Faqet e huaja të basteve sugjeronin se kjo javë e Superligës do të kishte rezultate të çudtishme dhe fusha e lojës e vërtetoi këtë. Vora që lufton për mbijetesë dhe që kuotohej me 1.48 koeficientë ka mposhtur 4-2 Elbasanin e vendit të parë për javën e 34 të kampionatit. Verdheblutë kuotoheshin me 6.5 për fitoren që ishte një koeficient anormal duke parë renditjen dhe formën që po kalonin skuadrën.

Vora nuk është surpriza e vetme. Në sfidat e luajtura të shtunën në orën 16:00 edhe Flamurtari i vendit të fundit shkatërroi 1-4 Partizanin. Të kuqtë luftojnë për vendin e 4 që të dërgon në ‘final-four’, por në Arenën e Demave vlonjatët e patën shumë të lehtë fitoren. Vendi i fundit para ndeshjes kuotohej me 1.45 për fitoren në një fushë të vështirë se ajo e kryeqytetasve, të cilët kanë pretendime për kreun. Këto rezultate kanë sjellë edhe zemërimin e madhe të tifozëve, të cilët kanë shpërthyer në rrjetet sociale. Ata shprehen se ky futboll është teatër dhe turp për lojtarët të cilët zbresin në fushë.

Befasi konsiderohet edhe fitorja 0-2 e Bylisit në fushën e Vllaznisë pretendente për kampionatin. Megjithatë fitorja e ballshiotëve nuk kishte koeficient të ulët në baste. Kjo gjithsesi nuk i shmangu komentet për tolerim të tifozëve. Shumë shkruanin se kjo është turp dhe se nuk duhet të shkojnë më në stadium.

Sakaq kompanitë e basteve kishin hequr dorë nga ndeshja Dinamo-Egnatia, e përfunduar me rezultatin 2-0. Për këtë sfidë ata nuk kanë pranuar baste me rrezikun se mund të ishte e toleruar. Për t’u theksuar se fitore me shumë vlera mori edhe Tirana që lufton për mbijetesë. Bardheblutë ia dolën 0-1 në fushën e Teutës që është futur gjithashtu në garën e ashpër për të mos zbritur në kategorinë e parë. Pas javës së 34 të Superligës 4 skuadra qëndrojnë me pikë të barabarta. Teuta, Tirana, Bylis dhe Vora që janë për mbijetesë ndodhen në kuotën e 38 pikëve, 3 më shumë se Flamurtari i vendit të fundit kur kanë mbetur edhe 2 javë kampionat.