij ka ikur që mbrëmë dhe i kanë lënë dyer e dritare të hapura, kanë marrë arratinë nga frika se derisa të sqarohen realisht gjërat pale se çfarë ndodh. Kanë ikur nga frika i kanë lënë të gjitha sendet në shtëpi veç me ik prej këtu", - tha dje një banor i zonës.

ARRATISJA
Familjet Poleshi dhe Shkreta prej vitesh kanë patur një miqësi dhe marrëdhënie të ngushtë për shkak se edhe shtëpitë i kanë patur fare pranë. Dy familjet kanë ndihmuar respektivisht njëra tjetrën dhe pas nisjes së serialit të vrasjeve mes fisit Shkreta dhe Llani në Qershor të këtij viti, mendohet se Xhelal Poleshi ka qenë një ndër njerëzit që ka ndihmuar familjen Shkreta dhe që djemtë e kësaj familje i kanë besuar në disa raste lëvizjet e tyre por edhe ndonjë porosi delikate. "Xhelal Poleshi nuk punon me taksi, nuk është taksist. Por ai ka makinë dhe në disa raste ka ndihmuar antarët e familjes Shkreta sidomos prindërit e tyre dhe më vonë edhe pas sherrit me fisin e Jetmirit mund ti ketë ndihmu kur e kanë kërkuar se normal komshij kanë qenë dhe i kanë besu", - shprehen banorët e fshatit Fushë-Mamurras. Banorët shprehen të habitur me arrestimin e Poleshit, duke theksuar se ai njihej si një mik i vjetër i familjes Shkreta dhe arrestimi i tij si bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Jetmir Llani është shumë i çuditshëm dhe i papritur për ta.

DILEMAT
Në fshatin Fushë-Mamurras banorët komentojnë në mënyra të ndryshme rolin e Poleshit pasditen e së Dielës. Ata pak persona që vendosin të flasin me të panjohur për këtë çështje thonë se kanë dëgjuar se Poleshi i ka transportuar dy vëllezërit Shkreta në Mal të Zi disa ditë përpara për t'i çuar te motra e tyre e cila është martuar në Ulqin. Sipas këtyre banorëve ka qenë sërish Poleshi ai i cili i ka marrë në kthim nga Mali i Zi për ti transportuar drejt shtëpisë së të afërmve të tyre pranë Fushë-Mamurrasit. Të tjerë banorë thonë se është i paqartë roli ekzakt që ka luajtur Poleshi ndërsa shtojnë se dy vëllezërit Shkreta nuk kanë ardhur me makinën e e Xhelal Poleshit por me mjete të tjera transporti dhe se Poleshi vetëm sa mund të ketë patur dijeni për lëvizjet e tyre por nuk është se i ka shoqëruar ata. Këtë variant mbështesin edhe hetuesit e prokurorisë së Kurbinit të cilët kanë marrë në pyetje edhe Aurel Shkretën por edhe fqinjin e tij të arrestuar Xhelal Poleshi.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg.shqiptarja.com)