Banorët e Fushë Mëzezit në Kashar prej gati 15 vitesh vuajnë mungesën e ujit. Ky shqetësim i tyre nuk ka marrë asnjëherë zgjidhje, por megjithatë banorët tregojnë se vijojnë të paguajnë fatura, ndonëse nuk e marrin shërbimin.
Jemi në zonën e Fushë Mëzezit fare pranë kryeqytetit tonë, Tiranës. Kemi ardhur këtu për një shqetësim të disa banorëve, i cili lidhet pikërisht me ujin. Janë disa familje në këtë zonë, të cilat vuajnë për gati 15 vite mungesën e ujit. Ne do të shohim se si qëndron ky problem.
Ne nuk marrim asnjë pikë uji. Furnizohemi me ujë nga tre drejtime. Ujin e pijshëm e blejmë, ujin për gatim e blejmë, ndërsa ujin për t’u larë e marrim nga pusi që kemi hapur me shpenzimet tona, i cili me analizat që kemi bërë është tejet i ndotur. Unë kam kontratë, unë paguaj rregullisht.
Bashkim Hajdinaj, banor i Fushë Mëzezit
Për t’u larë përdorim ujin e pusit, për të gatuar marrim me autobot, dhe për të pirë blejmë. Pensionista jemi. Nuk kemi asnjë lloj ndihme tjetër.
Mamude Haxhiaj, banore e Fushë Mëzezit
Këta banorë kanë shqetësimin e mungesës së ujit prej gati 15 vitesh, por megjithatë disa prej tyre e paguajnë atë. Shkojmë të shohim bashkë se ku ndodhet sahati, por edhe librezën me të cilën këta banorë paguajnë një shërbim që nuk e marrin.
Ky është sahati që zoti Bashkim ka vendosur para 4 vitesh, të cilin e ka blerë vetë me shpenzimet e tij. Por, megjithatë, edhe pas vendosjes së sahatit po ashtu edhe pagesës së rregullt të kontratave ai nuk ka ende shërbimin e kërkuar, ujin e pijshëm.
Kam paguar sistematikisht për çdo muaj, ujë. Në 2016 filloi të rritej. Ujë s’kam pasur asnjëherë.
Bashkim Hajdinaj, banor i Fushë Mëzezit
Deri në këto momente, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka marrë asnjë masë, lidhur me këtë shqetësim.
( Libreza e ujit, e cila vërteton se banori ka paguar rregullisht faturat e detyrimet ndaj shtetit)
Komente









